Home Politike Eurodeputetët:“Zgjedhjet u prishën më 14 maj,Shqipëria e humbi shansin”

Eurodeputetët:“Zgjedhjet u prishën më 14 maj,Shqipëria e humbi shansin”

1256
0

Parlamenti Europian për rreth një orë diskutoi për zgjedhjet e 8 Majit në Shqipëri dhe ngjarjet që pasuan pas kësaj dite. Eurodeputetët shprehën shqetësim për situatën në Tiranë, por theksuan se problemet mund të tejkalohen me dialog.Ata vlerësuan ditën e votimeve, dhe theksuan se problemet lindën më pas gjatë numërimit të votave. Sipas tyre duhet pritur rezultati final i këtyre zgjedhjeve. Eduard Kukan i cili i vëzhgoi votimet e 8 majit tha se problemet duhet te zgjidhen nga ekspertët dhe se shqiptarët meritojnë më shumë. Kukan theksoi se “zgjedhjet u prishën më 14 maj kur përfundoi numërimi dhe kandidati demokrat kërkoi të numëroheshin dhe disa vota të tjera”.
Debati në PE
Eurodeputeti Kukan tha se situata në Shqipëri ishte e qetë dhe e rregullt ditën e votimit, ku prania e ndërkombëtarëve ishte jetike, por pas ditës së votimit pati një përkeqësim të saj, kur kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin“. “Lulzim Basha kërkoi rinumërimin e votave të hedhura gabimisht në kutitë jo përkatëse për votimin e kryetarit për Bashkinë e Tiranës. Ai raportoi gjithashtu që KQZ mori vendimin 4 me tre vota, gjë që shkaktoi debate”, tha Kukan. Për Eduard Kukan, situata politike në Shqipëri u tensionua shumë, sidomos pas vendimit për të rinumëruar votat, kur opozita nisi protestat dhe u largua nga parlamenti. Kukan theksoi se procesi zgjedhor nuk ka përfunduar akoma dhe vendimi përfundimtar do të jepet nga Kolegji Zgjedhor.Sipas tij situata në Shqipëri për një kohë të gjatë është përfshirë nga mosbesimi politik dhe polarizimi politik. Ndërkohë që pjesëmarrja e lartë në zgjedhjet lokale të 8 Majit tregoi se njerëzit kujdesen dhe e duan të ardhmen e tyre, raportoi ai në debatin e sotëm. Duke përmbledhur vlerësimin e tij për procesin zgjedhor, Kukan tha se “zgjedhjet lokale të 8 Majit treguan paaftësi për të pasur një dialog politik, për zgjidhje konsensuale dhe mirëkuptim në parimet kryesore demokratike.”
Eurodeputetët batuta me Shqipërinë
Ndërsa Nicolas Chountis foli për thjeshtim të procesit.“Për fat të keq rezultati i zgjedhjeve lokale nuk ndihmoi në zgjidhjen e krizës politike të krijuar nga zgjedhjet e përgjithshme. Unë shpresoja në një zgjidhje, por tani ka edhe një problem edhe më të madh, ka një krizë më të madhe politike. Ne po presim rezultatin përfundimtar, por sidoqoftë ky problem i madh ekziston mes dy partive më të mëdha politike të cilat duhet njohin disa rregulla. PE duhet të mbështesë, jo të zgjidhë, dhe siç e thashë në mbledhjen e komitetit, duhet ta mbajmë derën të hapur që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së dhe duhet të japim ndihmën tonë në zgjidhjen e problemeve për të mirën e qytetarëve shqiptarë”, tha Chountis. Eurodeputeti grek Tremopulos theksoi se në Shqipëri duhet të tejkalohen ndasitë dhe shtoi se procesi është më kompleks se kudo Kurse eurodeputeti Boshtinaru tha se e vetmja gjë që mund të bëhet është që ti bëjmë thirrje palëve për dialog “Ne nuk duhet të mbështesim asnjërën palë dhe as tjetrën, duke mbështetur njërën palë mund të detyrojmë palën tjetër të reagojë ashpër ndërkohë që Shqipëria është përfshirë nga protestat  dhe në rastin më të keq mund të jetë përballë një luftë civile”, theksoi Boshtinaru.

Eduard Kukan, kryetari i delegacionit për Ballkanin:
“Çështja u takon institucioneve që kanë kompetencën për këtë dhe që kanë ekspertë juridikë he autoritetin juridik që të bëjnë këtë, pasi ne nuk jemi avokatë dhe ne nuk jemi të specialistê të çështjeve zgjedhore. Çështja është shumë e komplikuar dhe detajuar dhe si e tillë duhet ti lihet profesionistëve.

Ioanis Kassoulides, Partia Popullore Europiane:
“Nëse ne fillojmë të bëhemi gjyqtarë në favor të njërit ose tjetrit, atëherë ne do t’i hedhim benzinë zjarrit dhe që nuk ndihmon popullin shqiptar dhe as të ardhmen e Shqipërisë. Pyetjet, pse u numërua kështu këtë radhë, pse u morën në konsideratë kjo apo ajo, kjo le t’u lihet autoriteteve të duhura gjyqësore”.

Nikolas Chountis, raportuesi për Shqipërinë:
“Jam i shqetësuar si është e natyrshme, sigurisht nuk kemi rezultatin e përfundshëm dhe ka filluar që tani beteja e interpretimit te rezultatit”.

Eksperti gjerman,Schmidt-Necke:Duhet arritur në një rezultat të pakontestueshëm

Flet eksperti gjerman, Michael Schmidt-Necke mbi zgjedhjet për bashkinë e Tiranës, votat e hedhura gabim, dhe rrugët për daljen nga kriza e re politike. Në Shqipëri është ashpërsuar situata politike. Numërimi i votave në kutitë e gabuara për postin e kryetarit të bashkisë nxori fitues kandidatin demokrat, Lulzim Basha, me 81 vota përparësi. Kjo shkaktoi reagimin e fortë të kryetarit aktual të bashkisë së Tiranës dhe kryetar opozite, Edi Rama. Ai kishte në numërimin e kutisë së fundit për kryetar bashkie një javë më parë, 10 vota më shumë. Secila palë pretendon se e ka të drejtën me vete. Besimi në institucionet ligjore mungon. Çfarë mund të ndihmojë në këtë rast?Nuk do të ishte serioze të vendosje se cila palë në këtë konflikt ka të drejtë. Nga ana tjetër është shumë problematike, kur pas një rezultati zgjedhjesh, kur u bë e njohur fitorja e ngushtë e Ramës, papritur një sasi letrash që janë ndodhur në kutitë e gabuara të përmbysin rezultatin. Ka mundësi të ketë ndodhur kështu, por prapë ka vend për dyshime. Pra është e qartë që klima e mosbesimit mes qeverisë dhe opozitës rritet. Këtë vit kemi parë përshkallëzim masiv të situatës politike. Që në këtë moment ishte e qartë se zgjedhjet lokale do të ishin më problematike se të shkuarat.
Situata ligjore për votat në kutitë e gabuara në Shqipëri nuk është e qartë. Ligji shqiptar shprehet qartë se kush mund të quhet votë e pavlefshme, por nuk saktëson se çfarë duhet bërë me votat që ndodhen në kutitë e gabuara. Opozita akuzon për këtë arsye qeverinë e Berishës “për kanibalizëm zgjedhor”, pasi për të KQZ, është zëdhënëse e Berishës. Sa e kompromenton ky numërim votash qeverinë Berisha?
Kjo i kompromenton institucionet në tërësi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndodhet në shënjestër të kritikave nga të gjitha anët, por kjo ka ndodhur edhe më parë. Tani e gjitha kjo bie mbi qeverinë, sepse pala tjetër mendon – pra nëse ka pasur manipulime – se këtu ka pasur dorë qeveria. Nuk dua të pretendoj se ka pasur manipulime, por edhe nuk mund ta vë dorën në zjarr se nuk pasur ndonjë manipulim. Për fat të keq Berisha ka një të shkuar jo edhe aq të qartë, sa i përket ndikimit në zgjedhje, po të kujtojmë zgjedhjet e vitit 1996. Por në këtë moment duket se topi ka kaluar në anën e ndërkombëtarëve apo tek ODIHR-i, që deri më tani ka thënë se zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë transparente, por klima zgjedhore u përcaktua nga mosbesimi mes partive. Por mbi numërimin e votave në kutitë e gabuara nuk është shprehur.
Çfarë bëhet në Gjermani me votat që janë hedhur në kutitë e gabuara në zgjedhje, nëse kemi dy apo më shumë kuti votimi?
Në Gjermani rezultatin e zgjedhjeve do ta kishim brenda mbrëmjes së të njëjtës ditë dhe madje preciz. Sigurisht është e mundur edhe tek ne që rezultati të jetë kaq i ngushtë, saqë duhet riparë dhe kjo do të thotë rinumërim në ato minibashki ku rezultati nuk është i qartë- dhe po qe se ka pasur vota të hedhura gabim atëherë nuk shoh rrugë tjetër vetëm që bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë ndikimin e saj që në ato zona që janë të diskutueshme të rivotohet.Lidhur me gabimet, kjo është e vështirë, sepse tek ne në Gjermani normalisht votohet në një kuti, dhe votimi rajonal është çështje landesh. Fleta e votimit është e shenjuar shumë qartë tek ne, dhe komisionet e votimit janë të vëmendshëm që votat të hidhen në vendin e duhur. Nuk di saktë se ç’parashohin ligjet zgjedhore në veçanti,
Në Shqipëri nuk ka qenë ndonjëherë e vetëkuptueshme që humbësi i zgjedhjeve të pranojë humbjen. Si e kuptoni ju këtë si njohës i Shqipërisë, me çfarë lidhet kjo?
Kjo të bëjë sigurisht me atë që Shqipëria ka një traditë shumë të dobët demokracie, si demokraci parlamentare. Që nga krijimi si shtet gati ka njohur vetëm sisteme ose autoritare ose diktatoriale, gjë që sjell që një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare ka një qëndrim refuzues ndaj shtetit, sepse shteti është perceptuar si një instrument represioni dhe jo si formë e organizimit të të gjithë shoqërisë. Për fat të keq kjo nuk ka ndryshuar shumë pas vitit 1990. Shoqëria shqiptare është shumë e polarizuar në kampet e majta dhe të djathta, ku nuk ka dallim mes programeve politike.
Me zgjedhjet lidhet edhe një qëndrim pritës i anëtarëve e përkrahësve të një partie. Pra po qe se fiton partia ime, edhe unë fitoj diçka, një post në administratë, një administratë lokale që drejtohet nga partia ime do të më favorizojë kur të shpërndahen tenderat. Pra me fitoren lidhet shumë më tepër se një interes demokratik, pra çështja se kush do të drejtojë administratën në një qytet të madh si Tirana, për shumë njerëz është një komponente e qartë materiale.
Shenjat në Tiranë janë për një kurs konfrontimi, që nuk dihet se ç’udhë do të marrë, së paku opozita paralajmëron revolta. Si mund të gjendet zgjidhja në këto kushte, me qëllim që të mos rrezikohet procesi i integrimit evropian të vendit?
Nuk shoh për momentin një zgjidhje afatshkurtër. Për mua zgjidhja qëndron tek ndërmjetësimi i ndërkombëtarëve, që në ato minibashki ku ka pasur probleme të përsëriten zgjedhjet, nën një vëzhgim më të fortë ndërkombëtar, që rezultati për humbësin, kushdoqoftë ky, të mos jetë i kontestueshëm. Po qe se nuk bëhet rivotim atëherë mendoj se Shqipëria shkon drejt një konfrontimi më të ashpër, dhe se si mund të zgjidhej ky pastaj, për këtë për fat të keq më mungon tani fantazia.DW

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here