Futbollistët e kombëtares kuqezi pritet të shpërblehen me diçka tepër të vyer, siç është pasaporta diplomatike, në shenjë mirënjohjeje për fitoren ndaj Rumanisë në kampionatin europian që po zhvillohet në Francë.
Shqipëria arriti mbrëmjen e djeshme fitoren e parë në histori në një kompeticion madhor, si dhe shënoi golin e parë në një të tillë me autor Armando Sadikun, duke mposhtur 1-0 Rumaninë në ndeshjen e zhvilluar në Lion, e vlefshme për grupin A.
“Ata janë ambasadorë pa pasaporta, por kryeministri do t’u japë nga një të tillë atyre”, tha këtë të hënë presidenti i Federatës shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Kuqezinjtë e mbyllën fazën e grupeve në vendin e 3-të, por do t’u duhet të presin deri mbrëmjen e së mërkurës për të parë nëse këto 3 pikë të marra ndaj rumunëve do të jenë të mjaftueshme për t’i kualifikuar ata në raundin e 1/8-ave.
Në Tiranë dhe në Prishtinë, prej nga janë edhe gjysma e lojtarëve të kombëtares kuqezi, tifozët shpërthyen në festë dhe pushtuan rrugët e sheshet kryesore duke valëvitur flamujt kuqezi. Ata hodhën gjithashtu fishekzjarre, ndërkohë që trafiku njohu një prej ngarkesave më të mëdha prej makinave të shumta, por kishte edhe këngë e valle popullore gjithandej.
Federata e Futbollit tha gjithashtu se shpërblimi financiar i UEFA-s do të ndahet mes lojtarëve, të cilëve u është premtuar një shpërblim edhe prej qeverisë shqiptare.