Home Shendetesi Stina e nxehtë, nisin ndëshkimet për sigurinë ushqimore

Stina e nxehtë, nisin ndëshkimet për sigurinë ushqimore

726
0

Shefja e Higjienës Ushqimore në Drejtorinë e Higjienës për Rajonin e Tiranës, Hysenllari, shpjegon masat që do merren për verën. Në 4 muajt e fundit 30 gjoba

Stina e nxehtë sjell me vete probleme me sigurinë e produkteve ushqimore. Nëse ushqimet nuk mbahen në kushte të mira higjieno-sanitare, ato mund të shkaktojnë helmime, madje edhe epidemi.

Pikërisht, në lidhje me sigurinë e produkteve ushqimore, shefja e Higjienës Ushqimore në Drejtorinë e Higjienës për Rajonin e Tiranës, Lumturi Hysenllari, shpjegon masat që do të merren për sezonin e verës. Ndërkohë, ajo thekson se 4 muajt e fundit janë vendosur 30 gjoba subjekteve që nuk kanë plotësuar kushtet higjieno-sanitare.

Tani në pragun e stinës së nxehtë dhe sezonit turistik, cilat janë masat që keni marrë për inspektimin e produkteve ushqimore?

Drejtoria e Shëndetit Publik me inspektorët sanitarë, të cilët operojnë në gjithë Tiranën kanë programe pune të veçanta për sezonin e verës, për të cilin ka edhe një vendim qeveria. Në këtë program përfshihet puna e inspektorëve që do të bëjnë nga periudha e muajit maj deri në shtator të vitit. Stina e nxehtë është dhe problematike për produktet ushqimore dhe inspektimet përfshijnë pikat e prodhimit, ruajtjes, transportimit dhe tregtimit të gjitha produkteve ushqimore.

Në mënyrë të veçantë do të inspektohen produktet ushqimore që janë shumë delikate për stinën e nxehtë si akullorja, pijet freskuese, produktet e pastiçerisë, uji i ambalazhuar, pa lënë edhe qumështin dhe mishin me nënproduktet e tyre. Ky është një program i veçantë, krahas inspektimeve të përditshme që bëhen nga inspektorati.

Sa herë bëhen kontrolle për produktet ushqimore?

Ne nuk kemi ndonjë program apo një grafik për numrin e kontrolleve, por, nëse ka ndonjë problematikë në subjektet ushqimore si fast-food apo subjekte të tjera, kontrollohen shpesh dhe nëse masat dhe detyrat e lënë për zbatim nga subjekti nuk zbatohen, atëherë bëhet mbyllja e subjektit.

Si e zbuloni ju problematikën nëpër subjektet ushqimore që më pas të bëni edhe inspektimet?

Çdo inspektor punën e tij e ka të ndërtuar në njësitë bashkiake dhe çdo ditë ai vazhdon kontrollin në këto njësi që ai mbulon dhe ai i zbulon vetë problematikat e subjekteve ushqimore. Ka ndonjë rast që vetë qytetarët raportojnë problemet me produktet ushqimore ose kemi edhe rastet e helmimeve që denoncohen nga spitali. Megjithatë, këto muajt e fundit nuk kemi pasur raste problematike të denoncuara.

Nëse ju i konstatoni këto probleme në ndonjë subjekt ushqimor, cilat janë masat që keni marrë?
Ne marrim masa nëse konstatojmë se ka shkelje që shkojnë deri në vendim mbyllje të objektit apo edhe me gjoba dhe pezullim të aktivitetit.

Konkretisht sa subjekte keni ndëshkuar muajt e fundit?

Pikërisht në periudhën e 4 muajve të fundit janë vendosur gjithsej 30 gjoba për shkeljet e konstatuara në drejtim të respektimit të kushteve higjieno-sanitare të prodhimit të produkteve ushqimore, të tregtimit, transportimit. Këto ndëshkime kanë qenë në fast-foode, nëpër dyqane tregtimi akulloresh etj.

Sa është masa e gjobave për këto subjekte?

Masa e gjobave për këto shkeljet e kushteve higjieno-sanitare është nga 10 mijë lekë të reja deri në 50 mijë lekë të reja. Të gjitha kontrollet që ushtrohen nga inspektorët sanitarë, nëse parashikojnë raste problematike, marrin mostra të produkteve ushqimore dhe i analizojmë në laboratorin tonë për ndotjen bakteriologjike, sidomos për produktet delikate.

Krahas kësaj bëhen edhe depistime për mjetet e punës ku manipulohet me këto produkte, si edhe duart e punonjësve. Megjithatë, për të gjitha rastet ku janë konstatuar probleme, kemi bërë edhe ndëshkimet përkatëse, por, në fakt, nuk kemi pasur ndonjë problem të madh me shpërthime epidemish, gjithsesi duhet të jemi në gatishmëri për çdo gjë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here