Prindërit e pacientit Aleks Perdoda pohojnë se presin me orë të tëra çdo ditë në radhë në QSUT për të bërë skanerin e djalit
Qëndron i ulur në karrige para një turme të madhe njerëzish me shpresën se do t’i vijë edhe atij radha. Ka më shumë se një muaj që vjen nga larg për të kryer ekzaminimin, sepse në kokën e tij ka gjithmonë dhimbje të padurueshme dhe mjekët e kanë drejtuar për tek skaneri i Pediatrisë së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, por vogëlushit ende nuk i ka ardhur radha.
Aleks Perdoda është vetëm 9-vjeç dhe e di shumë mirë hallin që e ka zënë atë dhe familjen e tij. Qëndron në krahun e djathtë të nënës së tij dhe kur i drejtojmë pyetjet prindërve nxiton të përgjigjet i pari për të treguar sorollatjet dhe neglizhencën që po ndesh në spitalin më të madh të vendit.
Sorollatjet
“Të lutem nënë thua do të presim përsëri në radhë dhe do të kthehemi në shtëpi sërish pa bërë skanerin”. Janë fjalët e djalit të vogël 9-vjeçar, i cili duket i lodhur nga pritjet e gjata dhe pa rezultat në dyert e qendrës së konsultave në QSUT.
Nëna e tij tregon se vijnë nga rrethi i Mirditës dhe kanë më shumë se një muaj që presin në radhë për të bërë skanerin për djalin e vetëm. “Kam ardhur nga Mirdita më shumë se 5 herë për një muaj dhe ende nuk e kam zgjidhur këtë problem.
Këtu është gjithmonë radhë e madhe, siç e shikoni, për të prerë faturën e skanerit ku rrimë nga mëngjesi në darkë dhe nuk zgjidhim problem”, pohon nëna e Aleksit, duke shtuar se e ka djalë të vetëm dhe lëndohet tek shikon sorollatjet që i bëhen, ndonëse Aleksi i ka të gjitha dokumentet në rregull.
Ndërsa babai i 9-vjeçarit pohon se punon emigrant në Itali dhe se ditët e pushimit po i kalon nëpër spitale me të birin, sepse askush nuk i jep zgjidhje për ekzaminimin që duhet të bëjë i biri.
Ndërkohë, Aleksi nuk është i vetmi që pret në radhë, pasi qindra pacientë janë në listën e skanerit, rezonancës magnetike apo ekzaminimeve të tjera. Të ndodhur përballë këtij fakti, pacientët bëjnë thirrje që të merren masa për zhdukjen e radhëve të gjata në spital, sepse vetëm halli i dërgon drejt këtyre dyerve.
Sëmundja
Aleksi ka dhimbje të forta në kokë, sa shpesh i bëhen të padurueshme. Nëna e tij tregon se mjekët i kanë thënë se djali i vuan nga epilepsia, por ende nuk kanë vendosur një ekzaminim përfundimtar në lidhje me sëmundjen e tij.
“Ndodh që djali të bëhet shumë keq, sa humb edhe ndjenjat ose ka gjakderdhje nga hundët. Mjekët, ndaj më kërkuan t’i bëj skaner në kokë për të vendosur më saktë se çfarë ka dhe kjo vonesë që po i bëhet vazhdimisht për këtë ekzaminim po ndikon negativisht në shëndetin e tim biri”, – pohon nëna e Aleks Perdodas.
“Të lutem nënë thua do të presim përsëri në radhë dhe do të kthehemi në shtëpi sërish pa bërë skanerin”. Janë fjalët e djalit të vogël 9-vjeçar, i cili duket i lodhur nga pritjet e gjata dhe pa rezultat në dyert e qendrës së konsultave në QSUT.
“Ndodh që djali të bëhet shumë keq, sa humb edhe ndjenjat ose ka gjakderdhje nga hundët. Mjekët, ndaj më kërkuan t’i bëj skaner në kokë për të vendosur më saktë se çfarë ka dhe kjo vonesë për këtë ekzaminim po ndikon negativisht në shëndetin e tij.”