“Janë të vërteta ato çfarë kanë shkruar mediat e Moskës, që dy rusëve i janë hequr veshkat në kliniken Medikus në Kosovë”. Këtë e ka konfirmuar për Radio Dukagjinin, zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hawton.
“Mund ta konfirmoj se në akuzën për rastin Medicus, dy persona nga Rusia janë evidentuar si viktima në këtë rast. Këtyre dy personave u janë hequr veshkat. Kjo ka qenë pjesë e hetimeve nga prokuroria. Rasti është duke u gjykuar”, është shprehur Nicholas Hawton
Hawton po ashtu konfirmon deklaratat e sekretarit të dytë të zyrës ruse në Prishtinë, Sergei Zharki i cili i ka thënë Radio Dukagjinit se janë pikërisht autoritetet e EULEX-it që e kanë njoftuar Moskën në lidhje me transplantimin e organeve të rusëve në Kosovë.
“EULEX-i dhe prokuroria kanë qenë në kontakte të vazhdueshme me autoritetet në Moskë, që të japin ndihmë ligjore rreth këtij rasti, po kjo është e vërtetë”, ka thënë Nicholas Hawton.
Gazeta ruse Komersant ka shkruar se organet hetuese ruse kanë pohuar se në mesin e viktimave të transplantimit ilegal të organeve në klinikën Medicus janë edhe shtetasit rus.
Atyre thuhet se gjatë vitit 2008 u janë hequr veshkat, ndërsa kompensimi i premtuar në para, nuk u është paguar kurrë.