Bashkimi Europian i kërkon Serbisë të heqë strukturat paralele në veri të vendit. Mediat serbe kanë trajtuar edhe sot kushtet që, siç raportojnë ato, i ka vendosur Bashkimi Europian Serbisë në raport me Kosovën. Drejtori menaxhues për Europën dhe Azinë Qendrore në Shërbimin Europian të Punëve të Jashtme, Mirosllav Lajçak, ka vënë tre kushte që duhet t`i përmbushë Serbia për të marrë datën e negociatave për anëtarësim në BE, deri në fund të vitit. “Ato janë të papranueshme”, citojnë mediat vendase, ministrin e Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç, i cili raportohet se është takuar me Lajçakun.
Sipas të njëjtit burim, njëri nga kushtet ka të bëjë me heqjen e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës, ndërsa tjetri me heqjen dorë nga politika “Edhe Europa, edhe Kosova”. Gjithashtu i njëjti burim saktëson se zyrtarët në Beograd i kanë refuzuar kërkesat. Autoritetet serbe këmbëngulin në politikën “Edhe Europa, edhe Kosova”, duke thënë se do të ndjekin edhe rrugën e integrimit, por edhe të “sovranitetit mbi Kosovën”.
Gjermania, kohë më parë, i ka kërkuar Beogradit të heqë dorë nga institucionet paralele në veri të Kosovës, si kusht për të avancuar në rrugën e integrimeve europiane. Ndërkaq lideri i Partisë Demokratike të Serbisë, boris Tadiç, është i shqetësuar nga këto kushte sa që heziton ta ketë postin e Kryeministrit të ri të Serbisë. Ndërsa Tomislav Nikoliç, presidenti i ri i Serbisë, i cili të enjten u takua gjithashtu me Lajçakun, ka thënë se nuk ka njohuri nëse BE gjatë rrugëtimit të Serbisë në Union do të kërkojë njohjen e pavarësisë së Kosovës.