Plot 40 pasagjerë të linjës Tiranë-Prishtinë kanë përjetuar momente tmerri, kur autobusi me të cilin po udhëtonin është përfshirë nga flakët dhe brenda pak minutash është shkrumbuar i tëri. Fatmirësisht, udhëtarët kanë mundur të dalin me shpejtësi dhe të braktisin mjetin, por duke lënë brenda shumicën e bagazheve, të cilat janë djegur plotësisht.
Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie, zjarrfikëset e Kukësit dhe të tunelit të Kalimashit, që kanë izoluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit dhe kanë bllokuar për 1 orë qarkullimin e mjeteve. Frenimet e shpeshta të shoferit dyshohet se kanë nxehur ferrotat e gomave, të cilat u bënë dhe burim flakësh. Frenimi ka nisur sapo autobusi ka dalë nga tuneli i Kalimashit dhe në dishezën e fortë, nga tuneli deri në Fushë-Dukagjin, në një gjatësi prej 6 kilometrash. Fillimisht pasagjerët kanë ndjerë erën e ferrotave dhe gomave, por derisa autobusi ka shpërthyer në flakë nuk është diktuar gjë. Shpërthimi i flakëve ka ndodhur 5 km larg qytetit të Kukësit. Policia ka bllokuar dy krahët e autostradës dhe ka larguar udhëtarët, duke bërë dhe bllokimin e autostradëS.
Drejtori i Policisë së Kukësit, Sadri Ramçaj, i cili ndodhej në krye të operacionit të shpëtimit, tha se mendohet që frenimi i shpeshtë dhe nxehja e ferrotave të ketë qenë shkak i zjarrit.
Pasagjerët ishin kryesisht nga qytete të ndryshme të Kosovës, shumica prej tyre studentë, që po shkonin për fundjavë në shtëpitë e tyre. Ata e konsiderojnë veten me fat, kur kanë parë gjithë ato flakë që kanë shkrumbuar tërësisht autobusin.
Rreth orës 20:00, një tjetër autobus është vënë në dispozicion të udhëtarëve për t’i transportuar ata drejt Kosovës.