Home Aktualitet Ermali: “Djali me ngjan me shume mua”

Ermali: “Djali me ngjan me shume mua”

824
0

ermal-mamaqi-ami-joeliAta janë çifti më popullor në Shqipëri… E gjasat janë që të njëjtin fat të ketë edhe pasardhësi i tyre, Joeli. Fotoja e tij, krah mamit dhe babit, rrëmbeu më shumë se 88 mijë ‘pëlqime’ në faqen e të atit në ‘Facebook’, duke thyer kështu një rekord në mediat sociale. Me dhjetëra faqe dhe portale online e shpërndanë fotografinë, duke rritur ndjeshëm audiencën, ndërkohë që kopertina e revistës ku u prezantua për herë të parë bebi, u ‘zhduk’ menjëherë nga qarkullimi. Nga ana tjetër, ne jemi gjithaq të bindur se edhe kjo intervistë do të zgjojë të njëjtën kërshëri tek publiku. Paraprakisht po ju tregojmë se rrëfimi i mëposhtëm, është një nga ata që lexohen me një frymë, në të cilin zbulohen detaje intime, nga më të thjeshtat, për jetën prindërore të Amit dhe Ermalit… “Më ngjan aq shumë, sa një herë e pyeta Amardën: ‘A je e sigurt që ky fëmijë është i yti?’”, thotë babai më i ri i showbiz-it kur e pyesim se kujt i ngjan i vogli. Besojmë se kaq ju mjafton për të kuptuar se çfarë do të pasojë…

Kush e mban natën Joelin? E bëni me turne?
AMI: E nisëm me turne po nuk ia dolëm, tashmë e mbaj ekskluzivisht vetëm unë.
ERMALI: Jo, unë punoj ditën dhe duhet të fle natën (qesh). Ndaj gjatë natës është i gjithi i Amardës.

Kush e lan Joelin?
AMI: Unë jam gjithmonë; sigurisht, ndonjëherë me mamin, ndonjëherë me Ermalin, ndonjëherë dhe me nipin e mbesën time, sepse ata kanë shumë qejf ta shohin si lahet bebi.

Ia ndërron ndonjëherë pampersin Ermali?
ERMALI: Kjo është e vetmja gjë që nuk e bëj kurrë.

Pse?
Sepse Amarda di ta bëjë më mirë.

A ka momente kur djali qan pa pushim? Si silleni? Si e menaxhoni situatën?
AMI: Sigurisht që ka edhe nga këto momente, por tashmë kemi filluar të njohim llojin e të qarës, për t’i plotësuar nevojën që ka. Në raste të tjera marrim pediatrin në telefon, ose në shtëpi, dhe për çdo rast, një xhiro me makinë është shpëtimi në këto lloj situatash.
Kë telefononi nëse Joel nuk pushon së qari ose ndjeni që ka një problem?
ERMALI: Pediatrin, Edi Tushi.

Kujt i ngjan?
AMI: Deri tani është Ermali Junior…
ERMALI: Sigurisht mua! Më ngjan aq shumë, sa një herë e pyeta Amardën: ‘A je e sigurt që ky fëmijë është i yti?’.

Kujt duhet t’i ngjajë?
AMI: Nuk mendoj se ka ndonjë përcaktim fiks për këtë.
ERMALI: Si karakter duhet të më ngjajë mua, si paraqitje Amardës.

Çfarë luteni të marrë nga mami dhe çfarë nga babi?
AMI: Nga babi humorin, nga mami maturinë.
ERMALI: Qetësinë dhe dashurinë nga Ami, nga unë shkathtësinë.

A jeni nga ata prindër që mendoni se fëmijët nuk rriten në Shqipëri?
AMI: Ndonjëherë edhe më vjen keq që Joeli do rritet në një vend ende të pastabilizuar në shumë drejtime, por bota është e hapur tashmë për të gjitha eksperiencat që do t’i ofrojë jeta.

Ku do të rritet Joeli?
AMI: Në Shqipëri për momentin…
ERMALI: Mirë do ishte të jetonte në Vjenë dhe pushimet t’i kalonte në Rio De Janeiro.

Çfarë do bëhet ai?
AMI: Do bëjë gjëra shumë të mira në jetën e tij, tjetër s’di të them.
ERMALI: Siç duket ka premisa për t’u bërë patjetër artist, po kam lënë një takim me të kur të mbushë 18 vjeçe që ta pyes.

A e keni vendosur se çfarë modeli prindëror do aplikoni me djalin? Do jeni liberalë, konservatorë, si prindërit tuaj, apo këshilloheni me psikologë që mësojnë teknikat?
AMI: Pak e vështirë ta paracaktoj këtë rol, por ajo që dua unë të arrij është që t’i qëndroj përherë pranë në sfidat që ai do kalojë në jetë. Nuk dua të jem liberale duke e konsideruar si “shok”, dhe të them të drejtën, nuk më pëlqen kur e shoh këtë model të mamave “trendy”, që flasin për të dashurat që ndërron i biri, etj. si këto… Ai tek unë duhet të gjejë tjetër mbështetje dhe jo shoqen e tij. Dhe në mënyrë absolute nuk dua të jem imponuese në jetën e tij. Jam rritur me këtë frymë nga prindërit e mi dhe u jam shumë mirënjohëse, ndaj dua t’ia transmetoj edhe tim biri tolerancën dhe vetëbesimin në zgjedhjet e tij. Kam vetë një diplomë psikologjie dhe shumë libra të tillë (qesh).
ERMALI: Ka filluar që tani këshillimi; unë besoj se do jem një prind liberal shqiptar. Është shumë e rëndësishme që asnjëri nga ne të dy nuk do të bërtasë gjatë kohës që jemi në shtëpi.
Kush është më i fiksuar?
AMI: Të dy për gjëra të ndryshme.

Thonë që fëmijët e krijojnë karakterin deri në moshën 3 vjeç; çfarë mund të ketë mësuar në këta muaj Joel?
AMI: Që mbulohet gjithmonë me dashuri dhe që bëjmë çdo gjë për t’i marrë një të qeshur.
ERMALI: Këta muaj ka mësuar që unë jam këngëtari më i mirë në botë dhe Amarda, njeriu më i ëmbël në të gjithë botën.

Kush e zgjodhi emrin?
AMI: Të dy.
ERMALI: Më shumë kontribuova unë (qesh).

Do ta vishni firmato djalin?
AMI: (Qesh) Firmato! Mjafton era e tij firmato, që e sfidon edhe veshjen më të bukur.
ERMALI: Nuk është domosdoshmërisht diçka që duhet të ndodhë, po një pampers firmato do t’ia blej unë djalit… Për çfarë e bëra djalin unë, që të mos i blej një pampers firmato?!

Kur jeni të tre në dhomën e gjumit, ditë e diel, dhe dëgjoni vetëm gurgullimat e Joel; çfarë komentoni?
AMI: E para, nuk ka pasur ende një të diel kaq të qetë (qesh). Është melodia më e bukur edhe një tingull i tij, dhe ne gëzojmë si fëmijët duke qeshur.
ERMALI: Na duket sikur dielli ka dalë jashtë dhe zogjtë po cicërijnë.

A e imagjinoni sesi do jetë djali juaj pas 20 vjetësh? Një 20-vjeçar i përmbajtur apo një Déjà vu e babit?
AMI: Një djalë tërheqës dhe shumë i kulturuar.
ERMALI: Do të jetë i gjatë dhe do të ketë shumë projekte në duar, për t’i përfunduar në të ardhmen.

A është frikë të jesh prind?
AMI: Frikë jo, përgjegjësi do thoja. Vihet një qenie tjetër përpara gjithë gjërave të tjera dhe në këtë moment i kupton më mirë prindërit e tu.
ERMALI: Është pak, por lumturia e mbyt frikën.

A e pengon Joel intimitetin? Shumë çifte ankohen se lindja e një fëmije ndryshon jetën seksuale; ju a ka ndryshuar juve?
AMI: (Qesh) Do thoja që e bën më interesante, se ndodh që të merr malli më shumë për partnerin, duke qenë se bebi kërkon kohë dhe përkushtim ndaj tij. Pastaj, shyqyr Zotit, dhomat i kemi më vete.
ERMALI: Deri tani jo.

Ami, si e përjeton mëmësinë?
Periudhë unike, e lodhshme pak, aq më tepër kur je vetë në çdo moment të ditës dhe natës, por sigurisht që më bukur se kaq nuk ka. Pranë pemës së Krishtlindjeve me bebin, janë momente që të mbushin shpirtin dhe të eklipsojnë çdo pikëz pagjumësi apo lodhje…

Po ti Ermal atësinë?
Nuk ka ndonjë ndryshim shumë të madh, përveç faktit që duhet të jem më shumë kohë në shtëpi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here