Home Aktualitet Aksidenti i Himares, familja Cela: Ishte shofer me eksperience

Aksidenti i Himares, familja Cela: Ishte shofer me eksperience

870
0

Flet Eglantina Çela, bashkëshortja e shoferit të Himarës.
“Ishte shofer prej 20 vitesh. Prej 2011-s ishte i punësuar me rrogë 20 mijë lekë, pa siguracione”
Ai ndërroi jetë tragjikisht ashtu si edhe 12 persona të tjerë, teksa drejtonte autobusin me studentë drejt Himarës, por varrimi i tij qe më i heshturi. Duke qenë në rolin e shoferit në udhëtimin që u quajt “ekspedita e vdekjes”, mbi të ndjerin Pëllumb Çela ranë fillimisht të gjitha dyshimet e aksidentit.
Orë pas ore, këto dyshime u transferuan dhe u përforcuan te gjendja teknike defektoze e autobusit, por për këtë ekspertët e hetimit do të thonë fjalët e tyre. Ashtu siç familjarët e Çelës kanë fjalët e tyre. Rrëfime nga jeta e Pëllumbit si bashkëshort dhe baba, të cilat vijnë sot në gazetën “Panorama” nga bashkëshortja e tij Eglantina dhe djali, Kledi. Sa u përket marrëdhënieve të punës së të ndjerit, nënë e bir zbulojnë të tjera detaje…
Çfarë profesioni ka pasur i ndjeri?
Eglantina: Ka qenë për 20 vjet mekanik, ndërsa 20 vitet e fundit punonte si shofer. Pëllumbi ka mbaruar shkollën profesionale të Elbasanit për Mekanikë. Nga vitet ’70–’90 ka punuar si mekanik pranë stacionit hekurudhor, rregullonte defektet e lokomotivave. Ishte shumë i pasionuar për basketbollin dhe, përveçse ka luajtur vetë, ka qenë edhe trajner i ekipeve të reja… Në vitin 1991 atë e pushuan nga puna, duke qenë se u bënë shkurtime të vendeve të punës, derisa u mbyllën fare. Pak muaj më pas nisi rolin e shoferit në firma të ndryshme.
E nisi rolin e shoferit si “amator”, apo ndërkohë kishte patentë dhe eksperiencë në drejtimin e makinave?

I biri i shoferit të aksidentuar Kledi Çela
Kledi: Babai ka qenë mjeshtër me makinat, si shofer, ashtu edhe mekanik. Askush të mos e gjykojë nga fatkeqësia, ai vdiq bashkë me të tjerët.
Eglantina: Ai ka ditur t’i japë makinës shumë herët, që në shkollë. Nuk di ta them fiks me vite, por besoj patentën e ka marrë në mes të viteve ’70. Kur nisi të punonte si shofer në vitin ’91-92, ai kishte aq eksperiencë në drejtimin e makinave, saqë i besuan edhe rrugë të gjata. Ai bënte çdo ditë rrugën për në Gjirokastër, duke transportuar produkte të ndryshme në Vrisera. Këtë linjë Pëllumbi e ka bërë deri në vitin 2000, pra për 8 vjet. Më pas, e ndërpreu.
Pse e ndërpreu?
Eglantina: Sepse në vitin 2000 blemë vetë një kamion rreth 14-15 tonësh. Paguam rreth 6 milionë lekë të vjetër për të. Ishte kamion i vjetër, në gjendje jo shumë të mirë, por duke qenë se Pëllumbi ishte zanatçi i vjetër, ia rregulloi të gjitha defektet. Nisi të çonte çimento ose materiale të tjera ndërtimi kudo që e kërkonin, por më së shumti në Tiranë. Fillimisht pati punë mirë, ishte i regjistruar në shtet dhe paguante taksa. Në vitin 2005-2006 puna i ra shumë, ndërsa edhe kamioni niste të shfaqte defekte të mëdha. Pjesët e këmbimit kushtonin shumë dhe nuk ia vlente më që të rregullohej. Pëllumbi e shiti pjesë-pjesë, madje nga fundi e çoi fare për skrap. Pas vitit 2006, ai u punësua sërish në një firmë, ku bënte transportim ndërkombëtar të mallrave.
Domethënë udhëtonte në linjat e transportit me jashtë?
Kledi: Për 4 vjet ka udhëtuar me intensitet në disa shtete.
Eglantina: Po. Ai ishte shofer i disa kamionëve shumë të mëdhenj dhe transportonte mallra në Itali, Greqi dhe Maqedoni. Kishte raste që udhëtonte edhe dy herë brenda javës për në Itali. Gjithashtu ka transportuar mallra edhe në Turqi apo Gjermani, por në këto shtete shumë rrallë. Deri nga fundi i vitit 2010 ka udhëtuar në këto linja. Pastaj, duke qenë se mosha nuk ishte më edhe aq e re, mendoi që të mos qëndronte më aq larg shtëpisë. Kështu e la atë punë dhe në vitin 2011 filloi si shofer pranë agjencisë “Llixha 2001”, edhe pse me një pagesë të vogël.
A mundemi të dimë pagesën?
Eglantina: Ishin 200 mijë lekë të vjetër, por Pëllumbi nuk rrinte dot pa punë. Ishte shumë i urtë dhe nuk bënte fjalë për çështje rroge. Gjithnjë ashtu ka qenë, punëtor në maksimum, i drejtë dhe i ndershëm.
Ndërhyn Kledi: Nënë, për babain tim le të pyesin kudo në Elbasan se çfarë njeriu i mrekullueshëm ka qenë…
Çfarë transportonte bashkëshorti juaj me agjencinë “Llixha 2001”?
Eglantina: Merrej me transport udhëtarësh. Konkretisht, ai i çonte dhe i merrte mësuesit e Elbasanit në një shkollë pranë Llixhave, ndërsa në verë, kryesisht gjatë kohës së pushimeve, udhëtonte me ekspedita të nxënësve në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Por udhëtimi i tij i fundit nuk ishte në kohë vere…
Eglantina: E di, sepse ai ka një muaj që kishte nisur ekspeditat. Gjatë kohës që fillonin udhëtimet shkollore të nxënësve, agjencia gjente dikë tjetër për të transportuar mësuesit e “Llixhave” dhe Pëllumbin e niste në rrugët e gjata. Duke qenë se ai ishte shofer me përvojë dhe mekanik njëkohësisht, i kalonin Pëllumbi linjat delikate dhe të vështira.
A paguhej “ekstra” për këto udhëtime?
Eglantina: Nuk paguhej ekstra. Atij i mbuloheshin shpenzimet e rrugës, ushqimi dhe fjetja, por përfitime në lekë nuk ka pasur.
A ka qenë i siguruar nga agjencia ku punonte?
Kledi: Besoj se po. Duhet të ketë qenë i siguruar ma merr mendja.
Eglantina: Jo, jo, e di unë. Nuk ka qenë i siguruar, sepse e kemi diskutuar edhe punën e pensionit disa herë. Pëllumbi më ka thënë që nuk i paguheshin siguracionet.
A ju ka ardhur për vizitë pronari i agjencisë ku punonte, a keni kontaktuar me të?
Eglantina: Me sa kemi marrë vesh, ai ndodhet në Turqi. Nuk kemi biseduar me të dhe nuk na ka ardhur për vizitë.
A është e vërtetë që agjencia ia ka ndërruar autobusin Pëllumbit, në momentet e fundit para nisjes në Himarë?
Eglantina: Me të dëgjuar e kemi, por kjo duhet të marrë përgjigje nga pronari i agjencisë. Autobusi që Pëllumbi ngiste zakonisht ishte vërtet me 25 vende, por ngaqë transportonte mësuesit. Ndërsa për udhëtimet e gjata dhe me shumë nxënës di që i jepnin një më të madh, me 50 vende.
Cili ka qenë udhëtimi i parafundit që ka bërë bashkëshorti juaj? Pra, rruga e fundit para se të nisej në “ekspeditën e vdekjes në Himarë” dhe a udhëtoi me të njëjtin autobus?
Eglantina: U nis të hënën, ora 06:00, më 14 maj drejt Juglindjes. Në Korçë, Pogradec dhe në ca vende të tjera që nuk më kujtohen. U kthye të dielën, datë 20 maj, në ora 15:00. Ndenji 6 ditë në udhëtim dhe, me sa di unë, i ka dhënë të njëjtit autobus në të dyja ekspeditat.
Ju ka folur rreth ndonjë defekti të autobusit?
Eglantina: Jo. Nuk është se më ka treguar ndonjë gjë. Shumë pak kemi folur përgjithësisht, duke qenë se sa erdhi fjeti, doli, fjeti sërish. Siç duket, ishte lodhur shumë.
Pra, u kthye të dielën pasdite dhe të nesërmen, mëngjesin e të hënës, më 21 maj, u nis sërish me ekspeditë drejt Himarës?
Eglantina: Ashtu i bie.
A pushoi ai gjatë kësaj kohe?
Eglantina: Sigurisht që po. Sapo erdhi në shtëpi, u la dhe u ushqye. Rreth orës 16:00 u shtri për të fjetur dhe u zgjua në orën 19:00. Doli dhe piu një kafe me shokët këtu në lagje dhe në 20:30 u kthye.
Kledi: U kthye dhe pa një ndeshje që po transmetohej. E ndoqi deri në minutën e 75-të dhe pastaj tha që po shkonte të shtrihej. Të pushonte edhe ca, meqë të nesërmen ishte për rrugë.
Në çfarë ore u zgjua të nesërmen?
Eglantina: E kishte zakon që zgjohej në orën 06:00. Ngaqë parkimi ishte paksa larg, zgjohej shpejt në mënyrë që të ecte deri te parkimi.
Kledi: Si sportist që ishte, ia dinte vlerat ecjes fizike dhe ndikimin e saj në shëndet.
Vuante nga shëndeti?
Eglantina: Pëllumbi nuk ka pasur asnjëherë probleme me shëndetin. Kam dëgjuar këto dy ditë sikur ai vuante nga zemra, por ai e ka pasur “top” zemrën.
Kledi: Kontrolloni shtëpinë tonë dhe do të shihni që ne nuk mbajmë asnjë ilaç në shtëpi. Nuk po e them për krenari, por për të treguar që babai nuk ka vuajtur nga asnjë lloj sëmundjeje. Fatmirësisht, as ne fëmijët.
A konsumonte pije alkoolike?
Eglantina dhe Kledi njëkohësisht: Jo, jo. Vetëm në raste kur vinin miq. Kafe pinte më së shumti. Ishte shumë i përkushtuar në punë dhe as bëhej fjalë të pinte gjatë rrugës.
Çfarë mendoni se mund të ketë ndikuar në shkaktimin e aksidentit?
Kledi: Mendoj se këtë duhet ta thonë ekspertët e hetimit dhe mezi po i pres në fakt. Jam krejt i bindur që babai im nuk ka pasur faj dhe ka bërë ç’është e mundur për të shmangur aksidentin.
Eglantina: Pëllumbi ka pasur mundësinë që të hidhej nga autobusi, pasi di të hidhet në ecje. E ka mësuar prej vitesh si praktikë. Kam një jetë në krah të tij dhe kemi katër fëmijë bashkë, dy djem dhe dy vajza. I njoh mirë aftësitë e tij në timon, por edhe si mekanik. Ai nuk është hedhur nga autobusi, pasi nuk ka dashur të shpëtojë vetëm veten. Ka ndenjur deri në fund dhe ka shkuar drejt vdekjes i sigurt, duke u përpjekur që të shpëtojë vajzat. Gjej rastin që të ngushëlloj sinqerisht familjarët e të gjithë viktimave, si dhe t’u uroj shërim të shpejtë vajzave që janë plagosur.
Familja Çela
Ngushëllime nga të afërmit e viktimave
Pavarësisht se lamtumira për shoferin Pëllumb Çela u kalua thuajse në heshtje nga mediat ose me akuza si shkaktar i aksidentit, familjarët e viktimave dhe të të plagosurave kanë bërë të kundërtën. Shumica prej tyre kanë gjetur numrin e telefonit të bashkëshortes së Çelës dhe vëllait të tij, duke u shprehur ngushëllime për humbjen e Pëllumbit. Ndërsa të afërmit e Eriola Xhoit kanë shkuar për vizitë, menjëherë sapo kanë varrosur të ndjerën e tyre. “Telefonatat e tyre ishin lehtësim për dhimbjen tonë. Gjyshja e Eriolës erdhi dhe qau mbi arkivolin e Pëllumbit. Pasi të kalojmë “të tretat”, do t’u shkojmë nëpër shtëpi që t’i ngushëllojmë personalisht”, thotë për gazetën Bimi, vëllai i Pëllumb Çelës.
Nga e derguara jone ne Elbasan/ ELISABETA ILNICA
Aksidenti, nga shpejtësia e mosfrenimi
Hetimi/ Tragjedia e Himarës, koeficienti i fërkimit të gomave të autobusit ishte nën vlerën normale
Ekspertët dhe Policia: Ferrotat dëmtuan tamburet nga nxehja.
Grupi i ekspertëve që po heton aksidentin e Himarës ka përcaktuar defektin në frenat e autobusit si shkakun kryesor të ngjarjes.
Në përfundim të shqyrtimit të fakteve lidhur me tre komponentët kryesorë, drejtuesi i mjetit, rruga e në fund edhe autobusi, grupi hetimor ka përcaktuar se shkaqet kryesore që sollën tragjedinë janë te problemet teknike që ka pasur mjeti. Sipas burimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, dyshohet se ka qenë një reaksion zinxhir që solli aksidentin ku humbën jetën 13 persona. Fillimisht konsumimi i ferrotave është bërë shkak për dëmtimin e tambureve. Duke qenë të konsumuara, ferrotat kanë dëmtuar tamburet gjatë kontaktit të vazhdueshëm duke i nxehur ata e, për rrjedhojë, është zvogëluar koeficienti i fërkimit. Ky dyshohet të ketë qenë shkaku i aksidentit. Sipas ekspertëve, konsumimi i ferrotave është shkaktuar nga përdorimi i tyre i vazhdueshëm gjatë gjithë rrugës për shkak të kthesave të Llogorasë, deri në vendin e ngjarjes. Dyshohet se gjatë gjithë itinerarit të ekspeditës, kryesisht në ngjitjen e dhe zbritjen e Llogorasë, mbajtja e frenave në çdo kthesë ka ndikuar negativisht në konsumimin dhe nxehjen e ferrotave. Kjo ka sjellë edhe dëmtimin e tambureve, duke bërë thuajse minimal mundësinë e frenimit dhe uljen e shpejtësisë së autobusit. Sipas ekspertëve, koeficienti i fërkimit të gomave me asfaltin për automjetet e transportit publik apo ato të rënda është 0.4 për qind, dhe jo si në rastin e autoveturave, të cilat e kanë deri në 0.7 për qind, që e bën më të sigurt frenimin. Por, në rastin e autobusit të tragjedisë, nxehja e ferrotave, konsumimi i tambureve e ka ulur fërkimin e gomave në asfalt në 0.3 për qind. Sipas të dhënave teknike të frenimit, nxehja e ferrotave, pjerrësia e segmentit, por edhe amortizimi i gomave për shkak të nxehtësisë së asfaltit, kanë bërë mjaft të vështirë ndaljen e autobusit. Në pamundësi të frenimit, sipas burimeve, autobusi mund të ketë marrë shpejtësi në dishezë, shpejtësi që ka arritur 45-50 kilometra në orë. Sipas ekspertëve, kjo shpejtësi nuk është domosdoshmërish pasojë e marshit të tretë, ashtu siç ndodh zakonisht, por në rastet e mosfunksionimit të frenave në dishezë, mund të arrihet edhe me marshe të ulëta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here