Home Aktualitet Gjykata e Strasburgut gjobit serish shtetin shqiptar

Gjykata e Strasburgut gjobit serish shtetin shqiptar

916
0

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut vazhdon të “gjobisë” qeverinë shqiptare për problemet me kthimin dhe kompensimin e pronave, penalizim ky që vazhdon t’i kushtojë shumë shtrenjtë shtetit shqiptar, por, sidomos të gjithë taksa-paguesve të vendit. Mesditën e djeshme, Gjykata e Strasburgut publikoi në faqen e saj zyrtare, penalizmin e radhës ndaj qeverisë shqiptare me një faturë që kap shifrën e 1.9 milionë euro. Këtë shumë sipas vendimit, qeveria duhet t’ia paguajë brenda tre muajve pjesëtarëve të familjes Vrioni për pronën e “uzurpuar” për ambasadën italiane në Tiranë. Ajo ende nuk i është kompensuar familjes dhe sipas vendimeve të tri shkallëve të gjyqësorit në vend, për arsye të keq menaxhimit të problemit të pronave nga autoritetet shtetërore këto 20 vitet e fundit. Gjykata e Strasburgut gjeti përsëri shkelje nga ana e shtetit shqiptar në marrëdhënie me individët dhe të drejtat e tyre të garantuara nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut. Tri çështje, për të cilat Gjykata e Strasburgut, pak muaj më parë i kishte evidentuar me shkelje nga ana e Shqipërisë, u publikuan mesditën e djeshme së bashku me ndëshkimin financiar që shteti shqiptar duhet t’iu paguajë individëve të përfshirë. Vendimi i parë është i çështjes “Vrioni e të tjerëve kundër Shqipërisë”, ku gjykata penalizoi Shqipërinë me 1.9 milionë euro. Më pas vjen çështja “Gjyli kundër Shqipërisë”, për të cilën u vendosi që qeveria shqiptare t’i paguajë 7200 euro për dëmin pasuror të shkaktuar, si dhe çështja “Mishgjoni kundër Shqipërisë” ku ish-gjyqtares do t’i paguhet si dëm shuma prej 3 mijë euro.

Vrioni dhe të tjerë kundër Shqipërisë
Kjo çështje lidhet me të drejtën e pronës dhe kompensimin e vlerës së saj. Ankuesit në këtë çështje, gjatë procedimeve të brendshme gjyqësore, kishin fituar të drejtën për t’iu kompensuar një pronë e cila ndodhet brenda territorit te Ambasadës Italiane në Tiranë. Në një vendim të 29 shtatorit 2009, Gjykata Europiane shpalli se kishte pasur një shkelje të nenit 6/1 (E drejta për një proces të rregullt gjyqësor), Nenit 13 (E drejta për një ankim efektiv) dhe të Nenit 1 të Protokollit Nr.1 të Konventës (mbrojtja e pronës). Sipas Gjykatës, autoritetet shqiptare nuk kanë ekzekutuar vendimin gjyqësor të formës së prerë të qershorit 2004, që iu njihte ankuesve të drejtën e kompensimit të pronës në vend të kthimit të saj në natyrë për shkak se prona u konsiderua e zënë nga Ambasada italiane. Në atë vendim, Gjykata e Strasburgut shpalli se nuk ishte ende gati për të përcaktuar vlerën e dëmit sipas Nenit 41 të Konventës. Gjykata iu dha mundësi palëve që brenda tre muajsh të gjenin zgjidhje me mirëkuptim për përcaktimin e vlerës së dëmit. Në këto kushte, çështja kaloi përsëri në Strasburg, ku me vendimin e djeshëm u përcaktua vlera 1,9 milionë euro për dëmin pasuror dhe jo pasuror në favor të ankuesve si rrjedhojë e mosekzekutimit të vendimit për kompensimin e pronës. Ky është vendimi me vlerën më të lartë financiare, me të cilën Gjykata Europiane penalizon Shqipërinë.

Rasti II
Gjyli kundër Shqipërisë
Ali Gjyli e dërgoi ankimin e tij në Strasburg, pasi atij nuk po i ekzekutoheshin nga autoritetet shqiptare vendimet e dy gjykatave, që urdhëronin rikthimin e tij në detyrën e Drejtorit të një qendre të trajnimit profesional në Durrës, si edhe pagesën e rrogave për periudhën e qëndrimit pa punë. Në vendimin e saj në shtator 2009, Gjykata Europiane gjeti shkelje të Nenit 6/1 dhe Nenit 13, ndërsa nuk u shpreh në lidhje me aplikimin e Nenit 41 të Konventës për përcaktimin e dëmit pasuror dhe jo pasuror. Edhe në këtë rast, iu la një afat tre mujor palëve për të zgjidhur çështjen e përcaktimit të dëmit që duhej paguar në favor të ankuesit. Gjatë negociatave, autoritetet e brendshme i paguan ankuesit pagat që i takonin por nuk pranuan të paguanin dëmin shtesë pasuror. Në vendimin e së martës, Gjykata vendosi që shteti shqiptar t’i paguajë ankuesit Gjyli 7200 euro dëm pasuror.

Rasti III
Mishgjoni kundër Shqipërisë
Ankuesja Mirela Mishgjoni ka qene gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Vlorë dhe është shkarkuar nga detyra në vitin 2002. Vendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë është lënë në fuqi nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, por, ky vendim në vitin 2004 është prishur dhe kthyer për rishqyrtim në KLD nga Gjykata Kushtetuese. Pas këtij vendimi, çështja në mënyrë të pajustifikuar ka mbetur pa u shqyrtuar në KLD për disa vjet. Në vitin 2008, KLD shqyrton çështjen dhe vendosi përsëri shkarkimin nga detyra të Mishgjonit, por, në Shkurt 2009, ky vendim u rrëzua nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë me argumentin se nuk mund të merrej masë administrative për një shkelje të pretenduar të kryer disa vite më parë pasi ajo kish humbur aktualitetin. Për rrjedhojë, Mishgjoni rikthehet në detyrën e saj si gjyqtare. Ajo u ankua në Strasburg, për të drejtën e pagimit të rrogës për periudhën e qëndrimit pa punë dhe për kohëzgjatje të pajustifikuar të procesit. Në vendimin e saj, Gjykata Europiane gjeti shkelje të Nenit 6/1 duke e konsideruar të pajustifikuar kohëzgjatjen e procedimit të saj nga KLD-ja, por, rrëzoi pretendimin e ankueses për pagimin e pagës. Për shkeljet e konstatuara, Gjykata i akordoi ankueses 2000 Euro si dëm jo pasuror dhe 1000 euro për kostot dhe shpenzimet gjyqësore.

Avokati Puto:
Vendimet e Strasburgut, këmbanë alarmi për qeverinë
“Qeveria duhet të marrë masa urgjente për të zbatuar rekomandimet dhe detyrimet e përcaktuara në vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për çështjen e pronave”. Kështu ka deklaruar dy vite më parë eksperti për çështjet e Gjykatës së Strasburgut avokat Sokol Puto gjatë një interviste për “Shekulli”-n, duke paralajmëruar autoritetet qeveritare se vendimet e dhëna ishin një këmbanë alarmi për qeverinë. Edhe pse kanë kaluar dy vite nga ajo kohë, qeveria nuk ka marrë asnjë masë efektive për të përmirësuar situatën lidhur me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Avokat Puto, edhe pak muaj më parë ka bërë thirrje që qeveria duhet të marrë masa urgjente për të shmangur penalizimet nga Gjykata Europiane. “Pika e dobët, mbetet ajo e çështjes së pronave dhe veçanërisht kompensimi i ish-pronarëve, të cilët edhe 15 vite pas miratimit të Ligjit të vitit 1993, nuk gjejnë zgjidhje në Shqipëri, te Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”- është shprehur avokat Puto, duke ritheksuar se mosmarrja e masave ligjore, administrative dhe financiare do të çojë padyshim në rritjen e vlerës së dëmshpërblimit financiar kundër Shqipërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here