Home Politike Ditmir Bushati: Do mbyllim disa ambasada.

Ditmir Bushati: Do mbyllim disa ambasada.

608
0

ditmir bushatiMinistri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati bëri të qartë se brenda këtij viti do të mbyllen disa ambasada të Shqipërisë nëpër botë. Në intervistën për “Tonight Ilva Tare” në ‘Ora News’, Bushati u shpreh se “do të ketë ambasada që do të mbyllen, por kjo nuk do të vijë në mënyrë të shpejtë e arbitrare dhe pa u shoqëruar me një studim”. I pyetur nëse kjo do të ndodhë këtë vit, ministri i Jashtëm pohoi: “Po, është pjesë e reformës sonë për këtë vit. Në rast se do t’u referohemi letrave, kemi vendime të Këshillit të Ministrave të qeverisë ‘Berisha’, ku supozohet të kemi ambasada në Norvegji, Estoni, Pakistan, Afrikën e Jugut etj. Këto ambasada nuk ekzistojnë. Kanë dalë vendimet e Këshillit të Ministrave, janë njoftuar këto shtete për hapjen e ambasadave nga ana e Shqipërisë, por ato nuk janë hapur kurrë”. Bushati foli për racionalizim të diplomacisë e një prezencë më të balancuar në përputhje me mundësitë financiare në botë. Brenda 6-mujorit të parë të këtij viti do të ketë edhe një plan apo hartë të atyre ambasadave që do të mbyllen. Ministri i Jashtëm deklaroi se këtë vit nuk do të ketë rritje pagash për diplomatët, pagat e të cilave, pohoi ai, janë më të ulëtat në rajon. Ministri vuri në dukje gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen ambasadat tona. Ai përmendi ambasadën në Uashington që ka dy vjet që nuk funksionon; tha se godina në Nju Jork është blerë rreth viteve ‘80 dhe sot është në gjendje mizerabël, ndërkohë që tha se, ‘godina e Ministrisë së Jashtme është në gjendje të amortizuar”.
Sa u përket raporteve me Greqinë dhe çështjeve që ekzistojnë ende të hapura mes dy shteteve, Bushati përmendi ligjin e luftës. “Sa i përket ligjit të luftës, ne mendojmë që nuk reflekton realitetin ekzistues, nuk reflekton frymën e miqësisë së mirë. Kemi bërë kontakte me palën greke, është trajtuar si çështje në takime zyrtare. Presim që të kemi një reflektim në këtë drejtim nga qeveria greke”, – tha Bushati. Ndërsa lidhur me çështjen e kufirit detar, Bushati kujtoi se partia ku ai bën pjesë e ka ankimuar marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese dhe qeveria e PS-së, sot është e gatshme që të negociojë dhe ta adresojë këtë çështje në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare të Detit. Ministri u shpreh edhe për mbledhjen e përbashkët në 11 janar me qeverinë e Kosovës. Sipas tij, në këtë mbledhje do të nënshkruhet deklarata e partneritetit strategjik. Do të diskutohen çështje të integrimit ekonomik dhe do të nënshkruhet një marrëveshje në fushën e transporteve e tregtisë. Veç fondit që do të japin të dyja qeveritë për Luginën e Preshevës. Ministri i Punëve të Jashtme foli edhe për statusin e vendit kandidat, të cilin Shqipëria tashmë e pret në qershor. “Në 28 janar do takohemi me BE; Komisioneri për Zgjerimin do të jetë në Tiranë dhe do të diskutohet në takime të nivelit të lartë për këtë çështje”, sipas Bushatit. Sa u takon raporteve me SHBA-të pas vendimit për armët kimike, Bushati tha: “Raportet tona strategjike me SHBA-të nuk u lëkundën dhe as mund të lëkunden nga hezitimi i një pjese të mirë të vendeve që u kontaktuan nga SHBA-të për të qenë pjesë e zgjidhjes së krizës siriane. Shqipëria ka qenë e qartë. Është ndjerë mjaft e vlerësuar nga kontaktimi i SHBA-ve, por kontributi nuk mund të ishte përtej asaj sa mbanin shpatullat e Shqipërisë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here