Home Politike Flasin analistët, favoret dhe disfavoret e Ramës dhe Bashës

Flasin analistët, favoret dhe disfavoret e Ramës dhe Bashës

580
0

Menada Zaimi: Afrimi i zgjedhjeve lokale të 8 majit ka rritur ndjeshëm adrenalinën në politikë, në një garë që më shumë ngjan me një betejë për të fituar bashkinë e Tiranës. Edhe pse ende të pazyrtarizuar, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste pritet të përballen përkatësisht me Lulzim Bashën dhe Edi Ramën. Ky i fundit, nëse vendos për rikandidimin, do të synojë mandatin e katërt në krye të bashkisë më të rëndësishme në vend – një fakt që analisti Sami Neza e rendit si element në disfavor të zotit Rama. Neza mbron logjikën e konsumimit të mandatit, ku, sipas tij, bien më shumë në sy detyrat e parealizuara në krye të bashkisë, sesa çfarë është bërë. “Të paktën në dy mandatet e fundit, zoti Rama nuk ka qenë i suksesshëm në punën si kryetar i bashkisë së Tiranës. Rama ka dhe një problem tjetër – problemin e dualitetit parti-bashki. Duke kërkuar sërish bashkinë e Tiranës, ai hedh hije mbi aftësitë e tij për lidership të Partisë Socialiste ose të së majtës në përgjithësi”.”Kështu që do të ishte shumë mirë që kësaj here, pas dhjetë vjetësh pjesëmarrje të Edi Ramës në politikë, të kishim një premierë dhe jo përsëritje“, thotë Neza. Analisti Sokol Balla thotë se Rama ka shumë arsye të rikandidojë – arsye që, sipas tij, e pozicionojnë kryebashkiakun aktual në pozita më të favorshme se kundërshtari i tij i mundshëm në garë, ministri aktual i Brendshëm, Lulzim Basha. “Fakti që ai në zgjedhjet e 8 majit do të përballet me ministrin e Brendshëm të Qeverisë Berisha, që është palë në konflikt me opozitën për sa u përket ngjarjeve të 21 janarit, fakti që opozita futet në zgjedhje edhe pas video-skandalit Meta-Prifti, janë dy momente, pas të cilave vetëm një naiv mund të besonte që qeveria qendrore nuk ka pësuar firo”. “Edi Rama si kryebashkiak sigurisht ka firon e të qenët në këtë pozicion prej dhjetë vjetësh, por pa kaluar përmes ndonjë skandali të mirëfilltë, që atij t’i shkaktonte një kosto reale në vota“, thotë Balla. Por, Neza e evidenton zotin Basha si kandidat potencial për të fituar në Tiranë. “Jo se zoti Rama, nëse futet në garë, është një kandidat i dobët, por shanset e zotit Basha janë të mëdha, për shkak se ai ofron një alternativë për Tiranën e jo një alternativë për politikën në Tiranë”, thekson ai. Analistët ndalen edhe në arsyet se pse politika, të paktën në 10 vjetët e fundit, ka kultivuar te publiku perceptimin se zgjedhjet lokale janë mbi të gjitha fitorja e bashkisë së Tiranës. “Ka të bëjë edhe me profilin e njerëzve, të cilët kanë kandiduar për bashkinë e Tiranës. Që nga viti 2000 kur ka kandiduar zoti Rama, profili i njerëzve që kanë kandiduar nga të dyja partitë politike, i ka transferuar zgjedhjet në Tiranë nga zgjedhje administrative në zgjedhje të perceptuara politikisht“, thotë Neza. Ndërkaq, Balla shprehet: “Ngarkesat politike në të dy krahët dhe përpjekjet për diverzion politik brenda së majtës apo brenda së djathtës e kanë kthyer betejën për Tiranën në një luftë të vërtetë politike, sa herë vijnë zgjedhjet lokale“. Deri në zyrtarizimin e kandidatëve, sipas analistëve, nuk priten surpriza për sa u takon garuesve për Tiranën. Kjo, me gjithë xhiron mediatike që ka bërë emra të ndryshëm si kandidatë potencialë për kryeqytetin. Por, pavarësisht rezultatit që do të prodhojë gara për këtë bashki, analistët nuk e fshehin faktin se ajo do të jetë jo vetëm interesante, por edhe me tension, për shkak të krizës politike ende të pazgjidhur.

Kryeministri inaugurime ne Fier, premton investime ne infrastrukturë

Berisha: Zgjedhjet e 8 Majit, prova e radhës për mazhorancën

Kryeministri Berisha i pranishëm dje në qarkun e Fierit ka inauguruar dy akse rrugore, ku gjatë takimit me banorët e qytetit të fierit Berisha ka theksuar se do të vazhdojnë investimet në këtë zonë. Gjatë përurimit të dy rrugëve në Fier, kryeministri Sali Berisha nuk ka lënë pa prekur dhe zgjedhjet e 8 Majit, duke kërkuar në të njëjtën kohë dhe një mbështetje nga votuesit e Fierit. Kryeministri Berisha iu ka bërë thirrje banorëve të Fierit që vazhdojnë të punojnë së bashku për ndryshimin e mëtejshëm të vendit dhe ekonomisë. “Le t’a ndryshomë këtë vend së bashku. Të gjitha arritjet janë mundësuar me mbështetjen tuaj” deklaroi Berisha. Kryeministri ka nënvizuar në fjalën e tij të gjitha reformat që ka bërë qeveria, falë së cilave janë rritur pagat dhe pensionet, janë rritur investimet e janë dyfishuar eksportet .
Inaugurimi
Gjatë fjalës së tij mbajtur në qytetin e Fierit dhe inaugurimit të dy akseve rrugore në këtë zonë kryeministri i vendit Berisha ka përmendur investimet që ka bërë qeveria në vend duke folur dhe për investime të tjera që do të bëhen në të ardhmen në këto zona.“Në këto vite dyfishuam rrogat dhe pensionet. Investuam në 7 mijë kilometra rrugë. Por qeveria do vazhdojë të mbështesë fuqishëm bujqësinë”, tha kryeministri Berisha. “Fshatrat e këtij vendi. Do të krijojmë treg që ju të shisni prodhimet tuaja”, tha Berisha, i cili ka nënvizuar më tej në fjalën e tij se qeveria do të shumëfishojë mbështetjen dhe investimet në bujqësi. “Ne do të investojmë dy herë më shumë se 4 vitet që shkuan në komunat dhe Kryeministri Berisha. Sipas Berishës gjatë vitit të kaluar ne arritur të dyfishojmë eksportet dhe se arritjet janë rezultat i reformave të thella të qeverisë. Berisha theksoi se qeveria është e vendosur në luftën tonë kundër korrupsionit. “Zgjedhjet e 8 majit do të jenë të lira dhe të ndershme”, deklaroi Berisha. Duke iu referuar krahut të kundër politik nënvizoi se opozita po bën polikë mohuese dhe shkatërruese. “Opozita i cilëson zgjedhjet politike. Po opozita po i përdor zgjedhjet për karrigen e kryetarit”, tha kryeministri Berisha.
Zgjedhjet
Duke folur para simpatizantëve të djathtë të këtij qyteti, Berisha ka shprehur bindjen e tij për rrëzimin e Ramës nga posti i kreut të bashkisë së Tiranës, i cili sipas tij është lënë në harresë. “Ne po ecim drejt zgjedhjeve të 8 Majit, të cilat janë provë e madhe e qëndrimit tonë, e respektit tonë ndaj lirive tona. Këto janë provë e madhe ndaj të drejtave tona. Mazhoranca ka vendosur që këto zgjedhje dhe këtë fushata t’ju përkushtohet interesave tuaja. Ne jemi të vendosur të dëgjojmë zërin tuaj, të dëgjojmë hallet tuaj, preokupimet dhe interesat tuaja dhe të gjitha do të shndërrohen në realitet në katër vitet e ardhshme. Të gjitha projektet do të shndërrohen në realitet”, tha kryeministri Berisha. “Zgjedhjet e 8 majit janë prova e qëndresës sonë. Këto zgjedhje janë politike, por jo për qytetarët. Edi Rama do ta humbasë bashkinë e Tiranës. Ai lufton vetëm për karrigen e tij”, ka deklaruar Berisha. Në fjalën e tij kryeministri Berisha ka theksuar më tej se mazhoranca i konsideron zgjedhjet e 8 Majit si zgjedhje për interesat më jetike të qytetarëve shqiptarë dhe theksoi se në këto zgjedhje mazhoranca do përqendrohet tërësisht në problemet e qyteteve në të gjithë vendin.

Topalli pret studentët në ekspozitën e maketeve për parlamentin e ri
Pas shpalljes së dy ditëve më parë të maketeve për Parlamentin e ri, ditën e djeshme pedagogë dhe studentë të degës së arkitekturës nga universitete të ndryshme kanë vizituar ekspozitën e maketeve të Kompleksit të ri Parlamentar, të hapur në Kuvendin e Shqipërisë. Studentët dhe pedagogët kanë shfaqur interes të lartë dhe vlerësime të veçantë për të 12 maketet në tërësi, të cilët shfaqin modele të arrira të harmonizimit të elementeve të bashkëkohores dhe modernes në arkitekturë. E pranishme mes vizitorëve ka qenë dhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli e cila ka falënderuar studentët dhe pedagogët për interesimin e paraqitur menjëherë pas hapjes së kësaj ekspozite. Studentët kanë vlerësuar transparencën për publikun në këtë proces,duke theksuar se maketet për Kompleksin e ri Parlamentar, hapin një fazë të re për zhvillimin e arkitekturës shqiptare. Ekspozita e maketeve e hapur në Kuvendin e Shqipërisë po vizitohet nga qytetarë të shumtë, të cilët po përcjellin interesimin dhe vëmendjen e tyre për maketin më të mire për Kompleksin e ri parlamentar.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here