Home Aktualitet FBI arreston McMann, qeveria i kishte dhënë 7 hidrocentrale!

FBI arreston McMann, qeveria i kishte dhënë 7 hidrocentrale!

550
0

Qeveria shqiptare, si të mos mjaftohej me dështimet koncesionare në rastin e minierave (Bulqizë, Mirditë) apo të naftës, ka vijuar të përdorë të njëjtën metodë për investimet në tregun e energjisë hidrike, atë të afrimit të investitorëve krejtësisht të panjohur e të biznesmenëve me profil të errët e të dyshimtë, me të cilët natyrisht që është më e lehtë të bësh afera që anashkalojnë ligjin. Është qesharake mënyra se si një kompani e quajtur “Commonwealth Albania Hydro Ventures Inc.”, e regjistruar në Masaçusets te SHBA prej një sharlatani të quajtur Paul J. McMann arriti të përfitonte konçesionin për shtatë hidro-elektro-centrale (HEC) në Shqipëri. Kjo kompani, e drejtuar prej dy bashkëshortëve McMann (Paul dhe Eileen), si dhe prej shqiptarëve me kombësi amerikane Arben Spahillari e Fatos Dervishi, është themeluar në nëntor të vitit 2008, e brenda një viti arriti të marrë koncesione 35-vjeçare për shfrytëzimin e HEC-eve në Sarandë, Përmet, Skrapar, Korçë, Gramsh, Steblevë e Librazhd, duke krijuar një rrjet të prodhimit të energjisë në juglindje të vendit. Energjia e prodhuar në këto HEC-e e kishte edhe tregun e siguruar, pasi siç mësohet nga vetë dokumentet e kompanisë CAHV, për 15 vjetët e parë KESH ishte ofruar si blerës i gjithë energjisë.

Pyetja e parë që shtrohet është se si mundet që një firmë pa eksperiencë të mëparshme në fushën e prodhimit të energjisë dhe pa referenca të forta profesionale të marrë koncesione kaq të leverdisshme e për më tepër me treg të sigurt. Natyrisht që sipas ligjit, koncesionet do të duhet të përzgjidheshin pas një hulumtimi të detajuar, duke përzgjedhur firmën që ofron alternativën më të mirë për zhvillimin e kapaciteteve materiale e humane të investimit, si edhe që ofron përvojën dhe përfitimin më të madh. Mirëpo rasti i kompanisë CAHV, qartësisht nuk është rast i tillë. Çështja bëhet edhe më e komplikuar po të mësosh se njëri prej drejtuesve kryesorë të firmës, Paul John McMann, është arrestuar në Qipro, me urdhër të FBI. McMann është akuzuar për mashtrim financiar (së paku tre të tilla), ndaj bankave amerikane, si dhe për falsifikim dokumentash e raportesh financiare që përfshinin edhe “investimet” shqiptare, gjë për të cilën mund të dënohet deri në 20 vjet burg. Ky fakt hedh edhe më shumë dyshime mbi procesin e dhënies së koncesionit ndaj kompanisë së këtij mashtruesi të specializuar për kryerjen e operacioneve fiktive që në Shqipëri u paraqit si një prej investitorëve të huaj në fushën e energjisë përmes të cilëve kabineti Berisha premton ta kthejë Shqipërinë në “mikro-superfuqi ekonomike”, apo në një “Norvegji të vogël”, siç deklaroi pak ditë më parë vetë kryeministri.

Mashtruesi Paul McMann e regjistroi firmën e tij CAHV, e më pas i siguroi koncesionarët në Shqipëri në kohën kur Ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës ka qenë Genc Ruli e më pas kur këtë vend e mori Dritan Prifti. Ky i fundit, asokohe është shprehur në mënyrë të vagullt për “abuzime” sa i përket procesit të privatizimit të hidroenergjisë, abuzime që i kishte gjetur në institucionin që drejtonte, tek dokumentat e trashëguara prej paraardhësit të tij, Rulit. Megjithatë Prifti nuk është shprehur kurrë specifikisht se për cilat abuzime bëhej fjalë, ndërkohë që karriera e tij politike pranë qeverisë Berisha u ndërpre në mënyrë spektakolare prej një konflikti midis tij dhe zv.kryeministrit Ilir Meta, konflikt që (ndoshta jo) rastësisht kish të bënte pikërisht me dhënien e një license për shfrytëzim të një hidrocentrali, kundrejt një ryshfeti të majmë për zv.kryeministrin.

1.6 milion

dollarë amerikanë është shuma e borxheve që ka marrë përmes mashtrimeve Paul John Mc Mann në ShBA.

450 mijë

dollarë amerikanë ka qenë shuma që mashtruesi i kishte marrë bankave Amerikane, duke paraqitur dokumenta false për gjendjen financiare të kompanive që menaxhonin koncesionet hidroenergjike në Shqipëri

20 vjet

burg rrezikon McMann tashmë i arrestuar prej FBI në Qipro. Sipas përfaqësuesve të shtetit të Massachusetts në SHBA, McMann është i akuzuar për së paku tre mashtrime

90.2 milionë

dollarë amerikanë pretendonte se menaxhonte në Hidrocentralin “Bistrica 3”, 52 vjeçari McMann

Kush është Paul John McMann

McMann, 52 vjeç, tashmë nën akuzë për mashtrim financiar, vjedhje dhe falsifikim dokumentash në SHBA ishte një biznesmen i pronave të paluajtshme (Real Estate). CV-ja e tij nuk ka qenë krejt e pastër e pa probleme, siç mund ta vërtetojnë edhe dhjetëra gjyqe të mëparshme ku ai ka qenë i paditur, e prej vendimeve të të cilëve i janë konfiskuar prona të kompanive që zotëronte. Në 2008 Paul McMann së bashku me bashkëshorten e tij Eileen McMann krijuan një kompani, të regjistruar në Weston, Massachusets. Në këtë kompani u përfshinë edhe disa shqiptaro-amerikanë që me sa duket shërbyen si urë lidhëse mes McMann dhe pushtetit në Shqipëri. Menjëherë pas regjistrimit të kompanisë McMann filloi të merrte koncesione në Shqipëri, dhe gjer në fund të 2009 kishte mbërritur të merrte në kontroll hidrocentralin “Bistrica 3”, e më pas edhe 6 hidrocentrale të tjera. Për këto, tregun e kishte të garantuar nga KESH. Me biznesin e tij McMann u shfaq i interesuar edhe për të kontrolluar burime të naftës bruto, apo D2, si edhe prodhimin e plehrave kimikë, apo floririt. Mirëpo aventura shqiptare e McMann duket se u nderpre prej arrestimit të tij në Qipro, në korrik të 2011, dhe pas ekstradimit të tij për në SHBA në 4 gusht, sipas kërkesës së FBI.

Zëvendësi i McMann, Arben Spahillari

Zëvendëspresidenti i firmës që drejtonte McMann është Arben Spahillari nga Korça, edhe ky banor i qytezës Weston në Massachusetts. Arben Spahillari figuron si partner në të gjitha dokumentat e regjistrimit në QKR, për firmat që kontrollonte McMann. Spahillari me sa duket e ndihmonte mashtruesin amerikan në rolin e personit që njeh ambientin lokal e që menaxhon marrëdhëniet me vendasit. Ai vijon të jetë administrator i bizneseve të veta, pasi shteti shqiptar nuk ka nisur asnjë procedurë hetimi ndaj kompanive të McMann dhe partnerëve të tij në Shqipëri.

Themeluesi i CAHV, Fatos Dervishi

Në dokumentat financiare që regjistrojnë kompaninë CAHV në SHBA figuron si drejtor edhe emri i Fatos Dervishit. Edhe pse ende nuk është e konfirmuar, gjasat janë të mëdha që ky të jetë i njëjti Fatos Dervishi që ka shërbyer si zv/kryeprokuror në vitet 1994 deri në 1998, në një periudhë tepër delikate për shtetin shqiptar. Në rast se bëhet fjalë për këtë person, duhet thënë se ky ka qenë prokurori që ka shtënë në burg Fatos Nanon, dhe ka marrë pjesë në shumë çështje delikate të asaj periudhe. Fatos Dervishi është një njeri me lidhje të forta e të vjetra me Sali Berishën.

McMann i akuzuar që para se të vinte në Shqipëri

“Paul McMann është njeri i frikshëm, ai ka kthyer sa e sa jetë njerëzish përmbys”. Kështu shkruhet në blogun paulmcmann.com prej një anonimi që ka mbi 7 vjet që denoncon personin që është arrestuar së fundmi si mashtrues. Në 2006 vetë Paul McMann ka hapur një gjyq ndaj këtij blogu anonim, duke e akuzuar për shpifje e për mashtrime, mirëpo gjyqin e ka fituar personi i panjohur, i cili përveçse ka vijuar të bëjë denoncimet e tij, i është dhënë e drejta që të ruajë anonimitetin. Sipas materialit të ndodhur në blog, denoncimet janë kryesisht të natyres ekonomike. Blogu pretendon se McMann është një biznesmen i pamëshirshëm që operon në fushën e pasurive të paluajtshme duke mashtruar e duke lënë njerëzit pa shtëpi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here