Një krim i rëndë brenda familjes ka tronditur kryeqytetin mbrëmjen e kësaj të diele, ku një adoleshente humbi jetën pasi u qëllua me thikë nga vetë babai i saj.
Burime nga Policia e Tiranës thanë se Kujtim Ibra me origjinë nga Puka ka qenë në gjendje të dehur në momentin kur ka plagosur me armë të ftohtë dy vajzat e tij, njëra prej të cilave 17-vjeçarja Elidona fatkeqësisht ndërroi jetë rrugës për në spital pasi nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra në kraharor dhe bark. Motra e saj 22-vjeçare A.Ibra, e cila gjithashtu u plagos nga i ati, pas mjekimit në spital është rikthyer në shtëpi.
Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën pas spitalit të Traumës, në banesën e familjes Ibraj, teksa po hanin darkë. E pranishme në momentin e krimit ka qenë edhe nëna e dy vajzave. Burime nga policia sqaruan se Kujtim Ibra ka filluar të kërcënojë të gjithë pjesëtarët e familjes sapo ka hyrë në banesë në gjendje të dehur. Ai ka nisur të dhunojë vajzat e tij duke i goditur me grushte, derisa ka marrë thikën e ka qëlluar ndaj tyre.
Policia e mbërritur në vendngjarje, vuri në pranga brenda shtëpisë Kujtim Ibrën, i cili ka pranuar krimin. Burime nga policia e Tiranës thanë se babai ka deklaruar se e kreu vrasjen ngaqë vajzat “nuk e respektonin”.
Aktualisht autori i krimit ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Tiranë ku pritet të merret në pyetje në lidhje me motivin që e çoi në vrasjen e së bijës dhe plagosjen e tjetrës