Home Aktualitet Roland Trebicka i sëmurë rëndë kurohet ne France

Roland Trebicka i sëmurë rëndë kurohet ne France

824
1

Aktori Roland Trebicka po vuan nga një sëmundje e rëndë. Prej disa javësh ai gjendet në një klinikë të specializuar në Paris të Francës, ku po merr kura kundër kancerit në mushkëri. Sipas informacioneve të marra pranë Teatrit Kombëtar, shenjat e sëmundjes janë shfaqur së tepërmi gjatë kohës që Trebicka po merrej me dramën “Një tablo absurde”. Kjo në fakt duket se ka qenë edhe arsyeja e ndërprerjes së shfaqjeve të kësaj pjese në teatër. Stafi i teatrit nuk ka dhënë asnjë informacion për “ndërprerjen” e vënieve në skenë të “Tablosë absurde” dhe madje nuk ka preferuar të japë detaje për aktorin. Në rrugë të tjera mësohet se Roland Trebicka është i sëmurë që prej dy muajsh dhe ka shkuar për kurim në Paris. Në kryeqytetin e Francës po kujdeset për të vajza e tij, që ndodhet prej vitesh me banim atje. Gjithashtu mësohet se për të interesohet mjaft edhe aktori tjetër shqiptar Dhimitër Pecani, i cili gjithashtu banon në Francë. Gazeta mësoi dje se aktori i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe se pas saj ai gjendet ende në reanimacion. Miq të tjerë të aktorit, të pyetur për gjendjen aktuale shëndetësore të tij shprehen se e kanë mësuar vetëm para dy muajsh që ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Ata thonë se nuk ishin në dijeni të faktit se ai ka vuajtur më parë nga një ndonjë sëmundje, dhe shtojnë se pas ikjes së tij për në Francë, ata e kanë pasur të pamundur të kontaktojnë me të. “Nuk kemi mundur të flasim me të dhe nuk e kemi të qartë se në ç’gjendje është ai tani. Nuk kemi pasur se si të flasim me vetë Rolandin, ndërsa me të bijën s’kemi kontakte. Urojmë vetëm të bëhet më mirë, ndonëse lajmet nuk kanë qenë edhe aq të mira prej andej”, – thotë njëri prej miqve të Trebickës. Pjesa e fundit që ai vuri në skenë “Një tablo absurde”, shkruar nga Ferdinand Hysi dhe me regji të Milto Kutalit, është konsideruar si një ndër veprat e rralla të pasdiktaturës, që kthejnë vëmendjen nga jeta e artistit në komunizëm. Ngjarjet marrin shkas nga një tablo reale e piktorit Guri Madhi, me emrin “Mbledhja e Moskës”, e cila iu nënshtrua disa ndryshimeve nga censura me karakter politik, jo artistik.
Vendimi
Dy muaj pas shtrimit të tij në spital, nga Shqipëria ka një lajm “të mirë” për të. Në mbledhjen e djeshme, qeveria shqiptare ka miratuar një fond që do të financojë kurimin e aktorit që mban titullin “Mjeshtër i madh”. Në vendim thuhet se shuma e parave është “një shtesë fondi në buxhetin vitit 2011, miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë, për mbulimin e shpenzimeve të kurimit të z. Roland Trebicka, në Francë”. Sipas këtij vendimi, “Këshilli i Ministrave vendos t’i japë Ministrisë së Shëndetësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2011, në zërin “Mallra dhe shërbime”, t’i shtohet fondi prej 4.700.000 (katër milionë e shtatëqind mijë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve të kurimit të zotit Roland Trebicka në Francë. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”.
Aktori
Roland Trebicka lindi në Korçë në vitin 1947. Karriera e Roland Trebickës si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961. Ishte kjo përvojë që shënoi kursin që do të merrte më vonë jeta e djaloshit korçar. Prirja e tij e jashtëzakonshme për humor spontan, i siguroi një pozitë të “privilegjuar” në kohën e shërbimit ushtarak. Vitet në këtë trupë profesioniste ku debutuan edhe aktorë të tjerë, të cilët më vonë do të bëheshin të famshëm në fushën e humorit skenik dhe televiziv si Aleko Prodani, Koço Devole, Zef Deda, Sejfulla Myftari (Cekja), Mehdi Maljak, Behar Mera etj, ishin për Trebickën stazhi i nevojshëm, që i hapi më pas rrugën drejt Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. Kritika dhe kolegët e kanë vlerësuar vazhdimisht me nota maksimale për sensin e jashtëzakonshëm të humorit brenda dhe jashtë skene, në rol dhe jashtë rolit. Është mjeshtër i farsës dhe i groteskut, që e bazon lojën e tij në një fantazi të shfrenuar dhe improvizime të paparashikueshme, jo vetëm për shikuesit, por edhe për partnerët. Nga ana tjetër është kampion i përkushtimit dhe disiplinës në punë. Këto cilësi të tij e kanë bërë një nga aktorët më të kërkuar nga regjisorët. Kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë “Pallati 176”.
Por rolet e Trebickës në teatër janë të shumta. Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos tek “Magjia e madhe”, Zganarelit tek “Don Zhuani”, Hlestakovit tek “Inspektori” (“Revizori”)… tek “Një burrë me trëndafil”. Në vitin 2002, për rolin e rojës tek “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kandidat për çmimin “Aktori më i mirë mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, në Kajro. Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden “Ëndërr për një karrige” (Vaska) dhe “Koncert në vitin 1936”

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here