Home Aktualitet Gjykate pranon eksperimentin hetimor: Frroku ka pasur kohë për të vrarë kryekomisarin

Gjykate pranon eksperimentin hetimor: Frroku ka pasur kohë për të vrarë kryekomisarin

612
0

arben-frroku1Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar të marrë si provë eksperimentin hetimor, udhë-timin, nga ku u vra Dritan Lamaj muajin shkurt të vitit 2013 deri në pikën kufitare të Kapshticës, duke e bërë pjesë të fashikullit të gjykimit ndaj biznesmenit Arben Frroku. Në seancën e djeshme të zhvilluar me dyer të mbyllura, ku kanë qenë të pranishëm, pala mbrojtëse e të akuzuarit Arben Frroku, përfaqësuar nga avokatët Genc Gjokutaj dhe Tonin Prendi, vetë i pandehuri dhe organi i akuzës, nga ana e trupit gjykues u pa e arsyeshme që të pranohej si provë pikërisht eksperimenti i realizuar në 25 shkurt, teksa në orën 18:28, automjeti i përcaktuar nga gjykata u nis drejt Kapshticës dhe mbërriti atje pas 2 orësh e 46 minutash. Mësohet se me rezultatet e dala nga ky eksperiment kohor nuk kanë qenë dakord dy avokatët e Frrokut, të cilët i kanë bërë kërkesë gjykatës që eksperimenti hetimor të mos pranohej si provë. Avokati Genci Gjokutaj u shpreh se gjatë përshkrimit të aksit drejt Kapshticës, mjeti i përzgjedhur nga gjykata ka ecur me 160-170 km në orë, se mjeti ka qenë me fenelinë policie dhe rrjedhimisht nuk është ndaluar nga policia. Por, këto pretendime u rrëzuan nga akuza, sipas së cilës, shpejtësia mesatare e mjetit s’i ka kaluar 70 km në orë dhe se eksperimenti kohor duhej të merrej si provë në fashikullin e gjykimit të të pandehurit, pasi sipas akuzës, tregon se Frroku ka pasur kohë të mjaftueshme për të vrarë kryekomisarin Dritan Lamaj, e më pas të largohej në Kapshticë. Ndërkohë, pasi dëgjoi të dyja palët, gjykata u tërhoq për të marrë një vendim në lidhje me kërkesën e mbrojtjes dhe në fund eksperimenti kohor është pranuar si provë në fashikullin e dosjes së gjykimit për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.

Reagimi
I pandehuri Arben Frroku, i bindur se nuk është ai autor i vrasjes së kryekomisarit të Kombinatit, deklaroi gjatë seancës së djeshme, se duhet të vërtetohen tabulatet telefonike dhe pamjet e kamerave të sigurisë. Vetë Frroku, me plot bindjen pretendon se në momentin kur është vrarë kryekomisari ka qenë në Elbasan, duke udhëtuar për në pikën kufitare të Kapshticës, pasi do të shkonte në Greqi për të takuar disa miq të tij. Sipas tij, nëse prokuroria dhe gjykata do të provojnë shkencërisht me pamje filmike apo me qelizat e telefonit, se në momentin e vrasjes së Dritan Lamajt më 24 shkurt 2013 ka qenë në Tiranë, atëherë ai është i gatshëm që të marrë përsipër një krim që nuk e ka kryer dhe se as prokuroria dhe as gjykata të mos lodhen për të gjetur prova të tjera. Biznesmeni Arben Frroku është shprehur se, në momentin që ka ndodhur vrasja e efektivit të policisë, ai ka qenë në Elbasan dhe se kjo gjë është e provuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here