Floriana Koka do të jetë kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë Sarandë në zgjedhjet lokale të 21 qershorit, konfirmojnë burime jo zyrtare. 38-vjeçarja Koka ka studiuar gazetari me rezultatet të shkëlqyera dhe flet tre gjuhë të huaja. Koka aktualisht mban postin e Drejtoreshës së Burimeve Njerëzore në Bashkinë Sarandë.
“Do të dëgjoj gjerësisht qytetarët në çdo cep të territorit të bashkisë, për të ndërtuar së bashku me ta projektin e bashkisë së re, siç e duan qytetarët”, është shprehur Koka gjatë takimeve me banorët e zonës së Sarandës. “Jam shumë e qartë për atë çfarë mendoj të bëj nesër si kryetare e ardhshme e Bashkisë së Sarandës, një detyrë që e konsideroj si detyrën më të lartë në shërbim të komunitetit, të cilën angazhohem ta kryej me përgjegjshmëri, me qytetari dhe veçanërisht me respekt të plotë për çdo qytetar të Bashkisë së Sarandës, nga ai më i thjeshti dhe më i varfëri, deri tek biznesmeni më i fuqishëm”, është shprehur Koka gjatë një prononcimi për gazetën “Shekulli”.
Platforma
Floriana Koka: Turizmi, prioriteti im për Bashkinë e re
Gjatë prezantimit të platformës dhe vizionit të saj për bashkinë e Sarandës (24 mars), Drejtoresha e Burimeve Njerëzore në Bashkinë Sarandë, Floriana Koka, gjatë prezantimit të saj ne Asamblenë e PS-së së Sarandës dhe Ksamilit, tha se: “Prioritet i politikave të mia do të jetë ta kthej bashkinë e Sarandës, në kushtet e formatimit të ri administrativ, në një atraksion gjithëvjetor turistik. Kjo do të kërkonte krijimin e një strukture të re të zhdërvjellët për promovimin e industrisë së turizmit. Kjo strukturë duhet të krijojë sitet e saj në internet, duke qenë aktive e të fuqishme për njohjen sa më mirë në botë të arealit tonë turistik dhe itineraret e mbërritjes në destinacionin e caktuar, si dhe kosto”.
-Krijimin e një strukture të re të zhdërvjellët për promovimin e industrisë së turizmit.
-Statusi turistik i bashkisë që duhet të miratohet nga këshilli bashkiak, do t’i japë një shtysë të fuqishme kësaj industrie që është zhvilluar në mënyrë informale, spontane e kaotike, pa njohur asnjë planifikim zhvillimor.
-Hartimi i një plani rregullues përfundimtar i këtij territori, që krahas orientimit zhvillimor urban për zonat e paprekura, do të duhet të mendojë edhe korrigjimin e situatave ekzistuese katastrofike, ku mpleksen shpesh zonat residenciale me zonat ku zhvillohet aktiviteti turistik.
-Ky duhet të jetë katërvjeçari që duhet t’i japë fund këtij problemi: ose me dhënien në koncesion, si në Korçë e gjetkë, ose me kredi të fuqishme nga ana e bashkisë, pasi të ketë siguruar një fond fillestar të vetin dhe të bizneseve të vijës së parë.
-I duhet kthyer idesë së parkimeve disa kate nëntokësore në lulishten e qendrës së qytetit, për ta kthyer pastaj sërish në një ambient çlodhës. Edhe kjo duhet të ndjekë rrugën e koncesionit.
-Të përmirësojmë imazhin e peizazhin pamor të qytetit e të krejt zonës. Do të doja të shtoja këtu, nevojën e krijimit të hartave nëntokësore të qytetit, të cilat do të mundësonin jo vetëm njohjen e rrjetit të shpërndarjes së kanalizimeve të ndryshme të zonave urbane, por edhe saktësinë dhe efikastitetin e ndërhyrjeve kur konstatohen probleme në to.
-Do të duhet të bëhet norme, që bizneset e njohura të vijës së parë, hotelet e ndryshme, të detyrohen të punojnë nën kujdesin e ekspertëve të bashkisë së Sarandës, për gjelbërimin e përhershëm të mjediseve përreth tyre. Bashkia të stimulojë gjelbërimin vertikal të ballkoneve e tarracave, aty ku është e pamundur që gjelbërimi të zhvillohet, ku mungojnë sipërfaqet për të./shekulli/