Të premten e kaluar, para se të shkoja në emisionin Debat të Alfred Pezës në Vizion Plus, ndalova për të blerë një paqetë cigaresh tek dyqani i lagjes time. Dyqanxhiu më pyeti se për në ç’emision isha nisur dhe se cila do të ishte tema e emisionit. I thashë se po shkoja te emisioni i Pezës dhe se tema do të ishte zgjedhja e Presidentit të Republikës. “Akoma s’jeni lodhur me telenovelën e presidentit,” m’u përgjigj dhe shtoi: “Diskutoni për hallet e njerzve të thjeshtë si unë, që po i afrohemi falimentimit, se presidenti i ri nuk ka për t’na i zgjidhur hallet tona”. I premtova se, në një mënyrë a një tjetër, do ta adresoja edhe shqetësimin e tij në emision.
Për të qenë krejtësisht i sinqertë, duhet të them se, po të mos më kishte mbaruar paqeta e cigareve para emisionit, nuk do të më kishte rënë ndërmend që, gjatë emisionit, të bëja arsyetimin e mëposhtëm rreth lidhjes që ekziston mes zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe halleve të shqiptarëve të thjeshtë.
Duke cituar fjalët e Stefan Fule-s në konferencën e përbashkët për shtyp me Berishën rreth shanseve të mira për marrjen e statusit të vendit kandidat për BE nga Shqipëria këtë vit, në qoftë se zgjedhja e presidentit bëhet në mënyrë konsensuale, theksova gjatë emisionit faktin se marrja e këtij statusi do të sillte, përveç të tjerave, edhe një përfitim të ndjeshëm financiar për Shqipërinë. Më tej, sqarova se marrja e statusit do të na kualifikonte edhe për tre komponentë të tjerë të Instrumentit të Ndihmës së Para-Antarësimit.
Aktualisht Shqipëria përfiton vetëm nga dy komponentë, të cilët kanë të bëjnë me rritjen e kapaciteteve administrative dhe teknike. Ndërsa tre të tjerët (që shtohen me marrjen e statusit të vendit kandidat) mbulojnë zhvillimin rajonal, zhvillimin bujqësor dhe zhvillimin e burimeve njerëzore. Pra, këto të fundit do të jenë fonde që shkojnë drejtpërdrejt tek qytetarët shqiptarë, dhe jo tek specialistët europianë që vijnë për konsulencë me fondet e dy komponentëve të parë. (Fqinji ynë Maqedonia merr rreth 100 milion euro ndihmë në vit nga tri fondet e zhvillimit dhe, në varësi të bashkëpunimit me BE-në, mund të marrë deri në 300 milionë në vit, meqë e ka marrë statusin e vendit kandidat.)
Por sa do të ishte efekti ekonomik i kësaj ndihme financiare të BE-së, e cila, për Shqipërinë, mund të shkojë deri në 300-400 milionë euro në vit? Këtë pyetje nuk pata mundësi ta adresoja në emisionin e Pezës dhe, në fakt, që asaj t’i jepet një përgjigje rigoroze, duhet përdorur, të paktën, një model Leontief, bazuar në matricën kombëtare të inputeve dhe produkteve. Por një model i tillë nuk ekziston dhe, madje, INSTAT-i nuk ofron as matricën kombëtare të detajuar të inputeve dhe produkteve. Në këto kushte, mund të bëjmë vetëm disa hamendje të bazuara në logjikën ekonomike.
Së pari, për të kuptuar rëndësinë e një ndihme vjetore financare prej 300-400 milionë euro për Shqipërinë, vlen të thuhet se kaq është deficiti ynë buxhetor këtë vit, ose që me kaq para mund të ndërtohet çdo vit një autostradë si kjo që po lidh me tunel Tiranën me Elbasanin.
Më tej, mund të vazhdojmë me efektet afatshkurtëra të ndihmës së pritshme të BE-së, të cilat kanë të bëjnë me subvencionet për bujqësinë. Këto të fundit do të ulnin koston e prodhimeve bujqësore vendase dhe do t’i krijonin mundësinë dyqanxhijve të vegjël (si ai i lagjes time) që të rrisnin volumin e shitjeve të tyre. Gjithashtu, ndër efektet afatshkurtëra, futet edhe hapja e vendeve të punës për ndërtimin e rrugëve rajonale dhe për ndërtimin e shkollave të reja.
Ndërsa ndër efektet afatgjata, mund të përmendim rritjen e prodhimit bujqësor dhe rritjen e përpunimit/tregëtimit të tij (nëpërmjet komponentëve të zhvillimit rajonal dhe të zhvillimit bujqësor), si dhe përmërsimin e arsimit (nëpërmjet komponentit për zhvillimin e burimeve njerëzore). Dhe këta faktorë janë përcaktuar nga Banka Botërore në strategjinë e zhvillimit afatgjatë të Shqipërisë si ndër më të rëndësishmit për një rritje ekonomike të qendrueshme, që do të shoqërohej me shtim të ndjeshëm të vendeve të punës dhe me një rritje të të ardhurave për një masë të madhe familjesh.
Duke u kthyer tek dyqanxhiu i lagjes time, i cili u bë sebep për këtë shkrim (dhe për diskutimin e shkurtër në emisionin e Pezës), kam frikë se, po t’i lexonte këto rreshta, do të më pyeste: “A mund të më thuash më thjeshtë mua nëse do të shpëtoj nga falimentimi, në qoftë se presidenti zgjidhet në mënyrë konsensuale?” Dhe përgjigjia ime e sinqertë për të do të ishte: “Në qoftë se presidenti zgjidhet në mënyrë konsensuale, gjasat janë të mira (por jo 100%) që ta marrim satusin e vendit kandidat për BE në vjeshtë dhe, në qoftë se ti arrin ta mbash dyqanin hapur edhe për nja 14 muaj, gjasat janë të mira që xhiroja të fillojë të të rritet e ti të dalësh përsëri mbi ujë.”