Herën e fundit që e pamë ishte krah Ramës në përgatitjen e qeverisë së re, në të cilën ajo do të jetë Ministrja e Integrimit.
Një moment i mirë në karrierën e saj, i cili duket se ka përkuar në mënyrë perfekte me një tjetër gëzim në jetën personale të Klajda Gjoshës, e cila sot vendosë t’i jap fund beqarisë dhe të martohet me njeriun, me të cilin ka plot 15 vjet që është e dashuruar.
Gjithçka është gati për ceremoninë madhështore, e cila nga burime konfidenciale kemi mësuar se do të bëhet në Pezë, pikërisht në atë që nga banorët njihet si vila e Dash Pezës e që tani është bërë lokal. Ndërkohë për gjithë kolegët e LSI-së Klajda ka rezervuar një koktail tek Rogner ditën e enjte, në të cilin nuk kanë munguar kolegët e ftuar, por ka munguar Iliri dhe Monika, të cilët nuk kanë mundur të jenë të pranishëm për shkak se kanë qenë jashtë shtetit. Gjithçka ka kaluar perfekt gjatë mbrëmjes të së enjtes, ku miq e kolegë i kanë uruar ministres së re, jetë të lumtur me njeriun e zemrës.
DETAJET E DASMES
Është një nga ditët më të veçanta për çdo femër, dita e kurorëzimit të dashurisë me martesë dhe po aq e veçantë mbetet secila nga ceremonitë që çifti organizon për një ditë speciale si ajo e fundit të beqarisë. Nga sa kemi mundur të mësojmë Ministrja e Integrimit për këtë ditë të veçantë ka preferuar diçka shumë romantike. Dekori është tërësisht i veçantë, 3 dimensional me lule, të cilat duket sikur dalin nga muri. Një efekt special ky, që bëhet për herë të parë në Shqipëri nga “Geraldina Sposa” dhe që plotëson kuadrin e atmosferës magjike në tavolinat e dekoruara me mjaft kujdes.
Gjithçka është kuruar imtësisht për të dhënë efektin e duhur, ku kryefjala është “romanticitet”. 350 të ftuar do të jenë të pranishëm në dasmën e Klajdës dhe Adrianit dhe ceremonia do të jetë e përbashkët, një zgjedhje që duket se dominon së fundmi tek çiftet e reja shqiptare që vendosin të martohen. Nusja për ditën e dasmës së saj ka zgjedhur 3 fustane, të cilët kemi mësuar se janë nga firma shumë të njohura.
I pari që është i shkurtër është “Pronovias”, tjetri i firmës së njohur “Motta” dhe i treti është nga koleksionet trend të këtij viti, nga fustanet me lule. Gjithashtu kemi mësuar se këta fustane janë të personalizuar dhe nuk mund t’i gjesh aq kollaj në katalogët e këtij viti. Për të mësuar më shumë rreth përjetimeve të Klajdës, jemi përpjekur të mësojmë diçka nga goja e saj, por ajo është shprehur se nuk dëshiron t’i cënohet intimiteti i ceremonisë, të paktën deri sa dasma të mbarojë.
HISTORIA E DASHURISË ME ADRIANIN QYSH NË GJIMNAZ
Klajda Gjosha dhe i fejuari i saj Adriani, për të cilin kemi mësuar se ka një agjensi turistike kanë një histori të bukur dashurie. Ata janë njohur bashkë qysh kur Klajda ka qenë 15 vjeçe dhe të dy kanë mbaruar bashkë gjimnazin. Më pas Klajda është larguar nga Shqipëria drejt Anglisë për studime. Siç ka pohuar ajo në emisionin “Dita ime” në Vizion plus lidhja në distancë ka qenë e vështirë, pasi në vitin 2000 nuk kishte lehtësira si interneti apo rrjetet sociale. “Ka qenë e vështirë lidhja në distancë pasi komunikonim një herë në javë.
Por jam krenare që kjo marrëdhënie i ka rezistuar kohës”, ka thënë ajo. Historia e dashurisë 15 vjeçare merr start në Shkollën e Mesme “Ismail Qemali” ku çifti që sot martohet qëlloi të ishin shokë të një klase. Më pas nga miqësia shumë e fortë që ata kishin për njëri-tjetrin lindi dhe historia e dashurisë, e cila sot kurorëzohet jo vetëm si e tillë, por edhe si një provë që ndjenjat e vërteta i mbijetojnë jo vetëm kohës por edhe largësisë. Ndërkohë në një nga intervistat që ka dhënë së fundmi në media rreth të fejuarit të saj, Klajda është shprehur se Adriani është tepër i qetë, me shumë vullnet dhe mbi të gjitha shumë tolerant.
“Në këto momente të karrierës sime është mbështetja më e madhe që unë kam”, ka thënë ajo teksa ka folur edhe për dasmën, për të cilën ka thënë se dëshironte një ceremoni të madhe, me të gjithë njerëzit më të dashur për të dhe Adrianin. Diçka moderne, por pa humbur traditën dhe kjo dëshirë e saj tashmë është realizuar. Nuk na mbetet tjetër veçse në fund të këtyre rreshtave ta urojmë Klajdën në këtë ditë të veçantë të jetës së saj; qoftë e lumtur me njeriun e zemrës së saj!