Home Eduard Zaloshnja A ka elektorat gri 5 muaj pas rrotacionit?

A ka elektorat gri 5 muaj pas rrotacionit?

806
0

basha-meta-ramaPartitë që u grupuan në koalicionin e Berishës në 2013-ën, kishin marrë 48.5% të votave katër vjet më parë. Por në 23 qershor, ato morën vetëm 39.5% të votave — plot 9% më pak. Në nivel agregat, nga ky 9-përqindësh që iu largua koalicionit të Berishës, një 6-përqindësh kaloi në koalicionin e majtë (5.7% tek LSI-ja) dhe një 3-përqindësh shkoi tek FRD-ja, AK-ja, etj., që garuan të painkuadruara në ndonjë koalicion. Ky 9-përqindësh mund të përkufizohet si elektorat gri. Ose ndryshe, si elektorati që bën diferencën nga një palë zgjedhje në tjetrën. Dhe pikërisht për këtë lloj elektorati bëhet e gjithë beteja politike 4-vjeçare në periudhën mes dy zgjedhjeve.

Por a ka elektorat gri 5 muaj pas rrotacionit të pushtetit?

Pesë muaj pas fillimit të punës së qeverisë së re, në sondazhin Barometër24, të cilin e publikoj në News24, rezultonte se ka shenja pakënaqësie të elektoratit gri urban për të dyja krahët, si për mazhorancën, edhe për opozitën. Kështu, vërtet 60% e të anketuarve urbanë zgjodhën si politikanin më të preferuar mes tre politikanëve kryesorë ose Ramën (45%), ose Metën (15%), por në këtë 60-përqindësh, 16% nuk ishin optimistë për situatën e ekonomisë, 13% për situatën e arsimit dhe 10% për situatën e shëndetsisë. Ndërkohë, në këtë 60-përqindësh, është një 6-përqindësh që e ka vlerësuar me notën e ulët 6 punën e derisotme të qeverisë aktuale. Nga ana tjetër, vetëm 34% e të anketuarve urbanë zgjodhën Bashën si politikanin më të preferuar mes tre politikanëve kryesorë, ndërkohë që 39% e tyre kanë votuar për koalicionin e djathtë në 23 qershor.

Meqënëse kampioni i Barometër24 mbetet i njëjtë nga muaji në muaj, është e mundur që të analizohen luhatjet e kuotave jo vetëm në nivel agregat, por edhe në nivel individual për çdo të anketuar. Kështu, ndër votuesit e majtë ka një 10-përqindësh që, përveç muajit të parë pas fillimit të punës së qeverisë, nuk ka qenë optimist për përmirësimin e ekonomisë nën qeverisjen aktuale në mënyrë konsistente (por nga ana tjetër, s’ka qenë pesimist – thjesht nuk ka dhënë opinion). Është po i njëjti 10-përqindësh që nuk është optimist për shëndetësinë dhe për arsimin. Gjithashtu, i njëjti 10-përqindësh ka patur luhatje në lidhje me optimizmin për situatën e rendit (optimizmi për situatën e rendit filloi me 60% në tetor, zbriti në 43% në dhjetor dhe u ringjit në 60% javën e dytë të shkurtit).

Është pikërisht ky 10-përqindësh në fokusin e opozitës, e cila po mundohet të trupëzojë në aksionin e saj politik çdo pakënaqësi të mundshme të elektoratit, duke filluar nga protestat e shoferëve të furgonave deri tek të mbeturit pa punë pas rrotacionit.

Por para se të fokusohet tek elektorati gri në të majtë, opozita bën mirë të mos e marrë të mirëqenë përkrahjen e elektoratit të saj të djathtë. Sepse, siç theksova më lart, vetëm 34% e të anketuarve urbanë zgjodhën Bashën si politikanin më të preferuar mes tre politikanëve kryesorë, ndërkohë që 39% e tyre kanë votuar për koalicionin e djathtë në 23 qershor. Dhe ky 5-përqindësh që nuk zgjodhi Bashën, i dha notë kaluese punës së derisotme të qeverisë së majtë …

Në fakt, kur filloi anketimi i Barometër24 në tetor, kuota pozitive për Bashën ishte 41%, ndërsa për Grupin Parlamentar të PD-së ishte 29%. Dhe diferenca mbeti pak a shumë njësoj deri në janar. Por në javën e dytë të shkurtit, pati një konvergjencë të këtyre kuotave – Basha zbriti në 34% dhe Grupi Parlamentar i PD-së u ngjit në 33%. Siç duket, konvergjimi i ligjërimit dhe qëndrimeve politike të Bashës dhe Berishës (deputetit më aktiv të PD-së) solli edhe konvergjimin e kuotave të mësipërme në opinionin publik. Ndryshe, mund të thuhet se zhvillimet e dy javëve të para të shkurtit sollën ftohjen ndaj Bashës në elektoratin gri brenda kampit opozitar.

Mesazhi i kësaj analize: Elektorati gri është ai që mund të vendosë për rikonfirmimin e mazhorancës apo për rrotacionin, dhe si i tillë, përkrahja e tij nuk duhet marrë kurrë si e mirëqenë, si nga mazhoranca edhe nga opozita…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here