Përzgjidhen pesë studio projektimi për fazën finale të konkursit ndërkombëtar për projektin e xhamisë së re dhe muzeut për bashkëjetesën dhe harmonin fetare. Kompanitë nga Danimarka, Spanja e Holanda janë përzgjedhur ndër 100 që morën pjesë në fazën e dytë të konkursit. Ato janë “Andreas Pere Ortega Madrid”, “Architecure, studio Paris”, “Big Copenhagen”, “Serach Amsterdam” dhe “Zaha Hadid Architecht”.
Kryetari i bashkisë Edi Rama, i pranishëm gjatë përzgjedhjes, deklaroi se studioja që do të fitojë projektin do të ruajë me fanatizëm historinë e godinës së xhamisë si dhe do të jetë simboli i bashkëjetesës fetare në Shqipëri.
“Besoj se në përzgjedhjen e jurisë ndërkombëtare kemi zgjedhur të duhurën, atë studio që do t’u përcjellë brezave një vepër që do t’u flasë brezave që do vijnë historinë e Tiranës, për pasurinë e këtij qyteti që është harmonia dhe bashkëjetesa fetare, në harmoni brenda një trekëndëshi që do të plotësohet mes 3 komuniteteve të mëdha, ku 2 katedrale dhe nje xhami përqafojnë qëndrën e Tiranës për t’i përcjellë botës një mesazh, tërësinë e komuniteteve që bashkëjetojnë në një popull me unitetin e qëllimeve të larta të të gjitha feve dhe parimeve dhe vlerave të këtyre 3 feve” tha Rama.
Projekti për xhaminë e re do t’u japi mundësinë besimtarëve myslimanë që të kryejnë ritet fetare normalisht dhe jo në rrugë siç i kryejnë sot, ndërsa muzeu i bashkëjetesës fetare do të jetë i pari i llojit të vet për vendin tonë. Sipas të dhënave teknike, xhamia do të ketë lartësi të njëjtë me Pallatin e Kulturës. Minareja mund ta kalojë këtë lartësi maksimale, por duhet të mbetet më e ulët se minareja e Xhamisë së Et’hem Beut dhe se Kulla e Sahatit. Xhamia e re do të ketë një sipërfaqe totale ndërtimi prej 17 135 m2 brenda një trualli prej 2930 m2 dhe arrin t’u shërbejë mbi 2500 besimtarëve. Elementët kryesorë të xhamisë do të jenë holli i faljes, biblioteka, salla shumë funksionale, salla e mbledhjeve, mjediset e shërbimit dhe parkimi nëntokësor.