Pas deklaratave të ish-deputetit të PS-së, Tom Doshi, se i porosituri për të kryer atentatin ndaj tij ka shkuar në zyrat e Policisë së Shtetit dhe ka rrëfyer porosinë që kishte marrë, “Gazeta Shqiptare” ka kontaktuar me kreun e Policisë së Shtetit, Artan Didi, për të mësuar se cila është e vërteta. Kryepolici mohoi që Doshi të ketë shkuar në zyrën e tij dhe të jetë bërë një bisedë në qendër të së cilës ishte ekzekutimi i deputetit Doshi.
Z.Didi, a jeni njohur me deklaratat e deputetit Doshi, sipas të cilave, ju keni pasur dijeni për një atentat të mundshëm ndaj tij. Ju, keni dijeni për një gjë të tillë?
Po, i kam dëgjuar disa deklarata dhe nuk dua të komentoj shumë rreth tyre. Por, duhet t’ju them se, drejtori i Policisë së Shtetit di shumë gjëra, por në fakt jo për të gjitha gjërat duhet të reagojë.
Pra, ju keni qenë në dijeni të një atentati të mundshëm ndaj ish-deputetit të PS-së?
Unë di të them se, nëse deputeti Tom Doshi ka fakte, le të dalë dhe t’i thotë. Nëse ai thotë se ka fakte, prova që vërtetojnë se ndaj tij është menduar që të kryhej një atentat, atëherë deputeti duhet të deklarojë se çfarë provash ka.
A ka ardhur në zyrën tuaj deputeti Doshi për të folur për këtë atentat?
Në zyrën time Tom Doshi nuk ka ardhur asnjëherë dhe kjo bisedë nuk është bërë kurrë.
Në deklaratën e tij, deputeti Doshi shprehet, se vetë personi që ka marrë porosinë për të kryer ekzekutimin e tij ka qenë në zyrën tuaj dhe ka rrëfyer për porosinë që ka marrë. Është e vërtetë kjo deklaratë? Është bërë një bisedë e tillë në zyrën tuaj?
E përsëris edhe njëherë: në zyrën time nuk ka ardhur as Tom Doshi dhe asnjë njeri tjetër që të më tregojë për një porosi të tillë. Një bisedë për vrasjen e Doshit në zyrën time nuk është bërë asnjëherë dhe unë nuk kam pasur dijeni për një bisedë të tillë.