Home Politike Bushati: Opozita do te trajtohet si qeveritaret ne ambasada

Bushati: Opozita do te trajtohet si qeveritaret ne ambasada

630
0

ditmir-bushatiKryetari i opozitës Lulzim Basha, nëse do të shkojë me detyra partiake e të tjera në udhëtime jashtë vendit, do të pritet me të njëjtin trajtim protokollar nga ambasadat shqiptare nëpër botë, ashtu sikurse pritet çdo ministër a zyrtar tjetër i lartë i qeverisë a parlamentit shqiptar. Ky ka qenë udhëzimi i parë i Ministrit të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, në mbledhjen e parë që realizoi dje me stafin e ministrisë që do drejtojë. “Nuk duhet të ketë më praktika si ato që kanë ndodhur deri dje”, tha dje ministri, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes.

Në fakt, duket se kjo është risi në punën e diplomacisë shqiptare të paktën në 23 vitet e fundit që Shqipëria kalon në tranzicion. Askush s’është kujtuar gjatë këtyre viteve që të presë kryetarin e opozitës, nga stafet e ambasadave jashtë, aq më tepër, në shumicën e rasteve, sikurse ka ndodhur gjatë 4 viteve të kaluara, ka pasur edhe qarkore kundër.

“Një pikë tjetër që do kthehet shumë shpejt në rregulloren e brendshme të funksionimit të dikasterit, është fakti se nuk do të ketë më nga ambasadat apo shërbimi diplomatik qarkore anti-opozitë. Kjo praktikë që është aplikuar më parë, nuk do të ndodhë më”, tha një burim i rezervuar që ishte prezent në takimin që ministri zhvilloi me drejtorët e ministrisë që drejton. Një ndër rastet e qarkorit antiopozitë ka qenë pikërisht dokumenti për librin “Kurban” të Edi Ramës.

Ndërkohë që të njëjtat procedura janë përdorur edhe për grevën e urisë së opozitës në majin e vitit 2011, apo edhe për mosvotimin e tre ligjeve në kuvend. Duket se Bushati ka vendosur një tjetër standart për funksionimin e ministrisë së Jashtme dhe gjithë armatës së diplomatëve që funksionojnë në përfaqësitë shqiptare nëpër botë.

Emërimet
Dje ministri Ditmir Bushati prezantoi para stafit të drejtorëve të Ministrisë së Jashtme edhe kabinetin që do ta asistojë atë në punën e përditshme. Pirro Vengu, emërohet drejtor i kabinetit të ministrit Bushati. I riu i panjohur deri tani në qarqet politike apo të administratës shqiptare, do të vijë direkt nga Franca për të kryer detyrat e reja në ministrinë e Jashtme. Në Paris ai deri më tani ka kryer detyrën e marrëdhënieve publike të një think-tank Paneuropian të KE në Marrëdhëniet e Jashtme. Vengu, është diplomuar në filozofi, histori politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare dhe është marrë kohët e fundit me kërkime në impaktin e krizës së euros në politikat evropiane të zgjerimit. Ravesa Lleshi, do mbajë pozicionin e këshilltares së ministrit. Ajo punon në Institutin për këshillime ekonomike e ligjore në Tiranë. Përveç punës në Institut, ka pasur sprova të mëparshme edhe në zhanrin e gazetarisë. Enzo Shijaku, do të jetë një tjetër këshilltar i ministrit. Ka shkuar që 18 vjeç në Finlandë ku ka studiuar për gjuhë të huaja. Në të shumtën e kohës ka qëndruar në shtetin ku ka kryer studimet ndërkohë që për dy vite ka qenë pedagog në Universitetin Evropian të Tiranës. Së fundmi ka punuar në drejtorinë e marrëdhënieve me jashtë tek Dhoma e Tregtisë. Glevin Dervishi, është një tjetër emër që i bashkëngjitet postit të këshilltarit në kabinetin e Ministrit të Jashtëm, Bushati. I riu 27 vjeçar ka studiuar në Universitetin e Tiranës marrëdhënie ndërkombëtare e aktualisht është i angazhuar në Model European Union Albania (MEU).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here