Home Aktualitet Tjeter aksident i rende ne Sarandë, dite tragjike, 11 të vdekur 7...

Tjeter aksident i rende ne Sarandë, dite tragjike, 11 të vdekur 7 të plagosur

655
0

aksident-rrugorDy aksidente tragjike me 11 viktima, kanë tronditur opinionin publik këtë të shtunë. Rreth orës 06:30 të mëngjesit të sotëm, një furgon me pasagjerë ka rënë në një humnerë në aksin rrugor Kukës- Shishtavec. Për pasojë 6 persona kanë humbur jetën dhe 7 të tjerë janë plagosur. Pas ngjarjes së rëndë në Kukës, një tjetër aksident ka ndodhur në Sarandë, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën në vendin e quajtur ura e Bogazit. Pesë persona humbën jetën, duke e çuar në 11 numrin e viktimave brenda një dite.

AKSIDENT NË VENDIN E QUAJTUR URA E BOGAZIT NË SARANDË, 5 TË VDEKUR
Ora 16:20 – Pesë persona kanë humbur jetën pasditen e sotme në Sarandë, si pasojë e përplasjes së dy automjeteve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 16:00 në vendin e quajtur ura e Bogazit në Sarandë, ku dy automjete janë përplasur për shkaqe ende të panjohura.

Momentalisht bëhet e ditur se një prej viktimave është ish-valltari i njohur i Konispolit, Taip Madani. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit. (vijon)

AKSIDENT TRAGJIK NE KUKES, 6 TE VDEKUR, 7 TE PLAGOSUR
Ora: 15:00 – Një aksident tragjik ka ndodhur rreth orës 06:30 të mëngjesit të sotëm në aksin Kukës-Shishtavec. Një furgon i linjës me 13 pasagjerë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një humnerë prej më tepër se 100 metra.

Nga ngjarja, 6 persona kanë humbur jetën dhe 7 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Aksidenti ka ndodhur tek vendi i quajtur “Ura e Topojanit”. Drejt vendit të ngjarjes janë nisur edhe dy helikopterë të cilët do të transportojnë të plagosurit drejt Tiranës.

Nga policia bëhet me dije se në humnerë ka rënë furgoni me targë AA870FY. Shkak dyshohet të ketë qenë shpejtesia tej normave të lejuara.

Policia bën me dije se në aksident kanë humbur jetën shtetasit Feim Biba, Zykri Shehu, Zamir Karanxha, Bashkim Çuni dhe Linda Çuni. Shefi i Urgjencës së spitalit të Kuksit, Astrit Tota bën me dije se në ambientet e këtij spitali ndodhen tre persona që kanë humbur jetën, Bashkim Çuni, Linda Çuni dhe 22- vjeçarja Meleqe Serani, kjo e fundit ka humbur jetën vetëm pak minuta më parë. Tota theksoi se një nga viktimat, Linda Çuni ishte shtatzanë. Raportohet se mes viktimave është edhe drejtuesi i furgonit.

Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur Xhevahir Çuni, Petrit Mustafa, Rusem Biba dhe Zyhrie Kovaçi, të cilët ndodhen në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë. Në furgon ka qenë edhe një vajzë 3 vjeçare D.Kovaçi, si dhe shtetasi Hali Serani të cilët nuk kanë pësuar dëmtime dhe ndodhen në fshatin Topojan në gjendje të mirë shëndetësore. Ata janë marrë nga banorët menjëherë pas aksidentit, prandaj nuk figuronin në asnjë spital. Ndërkohë në spitalin e Kukësit  i plagosur, por jashtë rrezikut për jetën ndodhet vetëm Servet Hoxha.

Roja i njërit prej Hidrocentraleve aty pranë ka parë furgonin të dalë nga rruga. Sipas tij mjeti është përplasur disa herë nëpër shkëmbinj për shkak të terrenit shumë të thyer. Ai ka qënë i pari që ka lajmëruar policinë për aksidentin.

Avokati i Popullit Igli Totozani vizitoi në spitalin ushtarak te plagosurit në aksidentin tragjik në Kukës, ku u interesua për gjendjen e tyre shendetesore.

MJEKËT E SPITALIT JAPIN TË DHËNA PËR GJENDJEN E 4 TË PLAGOSURVE
Ora 13:00-
 Mjekët e Spitalit të Traumës kanë dhënë detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të 4 të plagosurve. Sipas mjekëve Petrit Mustafa dhe Rustem Biba kanë dëmtime të rënda të vertebrës. I aksidentuari Xhevahir Çuni është duke u operuar. Ndërsa Hyrie Kovaçi është në gjendje të mirë shëndetësore.

DY TË PLAGOSURIT NË GJENDJE KOME I NËNSHTROHEN NJË OPERACIONI TË DYTË
Ora 12:25- Mjekët e Spitalit të Traumës bëjnë me dije se dy të plagosurit Xhevahir Çuni dhe Petrit Mustafa do ti nënshtrohen një ndërhyrje të dytë kirurgjikale. Personat e mësipërm ndodhen në gjendje kome.

BEQAJ NGA KUKESI: NGUSHËLLOJMË FAMILJARËT E VIKTIMAVE
Ora 11:30- Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka shkuar në vendin ku ndodhi aksidenti dhe më pas në spitalin e Kukësit për tu njohur më nga afër me situatën. Në një deklaratë për mediat ai u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave. Beqaj theksoi se ndihma është dhënë në kohë optimale nga të gjithë. Ministri deklaroi se katër nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë. “Në radhë të parë ngushëllime familjeve të të vdekurve. Kemi arritur të realizojmë një dërgim në kohë optimale. Një djalë 20 vjeç është në gjendje të mirë. Shpresojmë që ata që janë të lënduar të mund të mbijetojnë.”

MINISTRIA E SHËNDETËSISË: PËRDITËSIM INFORMACIONI PËR AKSIDENTIN NË AKSIN RRUGOR KUKËS-SHISHTAVEC
Ora 11:00-
 Sipas njoftimit të policisë, një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 06:40 të mëngjesit të sotshëm (8/2/2014) në aksin rrugor Kukës-Shishtavec, në vendin e quajtur “Ura e Topojanit”. Një furgon i linjës së transportit të pasagjerëve me targë AA870FY ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në humnerë.
Me marrjen e njoftimit nga strukturat përkatëse të Ministrisë së Shëndetësisë në orën 07:57, janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes edhe dy helikopterë të njësisë së transportit mjekësor të ministrisë së shëndetësisë, për të siguruar transportin e të lënduarve nga vendodhja e aksidentit drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Për shkak të gjendjes shumë të rëndë shëndetësore tre prej të aksidentuarve u transportuan me autoambulancë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ndërkohë, që në orën 09:30, mbërriti edhe i aksidentuar i katërt që u transportua me helikopter.
Nga aksidenti i rëndë, 6 (gjashtë) persona kanë humbur jetën, ndërkohë që 4 (katër) të tjerë kanë mbetur të plagosur, ku dy prej tyre janë në gjendje të rëndë, përkatësisht i aksidentuari P.M., mashkull, rreth 30 vjeç në gjendje kome cerebrale, si dhe XH.Ç., mashkull, 22 vjeç, me politraumë dhe në gjendje kome.
Ndërkohë, dy personat e tjerë që janë hospitalizuar në Spitalin e Traumës, H.K., femër, 67 vjeç, në gjendje politraume dhe R.B., mashkull 24 vjeç me politraumë, janë krahasimisht në gjendje më të mirë shëndetësore.
Të katër të aksidentuarit që ndodhen në Qendrën Kombëtare të Traumës janë në monitorim të vazhdueshëm nga ekipet mjekësore. Spitali i Traumës është vënë në gatishmëri të plotë me ekipe mjekësh dhe infermierësh të përforcuar, ku të gjitha sallat e kirurgjisë janë në dispozicion. Po ashtu, janë në dispozicion të gjitha materialet mjekësore dhe barnat për të përballuar këtë situatë.

MJEKËT: DY PREJ TË PLAGOSURVE NË GJENDJE KOME
Ora 10:45- Mjektët e Spitalit të Traumës kanë dhënë detaje lidhur me të plagosurit që u transportuan nga Kukësi. Sipas mjekëve Petrit Mustafa dhe Xhevahir Çuni ndodhen në gjendje kome ndërsa Zyrie Kovaçi dhe Rustem Biba janë koshient.

KONFIRMOHEN  7 PERSONA TE PLAGOSUR, TRE NE GJENDJE TE MIRE NE SPITALIN E KUKSIT
Ora 10:30-Policia ben me dije se nga aksidenti kane mbetur 7 persona te plagosur. Kater u derguan ne gjendje te rende ne Tirane ndersa tre prej tyre te cilet nuk kane demtime serioze ndodhen ne spitalin e Kuksit.

ZV/MINISTRI I SHËNDETËSISË RJEPAJ: DY PREJ TË AKSIDENTUARVE NË GJENDJE SHUMË TË RËNDË
Ora 10:10-
Zëvendës ministri i Shëndetësisë Klodjan Rrjepaj në një prononcim për mediat shpjegoi se dy nga të plagosurit e aksidentit janë në gjendje shumë të rëndë ndërsa dy prej tyre janë në gjendje disi më të mirë.

“Kemi pasur një aksident fatkeq. Rreth orës 06:40 ka ndodhur një aksident në Topojan. Sapo jam lajmëruar janë nisur dy helikopterë në drejtim të Kuksit rreth orës 07:57. Tre persona kanë vdekur në vend. Tre të tjerë kanë vdekur në spital dhe gjatë transportit. Dy persona janë në gjendje shumë të rëndë këtu në Spitalin Ushtarak dhe dy janë në gjendje më të mirë. Erdha për të parë nëse do kishte nevoja të tjera. Spitali është i gatshëm për të dhënën ndihmën e duhur dy të plagosurve që janë në gjendje shumë të rëndë.Janë tre persona të shtruar në spitalin Kukësit në gjendje më të mirë. Dy prej tyre do dalin sot nga spitali njëri prej tyre do mbahet ende nën vëzhgim.”- u shpreh Rrjepaj.

MBERRIJNE NE SPITALIN USHTARAK KATER TE  PLAGOSURIT
Ora 09:30-
 Katër të plagosurve të aksidentit kanë mbërritur në Spitalin Ushtarak ne gjendje te rende.  Tre prej të aksidentuarve kanë mbërritur me autoambulancë, ndërsa i aksidentuari i katërt ka mbërritur me helikopter. Të plagosurit që ndodhen në Spitalin Ushtarak janë Xhevahir Çuni, Petrit Mustafa, Rusem Biba dhe Zyhrie Kovaçi.

DY PREJ TE PLAGOSURVE JANE NISUR DREJT SPITALIT USHTARAK
Ora 09:15- Për shkak të gjendjes shumë të rëndë shëndetësore tre prej të plagosurve të aksidentit  janë nisur drejt Spitalit Ushtarak
në Tiranë. Nga spitali bëhet me dije se helikopterët janë nisur por nuk kanë mbërritur ende në Tiranë.

 VIKTIMAT
Feim Biba
Zykri Shehu
Zamir Karanxha
Bashkim Çuni
Linda Çuni
Meleqe Serani

TE PLAGOSURIT NE SPITALIN USHTARAK
Xhevahir Çuni
Petrit Mustafa
Rusem Biba
Zyhrie Kovaçi

TE PLAGOSUR  LEHTE
D.Kovaçi
Hali Serani
Servet Hoxha

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here