Duke iu referuar pozi cionit në renditjen e FIFA-s, Shqipëria supozohet të jetë skuadra më e dobët në Grupin A. Disa muaj pasi skuadra, e cila drejtohet që nga viti 2011 nga italiani Xhani De Biazi, mundi Francën 1-0 në ndeshjen miqësore, do të përballet sërish me formacionin e “gjelave” në ndeshjen e vlefshme për “Francë 2016”.
Të pozicionuar të dytët pas kualifikueseve, duke u renditur pas Portugalisë, ky formacion do të jetë në Francë për të luajtur për herë të parë në një Europian. Në një intervistë për “humanite.fr”, trajneri Xhani De Biazi shpjegon edhe objektivat e të tijve.
Çfarë mendoni për Grupin A, ku është e pozicionuar skuadra juaj?
Është një grup i fortë me Francën favorite dhe me Rumaninë e Zvicrën që janë më të forta se ne. Megjithatë, në një kompeticion gjithçka është e mundur. Çdo moment në secilën prej ndeshjeve do të jetë i veçantë. Të luanim me Francën në ndeshjen hapëse do të na vinte në presion, por ne e nisim me Zvicrën dhe me Francën përballemi disa ditë më vonë.
Franca është favorite, por ju e keni munduar atë 1-0…
Kjo është e vërtetë, por ajo ishte një ndeshje miqësore dhe në Europian është një tjetër kontekst. Do të jenë ndeshje shumë më të vështira, por, edhe pse ne nuk jemi favoritë, shpresojmë që të bëjmë ndeshje të mira. Do të përgatitemi për të marrë maksimumin në secilën prej ndeshjeve dhe, deri atëherë, shpresoj që të mos kemi dëmtime. Franca është favorite, sepse ka shumë lojtarë që luajnë në ligat më të mira dhe janë të aftë që të bëjnë diferencën. Megjithatë, të luash në shtëpi është gjithashtu e rrezikshme, nëse ata nuk do të dinë që të përballojnë presionin. Kujtoni Brazilin në Botëror se çfarë ndodhi.
Kjo është hera e parë që ju merrni pjesë në Europian. Ndieni presion të shtuar për këtë fakt?
Në të vërtetë jo! Kemi një dëshirë të jashtëzakonshme për të bërë paraqitje dinjitoze në këtë kompeticion dhe të fitojmë eksperiencë duke luajtur për herë të parë në një Europian, e cila është shumë e madhe duke kujtuar vendin ku zhvillohet. Aspak presion nuk ka për ne! I sigurt është fakti që ne do të kemi mbështetjen e të gjithë diasporës, ndaj do të bëjmë gjithçka është e mundur për të marrë rezultate pozitive.
Cili është objektivi juaj?
Edhe pse është shumë i vështirë, duam që të luajmë në fazën me eliminim direkt. Për të bërë të mundur këtë, do të ishte mirë që të mund të kualifikoheshim të parët ose të dytët. Çdo ndeshje do të jetë e vështirë, pasi do të ketë shumë intensitet.
Cilat janë pikat e forta të Shqipërisë?
Kemi një grup lojtarësh që janë shumë të bashkuar. Kemi ndërtuar një ekip me mbrojtje solide dhe me aftësi të mira për të ndërprerë aksione dhe rikuperuar topin. Kjo na bën të mundur lojën me kundërsulme për ta zënë në befasi çdo kundërshtar. Lojtarët janë krenarë që do të përfaqësojnë vendin e tyre për herë të parë në një Europian.