Kreu i ri i Bashkisë Erion Veliaj ka mbërritur në Bashkinë e Tiranës, për t’u betuar dhe për të marrë zyrtarisht detyrën e tij. Qytetarë të shumtë kanë pritur Veliajn para hyrjes së Bashkisë, duke e përcjellë me duartrokitje. Për të pritur Veliajn kishin dalë edhe Kreu i Këshillit, Aldrin Dalipi, nënkryetarja Vjollca Braho dhe këshilltari Shezai Rrokaj.
Aldrin Dalipi do të drejtojë Këshillin Bashkiak të Tiranës. Dalipi u rizgjodh në këtë detyrë me 41 vota pro. E majta ka 42 anëtarë në këshill çka do të thotë se njëri prej anëtarëve ka votuar kundër. Pas marrjes së detyrës, Dalipi tha se do të ketë si parim në punën e tij, dialogun politik dhe qytetar për të krijuar një model.
“Dialogu politik dhe qytetar mes palëve i jep mundësi që ajo çka bëjmë ne për qytetarët e Tiranës të kthehet në një model. Ju uroj punë të mbarë dhe së bashku të bëjmë më të mirën për Tiranën dhe qytetarët e saj”, tha Dalipi.
Ndërkohë zëvendëskryetare e Këshillit Bashkiak është zgjedhur anëtarja e PDIU-së, Vjollca Braho.
Këshilli i ri i Bashkisë së Tiranës, i dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit, është mbledhur paraditen e sotme, nën drejtimin e anëtarit më të vjetër, Njazi Kosovrasti. Drejtuesi i mbledhjes theksoi rëndësinë që çdo këshilltar i Bashkisë të vihet në dispozicion të kryetarit dhe qytetarëve, për të bërë më të mirën për qytetin.
“Ju uroj të gjithëve ju për ardhjen si këshilltarë në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Të vihemi në dispozicion të qytetarëve dhe kryetarit të Bashkisë, në mënyrë që të gjithë së bashku të bëjmë atë që vlerësojmë se është më e mira për qytetin tonë. Urimi më i mirë është që të jemi sa me të suksesshëm në këtë detyrë që kemi përpara me veten dhe qytetin tonë”- deklaroi Kosovrasti.
Më pas mbledhja vijoi me ngritjen e komisionit për verifikimin e mandateve të këshilltarëve të rinj të Bashkisë së Tiranës. Në përfundim të verifikimit, këshilltarët e Bashkisë janë betuar njëzëri.
Me ndarjen e re territoriale, Këshilli Bashkiak i Tiranës përbëhet nga më shumë këshilltarë, pasi nga 55 këshilltarë tashmë do të ketë 61 të tillë, pra i janë shtuar 6 anëtarë këshilli. Mësohet se kryetari i zgjedhur, Erion Veliaj do të përshkojë më këmbë rrugën nga Selia e Partisë Socialiste drejt Bashkisë së Tiranës. Në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak që pritet të zgjasë 2 deri në 3 orë janë të pranishëm edhe 5 klerikë.
Nga zgjedhjet vendore të 21 qershorit, koalicioni i majtë Aleanca për Shqipërinë Europiane fitoi 42 mandate, ndërsa Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet 19 mandate. Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk do të pritet nga ish-kryebashkiaku Lulzim Basha, por do të jetë nënkryetari i bashkisë, Enno Bozdo që do t’i dorëzojë kryetarit të ri të bashkisë të gjithë dokumentacionin, informacionin dhe dosjet e përgatitura për punën e bashkisë. Sipas informacioneve, pritet që po ditën e sotme kryetari i ri pas marrjes së mandatit të zyrtarizojë edhe administratorët e rinj të 24 njësive administrative që janë pjesë e Tiranës