Oficeri i krimeve që dyshohet të ketë liruar Dritan Demirajn nga qelitë e Komisariatit numër 2 të Policisë së Tiranës, është përjashtuar nga Policia e Shtetit për një tjetër shkelje të rëndë.
Lajmi konfirmohet nga burime pranë Ministrisë së Brendshme, sipas të cilave oficeri me inicialet L.F., është përjashtuar nga policia në 25 prill për zhdukjen e një pistolete që ishte e sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Oficeri dyshohet të jetë përfshirë në ngjarjet që pasuan tentativën e parë të vrasjes së Klaudio Dines, nga djali i hallës së tij, Dritan Demiraj.
Ky i fundit me pretendimin se kushëriri i tij kishte kryer marrëdhënie seksuale me gruan e tij italiane, në korrik tentoi ta vrasë në banesën në Tiranë.
Demiraj u arrestua nga policia pas ngjarjes, po u lirua në më pak se 16 orë.
Vetë Demiraj ka pranuar për prokurorët e Riminit, se në komisariat kishte rastisur me oficerin e policisë me iniciale L.F., me të cilin kishte qenë shok në një ekip boksi në Tiranë. Oficeri e ndihmoi të dalë.
Pas kësaj në dhjetor, Demiraj kryen një tjetër tentativë për vrasjen e kushëririt, ndërsa në fund të shkurtit dhe në fillim të marsit vret bashkëjetuesen italiane Lidia Nusdorfi dhe të dashurin e saj italian Silvio Mannina.
Në deklaratën për Prokurorët e Riminit, Demiraj ka thënë se në komisariat kur ndodhej i shoqëruar ka takuar një shok të tij të ekipit të boksit që ishte bërë oficer i lartë krimesh. Ky i fundit kishte gjetur dhe një foto ku ata kishin dalë bashkë në palestrën e boksit dhe më pas e kishte lënë të lirë. I njëjti fakt konfirmohet edhe nga Idai Dine, dajoja i Demirajt, dhe babai i Klaudios. Në një intervistë eksluzive për “Shqiptarja.com” dhe “A1Report”, Idaiu shprehet se nipi i tij ka dalë në më pak se 16 orë izolim në Komisariatin Nr.2, edhe pse e ka sharë e ka goditur me shishe birre në shtëpi, madje edhe e kërcënuar për orë të tëra dhe në komisariat. Por, edhe pasi është liruar Demiraj ka vijuar t’i bëjë atij kërcënime me jetë për familjen duke i pranuar dhe mbështetjen që kishte nga shoku i tij oficer policie. Pesë muaj më pas Demiraj do të kthehej sërish tek familja e dajos dhe të qëllonte 3 herë me pistoletë në drejtim të Klaudios por fatmirësisht pa e goditur atë. Dhe shtatë muaj nga lirimi i tij në komisariat ka përbushur planin e hakmarrjes, duke vrarë në fund të shkurtit bashkëjetuesen Nusdorfi dhe një ditëmë pas të dashurin e saj italian. Idai Dine është vendosur nga Vlora në Tiranë në vitin 1989 dhe ka një jetë që punon si bukëpjekës.
Flet babai i kushëririt ‘të pabesë’
Zoti Idai,çfarë ka ndodhur mes jush dhe nipit tuaj Dritanit?
Në 23 korrik më mori në telefon Dritani dhe më njoftoi se do vinte të më takonte për një sqarim. Ishte pas mesnate dhe unë isha në punë, pasi punoj natën në një furrë buke. Mora leje dhe erdha. Dritani më mori në telefon sërish dhe këtu e solli tezja e tij që është dhe motra ime.
Çfarë ndodhi kur u takuat?
Ai erdhi brenda, ishte me një person tjetër që mbante një çantë. Sa erdhi na mbylli dyer dhe dritare dhe na mbylli brenda. Filloi të shante me fjalë nga më të rëndat. Tregonte çantën dhe na thoshte të zgjidhnim me se të na vriste, me thikë apo armë. Mua më tha kam ardhur të të marr gruan ose vajzën dhe qëlloi djalin me një shishe birre që kishte në dorë. E çau në tre vënde në kokë dhe në dorë. Djali e ka dhe sot një gisht dore që nuk e komandon dot nga ajo natë. Mua më ra të fikët. Gruaja mundi të shtyjë derën dhe të dalë të kërkojë ndihmë. Këtu u mblodh lagjja dhe ai u detyrua të ikte. Erdhi dhe policia dhe na gjeti të gjakosur dhe shtëpinë gjithë gjak. Nisën ta kërkonin Dritanin që e kishin kapur më pas te Pallati me Shigjeta.
Çfarë ndodhi në komisariat?
Aty na mori deklarimet një oficere femër. Aty e pamë dhe Dritanin që më kërcënoi në sy të policëve se do na vriste mua dhe djalin
Po policët nuk reaguan?
I folën, por ai nuk pushonte. Oficerja kontrolloi në kompjuter dhe pa që kishte prerë nga Italia biletë vajtje-ardhje vetëm me një ditë qëndrimi në Shqipëri. I tha ta mbyllte gojën se ai kishte ardhur enkas për të na vrarë.Pastaj unë me oficeren shkuam te djali në spital dhe nuk e pashë më. Bëmë ekspertizat dhe në orën 4:00 në mëngjes u kthyem në shtëpi.
Po me Dritanin çfarë u bë, mësuat gjë?
Kur do iknim oficerja që na mori në pyetje na tha se çështja do i kalonte një oficeri të krimeve. Po nuk ka kaluar shumë dhe në orën 15:00 pasdite Dritani më mori në telefon.I thashë se ç’ne që po më telefon por mu përgjigj se ishte në Vlorë dhe se ishte liruar. Në komisariat kishte gjetur një shok të ekipit të boksit dhe se ne nuk i bënim dot gjë.
Po kërcënime të tjera a keni patur?
Ato tre ditë që pasuan ishin të tmerrshme. Na merrte çdo ditë në telefon dhe thoshte ta puthnim djalin për herë të fundit se do e vriste. E motra e tij merrte vajzën tonë në telefon dhe thoshte se po të mos na vriste dot Dritani do na vriste ajo.
Po përse e kishin këtë inat të madh me ju?
Ai e akuzonte Klaudion për të shoqen. Unë kam lexuar gazetën tuaj. Kam folur dhe me djalin. Janë të njëjtat gjëra që keni nxjerrë ju.
Kur e ka zanafillën ky konflikt?
Djali shkoi një periudhë në Itali. Gati 5 muaj. Qëndroi në shtëpinë e Dritanit, por nuk gjeti punë atje. Kur u kthye, e mbajti motra ime që është mamaja e Dritanit në shtëpinë e tyre në Vlorë. Në atë kohë atje ishte dhe nusja e Dritanit. Ajo kishte 2 fëmijë, njëri ishte i Dritanit.
Sa vazhduan kërcënimet?
Ditën e tretë gruaja ime shkoi në Komisariat. Qëlloi që e mori Dritani në telefon dhe atë e hapi një oficer policie i komisariatit. Ai shau dhe kërcënoi si gjithmonë duke thënë se do na vriste me antitank. Atëherë polici iu prezantua dhe i tha: “Ore Dritan ne të lamë të lirë që t’i mbyllje këto muhabete me dajon po ti nuk ke pse vjen këtu me antitank se vijmë ne dhe të marrim në Vlorë”. Më pas Dritani kërkoi të takohej prapë me ne. Erdhi nga Vlora me makinë dhe më tha se do e mbyllte këtë muhabet. Ne në punën tonë ai në të veten dhe nuk do kishim më të bënim me njëri-tjetrin. Na kërkoi të firmosnim dhe një deklaratë në Prokurori por ata të prokurorisë nuk e pranuan fare dicka të tillë. Kur po iknim me makinë na tha: Ju fus këtu nga një plumb dhe iki.
A ju ka kërcënuar më?
Nuk kaloi shumë dhe na mori dhe na tha të mbyllnim të gjitha internete etj. Dhe vazhdonte na kërcënonte në telefon derisa u detyruam të ndërronim numrat e telefonit të gruas, Klaudios dhe vajzës.
Kur e keni parë sërish Klaudion?
Natën e vitit të ri në 31 dhjetor, ai i kishte ngritur pritë djalit. Një shok e nxori djalin nga shtëpia duke i kërkuar t’i çonte një xhup te stacioni i urbanit. Kur doli djali nga shtëpia Dritani bashkë me një tjetër ndodheshin brenda në makinë te rrugica por siç duket nuk e kanë parë. Kur u kthye e panë. Dritani ka dalë nga makina duke mbushur pistoletën dhe ka qëlluar 3 herë. Deshi zoti që djali të shpëtonte dhe të ikte me vrap. Më vonë më tregoi se ishte larguar nga një drejtim tjetër dhe nuk erdhi në shtëpi edhe pse ishte afër. Kishte frikë djali se Dritani hynte në shtëpi dhe do bënte masakër. Djali kërkoi ndihmë në komisariat. Fillimisht qeshën me të, por kur e panë se e kishte seriozisht kanë ardhur dhe forca speciale këtu. Gjetën 3 gëzhojat, na thanë se ishin “Zastava”.
A mësuat çfarë ndodhi me Dritanin?
Të nesërmen shkuam prapë në polici. Na thanë që Dritani ishte shpallur në kërkim dhe nuk do na bënte gjë më. Aty mësuam se kishte mundur të dilte nga kufiri në “Qafë Botë” për në Greqi, për shkak se kishte mundur të dilte para se të hidhej urdhëri i kërkimit në sistem qe të mund të
ndalej atje.
Po djali ku është?
Në Tiranë rri, në shtëpi. Ka gjetur një punë këto ditë ku qëndron shumicën e ditës.