Kuota e pranimeve të reja, për programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të plotë për kandidatët brenda territorit të vendit do të jetë 25 143 studentë. Në vendimin e mëparshëm përcaktohej se kuotat e pranimit për kandidatët brenda territorit të vendit do të ishte 23 843.
Mundësinë për të ndjekur studimet në Shqipëri do ti kenë edhe shqiptarët që vijnë nga jashtë trojeve ku janë parashikuar 700 studentë. Për studimet e larta për ciklin e parë janë përcaktuar 20 kuota për të verbërit dhe po kaq është edhe për romët.
Pavarësisht kësaj rritjeje në dukje, shtesat më të mëdha kanë shkuar për universitetet nëpër rrethe ku kërkesa e të rinjve është më e ulët apo për degë për të cilat kërkesat nuk janë të shumta. Shtesa në kuota këtë vit është shoqëruar edhe me rritjen e tarifave të shkollimit. Qeveria ka lënë të njëjtë me vendimin e saj të mëparshëm kuotat për programin e dytë të studimit të cilat do të jenë 200 kuota. Po kaq është edhe numri i atyre që do të mund të transferojnë studimet nga një qytet në tjetrin. Praktika ka treguar se të rinjtë që fitojnë një degë nëpër rrethe pasi mbarojnë vitin e dytë aplikojnë për transferim studimesh në universitetin e Tiranës.
Kuota për shtetasit e huaj është 220. Këtu hyjnë shtetasit që nuk flasin shqip duke përjashtuar ata që janë nga trojet shqiptare. Vendimi i djeshëm i qeverisë parashikon që kandidatët të cilët fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi të ciklit të parë, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin e ri akademik 2011 – 2012, dhe që vijnë nga këto shtresa sociale, si: personat që nuk shikojnë/personat që nuk dëgjojnë, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre, invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe fëmijët e tyre, jetimët, fëmijët romë, ballkano-egjiptianë, fëmijët nga prindër të dënuar politikë me heqje lirie, fëmijë të policëve e të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të rënë ose të plagosur për shkak të detyrës, do të përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit.
Kuotat për jashtë trojeve
700
kuota janë përcaktuar për studentët që vijnë nga trojet shqiptare jashtë kufijve. Ato do të ndahen ndërmjet kandidatëve që vijnë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë. Administrimi i këtyre kuotave, për kandidatët nga Republika e Maqedonisë, nga Republika e Malit të Zi dhe nga Prefektura e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës kryhet nga ministritë e arsimit dhe autoritetet përgjegjëse respektive, të cilat sjellin në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Shqipërisë, listat e kandidatëve fitues. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ua përcjell listat institucioneve publike të arsimit të lartë.
Kuotat për të huajt
220
kuota në total janë për shtetasit e huaj që do të studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë 100 kuota janë përcaktuar për shtetasit e Afganistanit, 20 kuota për shtetasit e Maldiveve dhe 100 kuota për shtetasit e vendeve të tjera. Këto kuota do të shpërndahen në bazë të marrëveshjeve dy apo shumëpalëshe, si dhe në bazë të kërkesave individuale, të paraqitura në ministri nga personat e interesuar.
26 363
Janë kuotat e përgjithshme të pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë, për vitin akademik 2011 – 2012, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë. Ato janë të ndara, si më poshtë vijon:
a) Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të pare: 24 643
b) Kuota për program të dytë studimi: 200
c) Kuota për transferim studimesh: 300
ç) Kuota për shtetasit e huaj: 220
Kuota e pranimeve të reja, për programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të plotë, përbëhet nga:
a) Kuotat e pranimit për kandidatët brenda territorit të vendit 23 843
b) Kuotat për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit 700
c) Kuotat për të verbrit (të veçanta) 20
ç) Kuotat për romët (ballkano-egjiptianë) 20