ISSH: DATA E PERFITIMIT/ Brenda vitit ushtarakët do të mund të marrin në dorë pensionet e reja të rillogaritura. Gazeta boton të plotë vendimin e Qeverisë, që përcakton kriteret mbi të cilat do të llogaritet pensioni. Kushtet si do të vlerësohet vjetërsia në punë, ndarja e pagës referuese për efekt të llogaritjes së pensionit, si dhe rillogaritja e pensioneve sipas të gjitha kategorive. Qeveria: Deri në hartimin e neneve të reja, pensionet do llogariten sipas ligjit të vjetër. Flet nëndrejtori i ISSH: Ligji do aplikohet brenda 15 dhjetorit. Përfitimet shtesë nga 25 deri në 60%
Bëhet fjalë për vendimin, i cili do të bënte të zbatueshëm ligjin e miratuar një vit më parë për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve dhe të forcave të tjera nën uniformën e shtetit. Gazeta e boton sot të plotë pjesët kryesore të vendimit, që kanë të bëjnë me përcaktimin e vjetërsisë në punë, kusht që përcakton edhe sasinë e parave që do përfitohet, pagën referuesve, e cila përcakton pagën mbi të cilën do të bazohet pensioni si dhe rillogaritjen e përfitimeve të cilat bëhen me këtë ligj. E thënë me fjalë të thjeshta, të gjithë ushtarakët pas miratimit të këtij vendimi, mund ta bëjnë vetë llogaritjen e pagesës që do të përfitojnë, mjafton të shikojnë se çfarë kushtesh plotësojnë nga ato që ka vendimi. Duhet theksuar se pa këtë vendim, i cili hyn në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare, ligji i vjetshëm për pensionet e ushtarakëve nuk është akoma aktiv. Sipas relacionit të vendimit, për nenet e hedhura poshtë nga Kushtetuesja, pritet që të bëhen llogaritë dhe të përcaktohen edhe njëherë përfitimet pa tavan. Sipas relacionit, ky vendim i Qeverisë shërben për të përcaktuar qartë periudhën e shërbimit, kriteret e llogaritjes, procedurat e dokumentacionin bazë për dhënien e përfitimeve të reja dhe rillogariten e përfitimeve aktuale nga sigurimet shoqërore suplementare. Vendimi përcakton qartë kategoritë e përfituesve dhe dokumentacionin bazë për dhënien e përfitimeve, i cili është riformuluar e
rikonceptuar, krahasuar me atë ekzistues, sidomos në fushën e vendosjes së pagave referuese sipas periudhës së shërbimit në çdo funksion apo gradë. Sipas relacionit, “në ketë vendim janë parashikuar procedurat e rillogaritjes së përfitimeve të caktuara në bazë të dispozitave të legjislacionit të mëparshëm si dhe dokumentet që do të shoqërojnë këto procedura lidhur me zgjatjen e karrierës për çdo funksion ose gradë dhe pagën e përfituar sipas periudhave”.
Efektet financiare
Meqenëse, për shkak të shqyrtimit të këtij ligji nga Gjykata Kushtetuese janë krijuar vonesa në zbatimin e tij, vendimi zgjidh edhe çështjen e pagesave dhe përfitimeve të prapambetura nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ndërkohë efektet financiare të parashikuara në këtë vendim do të ripërcaktohen për shkak të rillogaritjes së përfitimeve, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Deri në fillimin e zbatimit të nenit 14 të ndryshuar, përfitimet dhe efektet financiare që rrjedhin prej tyre parashikohet të llogariten dhe zbatohen sipas ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009, pa ndryshimet. “Efektet financiare, lidhur me pensionet suplementare të ushtarakëve që kanë përfituar pension pleqërie para vitit 1991, parashikohen rreth 35 milionë lekë në muaj, ndërkohe që do të vazhdojnë të trajtohen dhe të rillogariten pensionet aktuale të parakohshme për 9603 ushtarakë, të cilët kanë përfituar nga ligji i mëparshëm, 382 ish-policë si dhe 4761 pensione suplementare të njohura aktualisht si dhe përfitimet e reja me efekt financiar rreth 30 milionë lekë në muaj. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare dhe parashikohet të shtrijë efektet financiare nga data e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë se Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në RSH, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe Shërbimit Informativ Kombëtar”.
Vendimi per pensionet e ushtarakeve
VENDIM PËR ZBATIMIN E LIGJIT NR.10 142, DATË 15.5.2009, “PËR SIGURIMIN SHOQËROR SUPLEMENTAR TË USHTARAKËVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA, TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, TË GARDËS SË REPUBLIKËS, TË SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT, TË POLICISË SË BURGJEVE, TË POLICISË SË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE TË SHPËTIMIT E TË PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT TË KONTROLLIT TË BRENDSHËM NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Përcaktimin, në zbatim të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, të vjetërsisë në shërbim, të pagës referuese, të procedurave të përfitimeve, të dokumentacionit, të kontributeve dhe të periudhave të sigurimit e të financimit të përfitimeve, si më poshtë vijon:
VJETËRSIA NË SHËRBIM
A. Njihet si vjetërsi në shërbim:
1. Periudha nga data e titullimit oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist, në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, deri në datën e daljes në rezervë ose lirim.
2. Koha e kryerjes së studimeve, brenda dhe jashtë vendit, pas përfundimit të shkollës së lartë ushtarake ose të Akademisë së Rendit.
3. Periudha e shërbimit si punonjës i Policisë së Shtetit, nga grada më e ulët e nivelit zbatues në gradën më të lartë në nivelin drejtues e deri në daljen në rezervë ose lirim.
4. Koha e qëndrimit në dispozicion për shkak të pritjes për sistemim në një funksion tjetër vetëm kur personi është trajtuar me pagën sipas gradës.
5. Periudha e punës si ushtarak në strukturat e Policisë së Kufirit dhe të Gardës së Republikës, kur ato ishin pjesë e Forcave të Armatosura.
6. Periudha e punës me statusin e punonjësit të Gardës së Republikës, si gardist, punonjës i Gardës nga niveli i ulët në nivelin madhor deri në datën e daljes në rezervë ose lirim.
7. Periudha e punës në strukturat e Ministrisë së Brendshme ose të Ministrisë së Rendit Publik, si punonjës me status policor.
8. Periudha kur punonjësi i Policisë, SHKB-së, Gardës, SHISH-it, Policisë së Burgjeve dhe Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit ka punuar si ushtarak i shërbimit aktiv të përhershëm.
9. Periudha e punës si punonjës i Shërbimit Informativ të Shtetit nga fillimi si punonjës në detyrë e deri në lirim nga detyra.
10. Periudha e punës si punonjës i Shërbimit Informativ të Ushtrisë.
11. Periudha e shërbimit si punonjës i PMNZSH-së, nga grada më e ulët e nivelit bazë në gradën më të lartë në nivelin madhor, deri në daljen në rezervë ose lirim.
12. Periudha e shërbimit si punonjës i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, nga grada më e ulët e nivelit bazë në gradën më të lartë në nivelin madhor deri në daljen në rezervë ose lirim.
13. Periudha e shërbimit si punonjës i Policisë së Burgjeve, nga data e fillimit të shërbimit deri në daljen në rezervë ose lirim.
14. Koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të një urdhri të padrejtë të deklaruar me vendim gjykate.
15. Koha e plotë e vuajtjes së dënimit me burgim pas titullimit në karrierë nga personat që kanë shërbyer në strukturat e përcaktuara në këtë ligj, kur kanë përfituar sipas ligjit nr.7514, datë 30.9.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”.
B. Njihet periudha e punës e kaluar në sektorët civilë nga specialistë të profesioneve shumë të veçanta, të kërkuara nga strukturat e Policisë së Shtetit ose të Gardës së Republikës, vjetërsi shërbimi sa gjysma e saj. Lista e profesioneve me specifikë të veçantë, të kërkuara në strukturat e Policisë së Shtetit ose të Gardës së Republikës i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
C. Njihet si vjetërsi shërbimi me 1.5-fishin koha e shërbimit në disa funksione organike, me specifikë të veçantë vështirësie, për efekte të plotësimit të kushteve për lindjen e së drejtës për të përfituar nga sigurimet suplementare. Lista e funksioneve i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ç. Për efekt të zbatimit të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, vjetërsia e shërbimit, e përcaktuar sipas pikave 1 e 2, të shkronjës ‘A’, të këtij kreu, si dhe periudha kontributeve bashkohen dhe pas bashkimit njihen vetëm vitet e plota.
PAGA REFERUESE
Në mbështetje të nenit 4 dhe për zbatimin e neneve 12, 13, 14, 16, 18 e 26, të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, pagat referuese të njehsuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën janë, si më poshtë vijon:
A. Pagë mujore referuese është paga bazë mujore për gradë dhe shtesat mbi pagë me karakter të përhershëm ose paga bazë mujore për funksion dhe shtesat, që zbatohet për të njëjtën gradë a funksion, në datën kur personave përfitues u lind e drejta për përfitim.
B. Paga mesatare referuese mujore për të gjithë karrierën llogaritet si shumë e produktit të numrit të muajve të qëndrimit në çdo gradë a funksion me pagën referuese të përcaktuar të shkronjës “A”, të këtij kreu, pjesëtuar me numrin total të muajve të qëndrimit në çdo gradë apo funksion. Vjetërsia e shërbimit në çdo gradë a funksion përgjatë karrierës, pagat respektive referuese sipas gradës a funksionit dhe paga mesatare referuese mujore evidentohen në formularët bashkëlidhur këtij vendimi ku janë përcaktuar edhe rregullat e plotësimit e të arkivimit. Paga mesatare mujore për të gjithë karrierën llogaritet në bazë të pagës ditore. Për llogaritjen e pagës ditore referuese dhe të pagës mesatare mujore referuese muaji merret me 30 (tridhjetë) ditë.
C. Paga referuese mujore për vjetërsinë në shërbim, përcaktuar në kreun e I, shkronja “A”, pikat 4, 14 dhe 15, merret e njehsuar sipas gradës apo funksionit që kishin personat, deri në çastin e ndërprerjes së karrierës.
Ç. Paga referuese mujore për vjetërsinë në shërbim, e përcaktuar në kreun e I, shkronja “B”, merret e njehsuar sipas gradës apo funksionit që i jepet personit, në çastin e fillimit të karrierës në strukturat e Policisë së Shtetit ose të Gardës së Republikës.
D. Paga referuese e përfituesit, në çastin e lindjes të së drejtës për përfitim, për funksionet ose gradat që nuk ekzistojnë, përcaktohet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, të ministrit të Brendshëm, të ministrit të Drejtësisë, të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të komandantit të Gardës së Republikës dhe drejtorit të SHISH-it. Në urdhër evidentohen funksionet që kishte personi përfitues, funksionet apo gradat me të cilat njehsohen ato, si dhe paga referuese e funksionit apo gradës në çastin e lindjes të së drejtës për një përfitim. Urdhri, në bazë të të cilit plotësohet dokumentacioni i përcaktuar për efekt të përfitimeve suplementare, arkivohet në arkivin e institucionit përkatës.
DH. Paga mesatare referuese për funksionet organike me specifikë të veçantë ku vjetërsia në shërbim, bazuar në pikën 5, të nenit 3, të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, merret me 1.5-fish, llogaritet në bazë të pagës referuese e të periudhës faktike të shërbimit.
RILLOGARITJA E PËRFITIMEVE
Në mbështetje të paragrafit të tretë, të pikës 2, të nenit 23, dhe për zbatimin e pikës 2, të nenit 29, të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, rillogaritja e pensioneve do të bëhet, si më poshtë vijon: (mbështetet)
A. Për pensionet e pleqërisë, të caktuara sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar:
1. Paga, sipas së cilës është llogaritur trajtimi financiar në përputhje me vendimet nr.225, datë 29.5.1992, dhe nr.7, datë 10.1.1996, të Këshillit të Ministrave, kur zgjidhet nga ushtaraku, merret edhe si pagë bruto e 3 (tre) viteve rresht në dhjetë vitet e fundit të punës, për efekt të rillogaritjes së pensionit të pleqërisë dhe të pensionit suplementar.
2. Për pagat që i përkasin periudhës para datës 1.1.1994, të cilat pas indeksimit me indekset e përcaktuara nga Ministria e Financave për atë periudhë rezultojnë më të vogla se pagat referuese të përcaktuara me vendimin nr.561, datë 12.8.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për caktimin e pagave referuese për llogaritjen e pensioneve”, për efekt të rillogaritjes së pensionit të pleqërisë, si pagë bruto merret paga referuese përkatëse sipas përcaktimeve të bëra në vendimin nr.561, datë 12.8.2005, të Këshillit të Ministrave.
3. Përveç rregullave të përcaktuara në pikat 1 dhe 2 më sipër, do të zbatohen edhe rregullat e caktuara në ligjin nr.9588, datë 25.7.2006, “Për rillogaritjen e pensioneve” dhe në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave për zbatimin e atij ligji, për efekt të rillogaritjes së pensionit të pleqërisë sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar dhe për rillogaritjen e pensioneve suplementare, bazuar në ligjin nr.10142, datë 15.5.2009.
4. Instituti i Sigurimeve Shoqërore nxjerr udhëzim teknik për procedurat e rillogaritjes së pensionit të pleqërisë dhe të pensioneve suplementare.
B. Për pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe për pensionet suplementare të caktuara sipas ligjeve nr.8087, datë 13.3.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakeve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nr.8661, datë 18.9.2000, “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit” do të veprohet, si më poshtë vijon:
1. Vjetërsia në shërbim është ajo e pasqyruar në formularin tip, që administrohet në dosjen e pensionit dhe mbi bazë të së cilës është llogaritur pensioni i parakohshëm ose suplementar, sipas dispozitave të ligjeve nr.8087, datë 13.3.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nr.8661, datë 18.9.2000, “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”.
2. Paga referuese do të llogaritet në bazë të rregullave të përcaktuara në kapitullin II të këtij vendimi. Formulari që evidenton pagën referuese mesatare, sipas viteve të shërbimit dhe rregullat e plotësimit të tij janë ato të përcaktuara në kapitullin III të këtij vendimi. Formulari që evidenton kontributet e përcaktuara dhe rregullat e plotësimit janë ato të përcaktuara në kapitullin III, të këtij vendimi.
3. Procedura e rillogaritjes dhe e lëvizjes së informacionit do të jetë si më poshtë vijon:
a. Drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore, me shkresë përcjellëse edhe në rrugë postare, do t’i dërgojnë institucionit, që ka urdhëruar daljen në rezervë apo lirim të personit, listat emërore (emër, atësi, mbiemër, datëlindje) për çdo përfitues, të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe për çdo përfitues të pensionit suplementar, të caktuara përpara datës 27 qershor 2009 e që vijojnë të përfitohen edhe pas kësaj date.
b. Institucionet e linjës, në bashkëpunim ndërmjet tyre, për rastet kur ushtarakët kanë kryer funksione në struktura të ndryshme, brenda 1 (një) muaji nga data e mbërritjes me postë të listës emërore të personave, plotësojnë formularin tip të periudhës së shërbimit dhe të pagës mesatare, të cilin ia përcjellin strukturës rajonale të sigurimeve shoqërore (DRSSH) që ka iniciuar procedurën e rillogaritjes së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.
c. Drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e mbërritjes në rrugë postare të dokumentacionit individual përfundojnë rillogaritjen e përfitimit, llogarisin diferencat, zbatojnë procedurat ligjore të evadimit të tyre dhe njoftojnë zyrtarisht përfituesin, duke dërguar edhe dokumentacionin përfundimtar për realizimin e pagesës mujore.
4. Përfitimet e ndërprera për shkak të punësimit, vetëpunësimit dhe vetëpunësimit në bujqësi, para datës së hyrjes në fuqi të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, do të jenë objekt i rillogaritjeve sipas rregullave të përcaktuara më lart dhe do të vihen në kufirin e pagesës sa masa e një pensioni bazë, të përcaktuar me vendimin e Këshillit të Ministrave në datën e hyrjes në fuqi atij ligji. Në rastet e një kërkese për përfitimin e pensionit të plotë të parakohshëm, pasi është ndërprerë veprimtaria ekonomike, do të zbatohen rregullat e përcaktuara në shkronjën “F”, të kreut III, të këtij vendimi.
5. Për personat, të cilëve u ka lindur e drejta për pension për vjetërsi shërbimi, përpara datës së hyrjes në fuqi të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, kohëzgjatja e periudhës së shërbimit, për efekt përfitimi, mbetet ajo e kërkuar nga dispozitat e mëparshme.
C. Rregullat e rillogaritjes për pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi janë, si më poshtë vijon:
1. Masa fillestare e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të caktuar do të rillogaritet sipas kritereve të përcaktuara në pikën 1, të nenit 14, të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009 dhe pas këtij veprimi, vendoset deri në kufijtë e përcaktuar në pikën 2, të atij neni. Mbi këtë masë përfitimi zbatohen koeficientet e rritjes apo të indeksimit të pensionit, sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit të sipërpërmendur dhe shuma që del vlerësohet si shumë përfundimtare e pensionit dhe u dërgohet për t’u paguar qendrave paguese.
2. Për efekt të rillogaritjes së masës fillestare të pensionit të parakohshëm si pagë mujore mesatare referuese më e fundit do të jetë:
a. Paga referuese e datës 1 janar 1999, ( data e shtrirjes së efekteve financiare të ligjit nr.8087, i ndryshuar) për ata persona, të cilët kanë dalë në rezervë/lirim para kësaj date dhe kanë përfituar pension të parakohshëm nga kjo datë e në vazhdim.
b. Paga referuese në datën kur ka lindur e drejta për të përfituar pension të parakohshëm, për ata persona të cilët kanë dalë në rezervë/lirim para datës 1 janar 1999, por kanë plotësuar kushtin e moshës, pas kësaj date.
c. Paga referuese në datën kur ka lindur e drejta për të përfituar pension të parakohshëm, për ata persona të cilët kanë dalë në rezervë/lirim pas datës 1 janar 1999.
D. Rregullat e rillogaritjes për pensionin suplementar janë si më poshtë vijon:
1. Masa fillestare e pensionit suplementar të caktuar do të rillogaritet sipas kritereve të përcaktuara në nenet 16, 18 dhe 20 të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, në përputhje me llojin e të drejtës. Mbi këtë masë fillestare përfitimi zbatohen koeficientet e rritjes apo të indeksimit të pensionit, sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe shuma që del vlerësohet si shumë përfundimtare dhe u dërgohet për t’u paguar qendrave paguese.
2. Për efekt të rillogaritjes së masës fillestare të pensionit suplementar, çasti i llogaritjes së pagës mujore mesatare referuese më të fundit do të jetë sipas përcaktimeve të bëra në pikën 2, shkronja “C”, të këtij kreu.
3. Kur pensioni i pleqërisë është rillogaritur sipas kritereve të përcaktuara në ligjin nr.9588, datë 25.7.2006, “Për rillogaritjen e pensioneve” dhe sipas kritereve të përcaktuara në shkronjën “A”, të kreut V, të këtij vendimi, masa e pensionit suplementar vihet në kufirin deri në 50% të masës së pensionit të caktuar nga ligji nr.7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar në datën e hyrjes në fuqi të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009.