Ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu ka kërkuar sërish ndryshimin e legjislacionit shqiptar për sa i përket kufizimit të imunitetit për zyrtarët e lartë.
Duke folur në ceremoninë e organizuar me rastin e përfundimit të “Programit të Sfidës së Mijëvjeçarit”, ambasadori Arvizu theksoi se çdo person duhet të hetohet, por sipas tij imuniteti pengon hetimet e zyrtarëve të lartë të përfshirë në afera korruptive.
“Kjo pamundësi për të hequr imunitetin pengon hetimet në Shqipëri. Ndërkohë që të gjitha palët duhet të vazhdojnë me axhendën që të ndryshojnë ligjet në mënyrë që ato të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë” theksoi Arvizu.
Gjithashtu ambasadori Arvizu ka theksuar se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, që gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë kanë imunitet prandaj duhet të shihet mundësia e ndryshimit të legjislacionit.
“Shqipëria është i vetmi vend që kufizon veprimtaritë hetimore që mund të bëhen për gjyqësorin dhe për personat publik për shkak të imunitetit” shtoi Arvizu.
Gjithashtu ambasadori Arvizu e ka cilësuar “Programin e Sfidës së Mijëvjeçarit” si mjaft të suksesshëm edhe pse zbatimi i Taks Forcës ka qënë mjaft i vështirë.
Ndërkohë sot është mbyllur programi “Sfida e Mijëvjecarit”, program i cili ka si qëllim luftën ndaj korrupsionit, krimit ekonomik financair e krimit të organizuar ku në kuadër të këtij programi është krijuar edhe Taks Forca.