Mjekët i shkatërruan jetën motrës sime, ndaj duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi…”. Leonard Neço, vëllai i Sonila Neços, 25-vjeçares nga Vlora, të cilët mjekët e trajtuan me kimioterapi për kancer në një kohë që kishte një infeksion të thjeshtë, thotë se nuk do të ndalen derisa përgjegjësit të vihen para drejtësisë, edhe pse prokuroria nuk ka marrë ndonjë të pandehur për rastin në fjalë dhe dosja është drejt mbylljes. Sipas Leonardit, që prej kohës që e motra u trajtua me kimioterapi ka pësuar dëme të rënda dhe të pariparueshme të shëndetit dhe e ka të pamundur të bëjë një jetë normale. “Sonila nuk bën një jetë normale, sepse ka probleme të mëdha shëndetësore. Ia prishën gjithë jetën. Nuk është e mundur që ajo ta jetojë si të gjithë jetën e saj”, – thotë Leonardi.
E ka të pamundur të mos ndalet pikërisht aty ku “dhemb” më shumë. “Probabiliteti që një femër e cila është trajtuar me kimioterapi të lindë një fëmijë është 1 në 1 milion. Kështu, Sonila e ka të pamundur të lindë një fëmijë”, – thotë i vëllai, nisur nga çfarë i kanë shpjeguar mjekët. Leonardi i ka qëndruar pranë së motrës, prej ditës kur mbërriti në spital, gjatë qëndrimit atje, dhe tani që po përplaset në dyert e drejtësisë për të gjetur fajtorët që e mjekuan në mënyrë të pakujdesshme dhe i shkaktuan dëmtime të rënda. “U bë kohë e gjatë që qëndrojmë në dyert e gjykatave dhe prokurorive. Prokuroria e ka pushuar hetimin dhe ne i jemi drejtuar gjykatës, ku kemi fituar të drejtën për ta kthyer çështjen. Aktualisht dosja është e mbyllur. Por ne do të vijojmë sërish për të kërkuar të drejtën tonë. Avokatët po punojnë dhe shfrytëzojnë të gjitha rrugët dhe mundësitë ligjore. Ne për momentin po përballemi me procesin gjyqësor, ku kemi kërkuar shpërblim për dëmet e shëndetit”, – thekson Leonardi. Rasti i Sonila Neços, mund të jetë ndër rastet më flagrante të pakujdesisë së mjekëve dhe gjithë pasojat e kësaj pakujdesie po i vuan vajza e re, e cila tashmë e ka të pamundur të bëjë një jetë normale, si të gjitha bashkëmoshataret e saja.
Në qershor të 2009-ës, Sonila Neço është shtruar në Spitalin Infektiv në QSUT-të, pasi kishte temperaturë të lartë dhe dhimbje nën sqetull. Pas disa ditësh qëndrimi në këtë spital, 25-vjeçarja është transferuar në Spitalin Onkologjik, ku i është nënshtruar një operacioni. Masa që i është hequr është çuar për ekzaminim në laborator dhe në përgjigjen e analizave thuhet se vajza vuante nga një sëmundje e pashërueshme, kancer.
Mjekët e kanë trajtuar me kimioterapi, derisa analizat e ardhura nga Greqia konfirmonin të kundërtën, që nuk vuante nga kanceri, por nga një infeksion i thjeshtë. Por nga trajtimi me kimioterapi kishte pësuar dëme të rënda dhe të pariparueshme shëndetësore. Ndaj pak ditë më parë ka hedhur në gjyq Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe kërkon një shumë prej 500 mijë eurosh si shpërblim për dëmtimin e shëndetit.