Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, njëherësh edhe drejtues i Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile tha në Parlament se situata e shkaktuar nga moti i keq është nën kontroll. Ai bëri para deputetëve një panoramë të masave që janë marrë gjatë këtyre ditëve, me qëllim përballimin me sukses të kësaj situate të rënduar.
Ministri i Brendshëm u shpreh se Policia e Shtetit është në gadishmëri, ndërsa flota ajrore ka bërë disa ndërhyrje për evakuim për njerëz që kanë patur nevojë për ndihmë mjekësore, apo për shpërndarjen e ndihmave nga ajri.
Ai tha se ka një komunikim 24 orësh me të gjithë komunat, ndërsa theksoi se qendrat shëndetësore janë në gadishmëri të plotë. Minisitri po ashtu, pohoi se janë të gjitha kapacitetet për përballimin e situatës, ndërsa paralajmëroi se sipas të dhënave të fundit pritet një tjetër përkeqësim i motit, ndaj dhe grupet e shpëtimit do të vazhdojnë punën deri në kalimin e plotë të rrezikut.
CEZ dhe OST gjithashtu janë në gadishmëri, tha Nishani.