Home Politike Berisha barsoletë për Ramën, refuzon ofertën për buxhetin

Berisha barsoletë për Ramën, refuzon ofertën për buxhetin

602
0

Shefi i qeverisë ka refuzuar dje ofertën e bërë dy ditë më parë nga lideri socialist Edi Rama. Ndryshe nga herët e tjera, ku ka qenë i prerë në ato që ka thënë, kryeministri Berisha ka vendosur që përgjigja e radhës për Ramën të jetë në formë barsolete me ironi. Kreu i ekzekutivit priti dje në një takim homologun e Sllovenisë të cilin e falënderoi për mbështetjen e qeverisë sllovene për heqjen e vizave midis Shqipërisë dhe BE-së. Ndër të tjera Berisha e falënderoi homologun Borut Pahor për ndihmën që po jep në përmbytjet në Shkodër, duke thënë se për zgjidhjen e kësaj situate dje është firmosur marrëveshja me Malin e Zi për thellimin e lumit Buna.
Refuzimi
Kryeministri Berisha ka kthyer dje përgjigje për tre ofertat e Ramës për përmbytjen në Shkodër, duke e thënë në formë barsolete. “150 vjet më parë, Knjaz Nikolla, nga Mali i Zi, priti një mik në oborr dhe i tha që do të rrish 2-3 ditë këtu si mik imi. Ai u ndje i konfortuar në oborrin e Knjazit. Ditën e dytë ai i thotë – unë jam punëtor, nuk rri dot pa punuar. Knjazi i thotë – unë të kam mik dhe nuk ka nevojë të punosh, je në oborrin tim dhe je miku im. Pasdite ai i thotë përsëri Knjazit – Unë nuk rri dot pa punë, më hanë duart. Knjazi i thotë – po mirë, dil e shëtit në oborr, shih ndonjë zanatçi çfarë bën dhe ti bëj atë që të mundesh. Ai shëtiti dhe gjeti dikë që çante dru dhe i thotë – po të ndihmoj. Mirë, – i thotë ai, – urdhëro sëpatën. Jo jo, – i thotë ai, – sëpatës bjeri ti, unë po bëj ‘ëh’”, tha Berisha. Lidhur me përmirësimin e situatës në Shkodër, kreu i qeverisë njoftoi firmosjen këtë të mërkurë të marrëveshjes me Malin e Zi për basenin e Bunës. Gjatë konferencës me homologun slloven, shefi i qeverisë foli për projektet konkrete për t’i dhënë një zgjidhje situatës në Shkodër. “Sot firmosim marrëveshjen me Malin e Zi në mënyrë që të ndërmarrim ndërhyrje të përbashkëta në lumin Buna, pasi siç dihet baseni ujor i liqenit dhe Bunës është një basen që ndahet nga të dy vendet. Projekti i by pass-it të Shkodrës i cili më parë ishte projekti i një autostrade, tani është shndërruar në projektin e një autostrade dhe argjinaturë njëkohësisht me një gjatësi prej 13 km”, tha kryeministri Berisha.
Vizita e kryeministri slloven
Kryeministri Berisha priti dje në një ceremoni zyrtare në ambientet e selisë së Kryeministrisë, homologun slloven, Borut Pahor. Pas një takimi të zhvilluar me dyer të mbyllura, kryeministrat zhvilluan një konferencë të përbashkët për mediat.Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë shqiptare shprehu mirënjohje për mbështetjen e Sllovenisë në proceset integruese të Shqipërisë, duke falënderuar në veçanti eurodeputeten sllovene Tanja Fajon për rolin e rëndësishëm në procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët. Duke e konsideruar historike vizitën e homologut slloven në Shqipëri, kryeministri Berisha njoftoi hapjen e Ambasadës së Republikës Sllovene në Tiranë. Ndërkaq, Berisha theksoi se gjatë bashkëbisedimit me homologun slloven, ndanë të njëjtat pikëpamje për zhvillimet në rajon, duke e vendosur theksin në domosdoshmërinë e nisjes së bisedimeve Kosovë-Serbi. “Me kryeministrin Pahor ndajmë pikëpamje identike për zhvillimet rajonale. Kufijtë aktualë të Ballkanit duhet të jenë të pandryshueshëm. Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm” u shpreh Berisha. Nga ana e tij kryeministri Pahor nënvizoi mbështetjen e qeverisë së tij në tejkalimin e vështirësive në të cilat gjendet Shqipëria, pas përmbytjeve të ditëve të fundit. Ai siguroi kryeministrin Berisha se qeveria e tij do të ndihmojë Shqipërinë me ndihma financiare, në mënyrë që siç tha ai, të tejkalohet katastrofa natyrore. Ndër të tjera, Kryeministri Pahor u shpreh se hapja e Ambasadës Sllovene në Tiranë është hap i rëndësishëm në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Berisha për

.. vizitën e kryeministrit slloven
“Kjo është një vizitë historike e kryeministrit Pahor në Shqipëri. Në këtë vizitë, kryeministri slloven vjen me qëllimin më kryesor të hapjes së një kapitulli të ri të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve dhe kombeve tona. Ai vjen për të hapur ambasadën e Republikës së Sllovenisë në Tiranë, ndërkohë që problemet ekonomike financiare, jo vetëm Slloveninë, por edhe shumë vende të tjera i kanë detyruar të mbyllin shumë e shumë ambasada në botë. Hapja e ambasadës sllovene në këtë kohë në Shqipëri dëshmon rëndësinë e madhe që kryeministri Pahor dhe qeveria sllovene iu kushtoi marrëdhënieve me Shqipërinë dhe perspektivës së këtyre marrëdhënieve”.

kufijtë me Kosovën…
“Ne besojmë se kufijtë aktualë të Ballkanit duhet të jenë të pandryshueshëm. Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm. Ka një dokument ndërkombëtar shumë të rëndësishëm që është rezoluta e OKB-së të votuar pothuaj nga të gjitha vendet e botës. Shqipëria mbetet e vendosur të përmirësojë marrëdhëniet me Serbinë në të gjitha fushat. Kemi vlerësuar heqjen e vizave nga Serbia për qytetarët shqiptarë dhe jemi të vendosur të punojmë intensivisht për marrëdhënie të reja, miqësore me këtë vend. Sllovenia është një avokat i rëndësishëm i përpjekjeve të Shqipërisë për integrimin në BE. Unë e garantova mikun tim duke patur vlerësimin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë për këtë mbështetje.

…ofertën e Ramës
“150 vjet më parë, Knjaz Nikolla, nga Mali i Zi, priti një mik në oborr dhe i tha që do të rrish 2-3 ditë këtu si mik imi. Ai u ndje i konfortuar në oborrin e Knjazit. Ditën e dytë ai i thotë – unë jam punëtor, nuk rri dot pa punuar. Knjazi i thotë – unë të kam mik dhe nuk ka nevojë të punosh, je në oborrin tim dhe je miku im. Pasdite ai i thotë përsëri Knjazit – Unë nuk rri dot pa punë, më hanë duart. Knjazi i thotë – po mirë, dil e shëtit në oborr, shih ndonjë zanatçi çfarë bën dhe ti bëj atë që të mundesh. Ai shëtiti dhe gjeti dikë që çante dru dhe i thotë – po të ndihmoj. Mirë, – i thotë ai, – urdhëro sëpatën. Jo jo, – i thotë ai, – sëpatës bjeri ti, unë po bëj ‘ëh’”.

Topalli: Buxheti s’ka nevojë për rishikim, janë parashikuar projekte gjigande
Kryetarja e Kuvendit në vijim të inspektimit orë pas ore të çdo lagjeje, fshati dhe komune të prekur nga përmbytjet, ishte dje në disa zona të Qarkut të Shkodrës. Kryetarja e Kuvendit tha se po punohet intensivisht, në mënyrë kapilare, që ndihmat të shkojnë të çdo banor dhe familje në nevojë. Ajo konfirmoi se ditët në vijim do të jenë nisja e një aksioni të madh pune për zbatimin e projekteve të Bypass të Shkodrës. Topalli falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në ndihmë të banorëve të Shkodrës, duke përmendur deputetët, bizneset, qytetarët, ndihmat nga jashtë etj. Lidhur me kërkesën e Ramës për buxhetin Topalli tha se “projekte gjigante janë parashikuar në këtë buxhet, jo vetëm për Shkodrën por dhe për qarqe të tjera. Janë projekte gjigante, projektet e By-passit, ai Skavicës; është projekt i kushtueshëm ai që do të avancojë për Bunën , pas asaj që është nënshkruar sot në Mal të Zi; Shumë projekte, janë përfshirë në këtë buxhet. Keqardhje e thellë që z.Rama nuk i la deputetët të votojnë për Shkodrën. Çdo gjë tjetër është thjesht që të shfrytëzojnë një fatkeqësi për interes politik privat, por kjo tashmë lexohet nga të gjithë. Nuk dua ta zgjas më shumë, sepse nuk mendoj dhe nuk ia vlen të humbasësh kohë me të, kur ka dhimbje, trishtim në shumë familje, kur ka fatkeqësi natyrore të këtyre përmasave shumë të rënda.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here