Ministria e Financave firmosi marrëveshjen me Bankën Islamike për Zhvillim për marrjen e një kredi prej 222.7 milionë dollarë, me të cilën do të financohet një pjesë e segmentit të rrugës Elbasan-Tiranë. Kredia ka një afat 17 vjeçar dhe jepet me një interes rreth 5 për qind.
Kjo është një ndër kreditë më të mëdha të marra gjatë këtij viti nga qeveria, por duket se nuk do të jetë e vetmja. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje i ka hapur rrugë edhe lobimit për sigurimin e pjesë tjetër të parave për ndërtimin e plotë të rrugës Elbasan-Tiranë.
Qeveria do të përdorë Bankën Islamike për të lobuar në gjetjen edhe të rreth 130-150 milionë dollarëve të tjerë. Kjo shumë do të mundësonte mbulimin e kostos së këtij segmenti, i cili përllogaritet të jetë rreth 400 milionë dollarë. Nëse do të arrihen edhe këto marrëveshje, e gjithë rruga do të jetë e financuar me fonde të vendeve arabe.
Rruga do të financohet me tre segmente. Segmenti i parë me gjatësi 13 kilometra fillon tek unaza e Tiranës deri në hyrjen e tunelit. Segmenti i dytë është vetë tuneli i Kërrabës, ndërsa segmenti i tretë është gjatësia nga dalja e tunelit deri në hyrje të qytetit të Elbasanit.
Shuma për të cilën do të ndërmjetësojë Banka Islamike për Zhvillim është në diskutim midis 130 dhe 150 milionë lekëve. Nga këto, 100 milionë dollarë i janë kërkuar Fondit të Abu Dabit, 15-25 milionë dollarë i janë kërkuar Fondit Saudit për Zhvillim dhe 15-25 milionë dollarë dhe 15-25 dollarë të tjerë i janë kërkuar OPEK-ut.
Kjo është shuma më e madhe që Banka Islamike për Zhvillim i ka dhënë Shqipërisë. Të dhënat e tabelave të stokut të borxhit shqiptar, tregojnë se për momentin Shqipëria i ka kësaj banke një borxh prej rreth 76.6 milionë euro.