Rastësi e bukur është cilësuar nga kryeministri Edi Rama, që Dita e Punëtorëve, 1 Maji, qëlloi e enjte. “Në vend se të humbisnim kohën në Parlament, jemi këtu të flasim për punën”, tha kreu i qeverisë në fjalën mbajtur në Panairin e Punës 2014 në Pallatin e Kongreseve.
Kryeministri zgjodhi këtë ditë për të prezantuar Fondin e Punësimit prej 2.7 milionë dollarësh me 6 programe të veçanta për nxitjen e punësimit të cilat prekin kategori të ndryshme të shoqërisë, si për gratë dhe vajzat, të sapodiplomuarit, njerëzit në vështirësi ekonomike dhe ata me aftësi të kufizuara.
“Me këtë fond jemi të gatshëm të krijojmë kushtet për mbi 3700 vende pune. Kemi krijuar mekanizma për ta vënë në lëvizje këtë fond”, – tha Rama.
Kryeministri Rama dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj, të cilët vizituan Panairin e Punës 2014 në ditën e dytë të tij, thanë njëzëri se ky panair ofron mbi 6 mijë vende të reja pune. Tendenca sipas tyre, nuk duhet të jetë vetë për t’u punësuar drejtorë ekzekutivë dhe inxhinierë, por edhe për mjekë e infermierë në spitale private, në industrinë ushqimore, call center e të tjera.
“Kam parë që me cinizëm ka jo pak të rinj që thonë pse në call center do punojmë, kuptohet se mes punës në call center dhe pensionit të një drejtori që nuk shkon as në punë, normalisht tendeca është drejt së dytës, por Shqipëria nuk do të bëjë hapa prapa. Mos prisni në shtëpi që të vijë qeveria të të gjejë punë. Në BE numri mesatar për të gjetur punë është 30 aplikime për të bërë një intervistë pune. Kjo është lufta e sotme e të gjithë punëkërkuesve”, tha kryeministri Rama.
Kryeministri Rama tha se në 6 muaj janë krijuar 25 mijë vende pune dhe kjo sipas tij është e vërtetuar në listën e sigurimeve shoqërore, ndërsa u angazhua se ko shifër do të dyfishohet brenda këtij viti.
“Qeveria e kaluar nuk na la vetëm borxhin në formën e parasë, por të një borxhi moral që ka bërë që sipërmarrja të ndjehet si në dhe’ të huaj. Ne kemi marrë përsipër ta ndryshojmë këtë marrëdhënie dhe t’i japim sipërmarrjes mbështetjen që meriton. Nuk është shteti që krijon vende pune, por sipërmarrja. Ne duhet të krijojmë kushtet që sipërmarrja të jetë e lire”, përfundoi Edi Rama
Ministri Veliaj tha se ndryshe nga vitet e kaluara ku sipas tij shpenzoheshin 500 mijë euro për të organizuar koncerte për 1 Majin, këtë radhë Panairi i Punës vjen pa kosto për taksapaguesin, por me ndihmën e biznesit.
Ministri tha se Fondi i Punësimit prej 2.7 milionë dollar do të shpërndahet me prioritet në Veri të Shqipërisë dhe në zonat rurale.
Ai prezantoi programet për nxitjen e punësimit.
JA KUSH PERFITON NGA FONDI I PUNESIMIT
Program i parë për nxitjen e punësimit për punëkërkuesit e rinj të papunë. Do të paguajmë 4 muaj pagat e tyre dhe 12 muaj sigurimet e tyre të plota.
Programi i dytë, për punësimin për gratë dhe vajzat, do të paguajmë pagën e 5, 6 11 dhe 12, dhe të 12 muajt e plotë të sigurimeve shoqërore.
Do të shpërblejmë ato kompani që punësojnë njerëz që janë me ndihmë ekonomike, i japim 4 paga dhe 12 muaj sigurime shoqërore atyre që shkëputen nga ndihma ekonomike.
Nxitja e punësimit për ata që trajnohen në vendin e punës për t’u paguar kohën e trajnimit, mbulojmë 70 % të pagës të atyre që po trajnohen, kur kompania është e mesme, dhe 50 kur është e madhe.
Për të sapodiplomuarit, për të gjithë që do të kenë një praktikë prej 6 muaj, ekuivalentin e papunësisë do ta japim si rrogë për ta për 6 muajt e praktikës
Programi për punësimin e personave me aftësi të kufizuar, paguan për 6 muaj rrogën e plotë, 6 muajt e dytë gjysmën e rrogës. Japim 1 milionë deri 2 milionë lekë për çdo kompani që të krijojë kushtet për punësimin e tyre.