Ambasadori i SHBA Aleksandër Arvizu ka qënë i prerë në qëndrimin e tij për pavarësinë e institucioneve kushtetuese, por duke thënë se kjo nuk u jep licensë për të bërë çfarë të duan e të dalin mbi ligjin.
Në intervistën për “OPINION” Arvizu tha se Kushtetuta ish-kryeprokuroren Ina Rama e sistemonte në punë. “Vendimi për Ina Ramën. Ligji është shumë i qartë se cilat janë të drejtat për ripunësimin. Ka kaluar mbi një vit që ka qenë pa punë.
Të paktën, do mendoja e s’po them se duhet të ketë komision parlamentar, por KLD nga të gjitha institucionet në Shqipëri, s’është mbi ligjin. Ata duhet të jenë respektuesit më rigorozë të ligjit”, tha ai. Teksa ka folur për kreun e SHISH dhe të insticioneve të tjera të pavarura, Arvizu tha se në një vend si Shqipëria, ka institucione të caktuara që janë gjysmë të pavarura e që duhet të lejohen të funksionojnë në mënyrë të pavarur.
“Ana tjetër e kësaj monedhe është që kjo nuk i jep kreut të një institucioni, apo vetë institucionit, licensë për të bërë çfarë të dojë. Institucioni duhet të mbajë parasysh integritetin profesional. Ata betohen për besnikëri ndaj Kushtetutës. Janë rojtarë të shtetit. Kryeministri, kreu i Kuvendit janë zgjedhur. Ndërsa këta s’janë zyrtarë të zgjedhur në atë kuptim”, thotë Arvizu. Teksa ka cilësuar si momentin më të vështirë 21 janarin, s’ka munguar të shprehet se s’përjashtohet diskutimi i ndihmës dhe për serverin e tatimeve. Ndërsa tha se Fullani e kishte garantuar se s’do ndoshte gjë më 21 janar, çka rezultoi se u gabua.
Arvizu këmbëngul se një mënyrë efikase për të luftuar korrupsionin janë arrestimet, procedimet dhe dënimet e suksesshme për korrupsionin në nivele të larta, përfshirë dhe qeveritarë të lartë. Duke shpjeguar se këtë ka kërkuar dhe Moor, që pritet të vijë pas dy javësh në Shqipëri. Ambasadori i SHBA nënvizon se në Kuvendin e Shqipërisë ka deputetë me të kaluar të dyshimte. “Mendoj se janë disa njerëz le të themi, me një histori interesante si nga shumica dhe nga opozita.
S’është gjë e mirë për vendin. Por, është e pamundur të ndash paratë nga politika. Mendoj se sa më pak individë me këtë lloj historiku të jenë në parlament, aq më mirë për vendin”, i përgjigjet Arvizu. Ai foli dhe për armët kimike, teksa ka nënvizuar se kishte komunikuar me Ramën, Bashën por jo me Nishanin. Njëherësh ai thotë se politika tentoi të përfitonte nga protesta kundër arsenalit kimik sirian. Arvizu tha se ndjekin me vëmendje axhendën integruese të Rama-Meta, ndërsa garantoi mbështetjen e palëkundur të SHBA.