Tre persona të maskuar kanë grabitur në hyrje të banesës së tij shtetasin Petrit Shtjefni, duke e goditur këtë të fundit me sende të forta. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:15 në afërsi të fabrikës së tullave në Grykë-Zezë të Lezhës.
Sipas policisë, tre autorët e maskuar, të cilët qëndronin në hyrje të banesës së Shtjefnit banues në Grykë-Zezë, sapo ky i fundit ka zbritur ka zbritur nga mjeti i tij fuoristradë ML me targa AA898GU, i kanë kërkuar t’u dorëzonte lekët dhe sendet me vlerë që kishte me vete.
Por pas kundërshtimit të bërë nga ana e tij, autorët e kanë goditur atë me levë në kokë pa i shkaktuar dëmtime të rënda për jetën duke i marrë paratë dhe sendet me vlerë.
Krahas kësaj, tre të maskuarit i kanë marrë Shtjefnit armën e zjarrit tip pistoletë mod.54 me nr.13028817 të cilën ai e mbante me leje.
Pas ngjarjes, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes, duke u larguar më pas në një zonë të pyllëzuar. Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes, ka nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Ndërkohë, materialet për këtë ngjarje i kanë kaluar Prokurorisë së Lezhës, për vepraën penale “Vjedhja me dhunë e kryer në bashkëpunim”.