Home Sport E paimagjinueshme. Gjermania poshteron Brazilin

E paimagjinueshme. Gjermania poshteron Brazilin

521
0

germany-brasilE paparashikueshme, tej cdo imagjinate. Por, tërësisht e merituar për një makineri perfekte si Gjermania e Joakhim Lëvit. Fitorja e thellë, në shifrat 7-1 kundër Brazilit i dërgon “pancerat” në finale të Botërorit 2014 si favoritë absolutë për ta fituar për herë të katërt këtë trofe. Prova e së martës mbrëma në Belo Horizonte mund të konsiderohet si një dramë kombëtare në vendin e “Sambës”, ndërsa dorashka është hedhur për Argjentinën ose Holandën, të cilat do të ballafaqohen 24 orë më pas për të përcaktuar finalistin tjetër të kësaj Kupe Bote. Mbrëmje e magjishme për gjermanët, që tashmë kanë në gjirin e tyre edhe golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave në Botërorë, Miroslav Klosen me 16 gola, por edhe kryegolashënuesin e “Brazil 2014”, Tomas Mylerin, me 5 gola, aq sa ka edhe kolumbiani James Roidrigues, por me lojtarin e Bajernit të Mynihut që mund të parakalojë nëse shënon në finalen e 13 korrikut në “Maracana”.

BRAZIL-GJERMANI 1:7
Golat: Oskar 89′ / Myler 11′, Klose 23′, Kros 25′, 26′, Khedira 30′, Shyrle 69′, 78′
BRAZIL: Júlio César, Maicon, David Luiz, Marcelo, Dante, Luiz Gustavo, Fernandinho (Paulinho 46′), Oscar, Bernard, Fred (Willian 70′), Hulk (Ramires 46′). Trajner: Luiz Felipe Scolari
GJERMANIA: M.Neuer, P.Lahm, J.Boateng, B.Höwedes, M.Hummels (P.Mertesaker 46′), B.Schweinsteiger, M.Özil, S.Khedira (Draxler 76′), T.Kroos, M.Klose (A.Schürrle 59′), T.Müller. Trajner: J.Löw
Gjyqtare: M.Rodríguez, M.Torrentera, M.Quintero
Kartonë të verdhë: Dante 68′

Ndeshja Brazili e nis me vrull, duke fituar menjëherë goditje nga këndi dhe me anë të Marselos shënjestron portën e Nojerit. Gjermanët janë në studim të kundërshtarit për momentin, ndaj nuk zhbilancohen nga gjysmëfusha e tyre. “Selecao” ka ndryshime të diktuara nga dy mungesat e detyruara, ndaj kjo ka sjellë edhe një qasje të re taktike të Skolarit. Për të kuptuar gjithë “të feshehtat” e brazilianëve, “pancerat” kanë nevojë për disa minuta në “katedër”, sa të adaptojnë strategjinë e tyre. Loja zhvillohet e fortë në mesfushë, ku palët kanë përqendruar forcat më të shumta. Aty tentohet të bëhet diferenca, aty zhvillohen dyluftime burrërore e të ashpra, aty arrin pikun antagonizmi i lojtarëve në fushë, në 11 minuta lojë të kësaj finaleje të parakohëshme. Më tej do të ndodhte dicka që edhe më optimisti gjerman nuk mund ta ketë imagjinuar. “Selecao” shpërbëhet, fut ujë në pikën e “arnuar”, në qendër të mbrojtjes, ku Dante e ka zëvendësuar vetëm për numër kapitenin Tiago Silva, i pezulluar për arsye kartonësh. Golat në portën e Hulio Sezar nuk ndalen, plot pesë të tillë në pjesën e parë, cka dëshmon për një supremaci të frikshme e të gjithanshme të “pancerave”.

Referuar kronikës së lojës, aksioni i parë i rrjedhshëm dhe mjaft i rrezikshëm i Gjermanisë shënohet në minutën e 8-të. Ozil filtron tokazi një pasim të bukur për Khedirën, që godet fluturimthi në pozicion ballor, por topi përplaset në trupin e një mbrojtësi verdheblu. Pas dhjetë minutave të para gjermanët shfaqin ambiciet e tyre, duke lënë “llogoren” dhe ndërtuar aksione të njëpasnjëshme drejt portës së Hulio Sezarit. Dhe e gjejnë golin shumë shpejt, në minutën e 11-të, me anë të Tomas Mylerit. Krosimi i Toni Kros nga e djathta gjen të pambuluar sulmuesin e Bajernit të Mynihut, i cili ka tërë komoditetin për të realizuar. Goli i tij i pestë në këtë Botëror, sa James Rodrigues i Kolumbisë, që ka ikur në shtëpi tashmë. Qendra e mbrojtjes braziliane jep shenjën e parë defektoze në mungesë të Tiago Silvës. “Selecao” nën presion, cka duket edhe në pasimet e gabuara që bëjnë lojtarët e saj, duke ia dhuruar topin kundërshtarit dhe dhënë mundësinë e kundërsulmit të shpejtë. E kanë të vështirë të ftillojnë manovrën e tyre brazilianët, që në dëshpërim e sipër shkaktojnë faulle të shumta ndaj gjermanëve. Kjo i shkon përshtat skuadrës së Lëvit, e cila ruan qetësinë dhe duke pasur avantazhin e golit të Mylerit është në një komoditet të lakmueshëm për një ndeshje të tillë. Gjithsesi, reagimi i “Sambas” është evident për pak minuta, si “flakë kashte”, teksa e zhvendos lojën në gjysmëfushën kundërshtare, aty ku forcat e gjermanëve janë të shtuara. Marcelo pretendon penallti në minutën e 17-të, kur rrëzohet në zonë, por Boateng dhe kryesori meksikan shfryjnë ndaj tij për simulim. Minuta e 23-të nxjerr në skenë Miroslav Klosen, që shokon vendësit dhe vetë ngjitet në “majë”, si rekordmen i golave të shënuar në Botërorë, me 16 rrjeta. Goli i tij ka “fshirë” njëherazi edhe brazilianin e famshëm, Ronaldo, që sic do bashkombas i tij do të ketë përjetuar mbrëmjen më të ankthshme e të zezë në jetë. Nuk vonon fare dhe Brazili e sheh veten në “ferr”. Toni Kros e detyron Hulio Sezar ta nxjerrë topin për herë të tretë nga rrjeta e tij, ndërkohë që 60 sekonda më pas kompleton dopietën e tij personale dhe “pokerin” shkatërrues të gjermanëve. E paimagjinueshme; spektakolare ajo që bën Gjermania e Lëvit në më pak se gjysmë ore lojë, fatale dhe tepër zhgënjyese cka ndodh me “Selecao”. Nuk u beson syve Skolari, kur sheh të tijtë në një situatë mjerane, duke pësuar edhe golin e pestë në minutën e 29-të. Gjermanët bëjnë c’të duan me mbrojtjen katastrofike të kundërshtarit, luajnë si “macja me miun” me të dhe i japin kënaqësinë Khedirës të shijojë golin e tij të parë në këtë Botëror. Gjendje shoku për tërë Brazilin, ata lojtarë në fushën e blertë, mijërat e tifozëve në stadium, por edhe milionat e kombit që organizon këtë kompeticion madhor këtë vit. 45 minutat e para mbyllen me goleadën gjermane, në shifrat e thella 5-0, pa asnjë rast të qenësishëm të skuadrës së Skolarit, i cili kupton se përballë një makinerie perfekte si “pancerat”, pa dy yje të tij, Tiago Silva dhe Nejmar, nuk ka asnjë shans. Endrra e finales së këtij Botërori dhe e fitimit të titullit të gjashtë është venitur sa hap e mbyll sytë, në më pak se 30 minuta lojë të gjysmëfinales së parë. Aq kohë i ka mjaftuar Joakhim Lëvit dhe të tijve për të likujduar “Samban” në shtëpinë e vet.

Pjesa e dytë luhet vetëm për statistikë. Lëv i jep mundësinë Mertesaker të ketë edhe ai 45 minuta në këmbët e tij, duke ruajtur Humels për ndeshjen finale. Skolari është i dorëzuar, ndaj vështirë të ketë gjetur fjalë për t’u thënë të tijve në dhomat e zhveshjes, në pushimin 15 minutësh. Disfata është në kufijtë e një tragjedie, ndaj edhe dy zëvendësimet e menjëhershme, Hulk-Ramires dhe Fernandinjo-Paulinjo duken më shumë si masë parandaluese e thellimit të goleadës, pasi për të kompensuar disavantazhin duhen “jashtëtokësorë” ndaj kësaj Gjermanie, apo ndaj Manuel Nojerit, që bën pritje madhështore në pesë minutat e para të fraksionit të dytë. Lojtarët brazilianë vihen të vetëm përballë “gardianit” të Bajernit të Mynihut, por e kanë të pamundur ta superojnë numrin 1 të Gjermanisë. Nëse në pjesën e parë portieri i “pancerave” ishte spektator, tashmë ka mundësinë të tregojë vlerat e tij. Lëvizja në mbrojtje e ka zhbilancuar disi këtë repart të gjermanëve, por edhe qasja tërësisht ofensive e Brazilit, që s’ka cfarë të humbasë, i japin tjetër “fytyrë” lojës. Lëv i ka udhëzuar të tijtë të administrojnë avantazhin e thellë, të ruhen nga dëmtimet apo kartonët, të ruajnë energjitë për finale e këtij Botërori, sepse objektivi final është më afër se kurrë. Në minutën e 58-të hidhet në lojë Shyrle në vend të kryegolashënuesit të Botërorëve, 36-vjecarit Miroslav Klose, i cili do të ketë shansin të luajë edhe në finale, për t’u shndërruar në një legjendë të vërtetë për Gjermaninë, me 4 Kupa Bote të luajtura prej tij. Gjermanët tashmë luajnë më shumë në funksion të Tomas Mylerit, që ai të shënojë gola të tjerë dhe të rizgjidhet “Këpuca e Artë”, si katër vite më parë në Afrikën e Jugut. Mundësitë i krijohen atij, por golin e 6-të do ta realizonte Shyrle, i aktivizuar si zëvendësues. Skolari aktivizon edhe Ëillian në minutën e 70-të në vend të Fred, i vërshëllyer edhe nga tifozët brazilianë, në përpjekje për të gjetur të ashtuquajturin “gol i nderit”, dickaje që ia arriti Oskar një minutë para mbarimit të kohës së rregullt. Lëv, nga ana tjetër, i jep kënaqësinë e debutimit në këtë Botëror edhe Julian Drakslerit, që zë vendin e Khedirës në minutën e 76-të. Dy minuta më vonë Andrea Shyrle “qëndis” golin e tij të dytë personal në këtë ndeshje, të shtatin për të tijtë, duke e bërë turpëruese sa nuk ka më situatën e “Selecao”. Në përmasa, humbja është për “zi kombëtare”, ndërsa për Skolarin e të tijtë “gijotina” duket gati. Humbja më e thellë e pesë herë kampionëve të Botës, e atyre që organizojnë këtë Botëror, vështirë të kalohet sportivisht. Sepse disfata përballë gjermanëve merr trajtat e një turpi kombëtar…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here