Home Aktualitet Dyfishohet vlera e sigurimit te makinave

Dyfishohet vlera e sigurimit te makinave

1049
0

Të gjitha kompanitë kanë rritur çmimin e siguracionit vjetor të detyrueshëm për automjetet. Do paguajmë 14.6 mijë lekë.

Pas uljes si rezultat i liberalizimit të çmimit, kompanitë këtë vit ranë dakord për shtesën rekord.

Nga data 1 shkurt, siguracioni vjetor kushton 14.6 mijë lekë.

Qytetarët që kanë shkuar për të siguruar makinën nga fillimi i këtij muaji janë përballur me një dyfishim të primeve. Nëse nga liberalizimi që u bë vitin e kaluar, çmimet u duk se prekën nivele rekord të ulëta, krejt e kundërta ka ndodhur tani. Liberalizimi është vijuar me çmime të “kripura”. Të gjitha pikat e sigurimeve të kompanive të ndryshme që operojnë në këtë sektor kanë filluar të zbatojnë një tabelë të re çmimesh për siguracionin e mjeteve motorike. Mjafton që të shohim çmimin standard të mjeteve që janë më gjerësisht të përdorura nga qytetarët për të kuptuar që çmimet kanë pësuar dyfishim. Kështu, nëse më herët për një makinë me kapacitet motorik mbi 1600 cm3, çmimi varionte diku te 6.3 mijë lekë, tashmë kjo vlerë është standarde 14.6 mijë lekë për të njëjtën makinë. Ndërsa për makinat me kapacitet motorik deri në 1600 cm3, primi i sigurimit është 14 mijë lekë. Sërish nga agjentët lihet një hapësirë për të luajtur me ulje minimale çmimi, por kjo gjithsesi duket se është e papërfillshme.
LIBERALIZIMI 
Para liberalizimit të tregut, çmimi për sigurimin e makinave ishte standard dhe miratohej nga Ministria e Financave. Me liberalizmin e tregut, tarifat u përgjysmuan, ku nga 12 mijë lekë që ishte mesatarja më parë, ato arritën në një mesatare 6 mijë lekë. Kompanive në atë kohë iu la në dorë që t’i llogarisnin vetë kostot e tyre, duke përfshirë këtu kontratat e sigurimit që kishin dhe dëmet mesatare që u duhej të paguanin. Vlera që kompanitë do të mendonin se plotësonte koston e tyre, ishte edhe vlera me të cilën ato do të gjykonin të dilnin në treg. Nisma e marrë në kuadër të rritjes së konkurrencës, në fakt, e ashpërsoi garën mes kompanive, duke bërë që ato të luanin në treg me çmime minimale, pasi ishte kjo “arma” që u zgjodh si strategji për të tërhequr klientët. Por, në kohën që çmimet prekën “tokën”, duket se kjo nuk ka rezultuar si një zgjedhje e mirë për kompanitë kur kanë mbyllur bilancet e vitit të kaluar. Për të ndrequr gabimin duket se në muajin janar është gjetur edhe “gjuha e përbashkët” e operatorëve, çka ka sjellë çmime standarde, të dyfishuar.
MARRËVESHJA 
Nën zë konfirmohet se mes operatorëve në tregun e sigurimeve është rënë dakord për të rritur çmimet e sigurimit të mjeteve motorike. Ulja në një nivel drastik nga liberalizimi i tregut duket se nuk ka kënaqur pritshmërinë për tërheqje klientele në një vend të vogël si Shqipëria, dhe duket se zgjidhja më e mirë ka qenë rritja e çmimeve. Përgjithësisht, në pikat e sigurimit agjentët e kontraktuar apo ata të punësuar nga kompania luajnë me përqindjen e tyre për të tërhequr klientët duke bërë lëshime që nuk shkojnë më shumë se 600 lekë apo më pak. Dyfishimi i primeve i ka gjetur të papërgatitur ata që punojnë për kompanitë e sigurimeve dhe janë pikërisht ata që konfirmojnë se mes operatorëve është bërë një marrëveshje që është vendosur të hyjë në fuqi në muajin shkurt. Të gjithë këto kompani përdorin një tabelë standarde, e cila me rregull duhet të ketë marrë edhe miratimin e institucioneve përgjegjëse.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here