Presidenca i ka cilësuar si të papranushme, denigruese dhe të padenja sulmet e kryeministrit Berisha ndaj Presidentit Topi, duke shtuar se, këto sulme lidhen me mentalitete të partisë shtet.
Këshilltari i Presidentit, Afrim Krasniqi reagoi menjëherë pas deklaratave të kryeministrit Berisha gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët. Ai tha se Berisha shpalli hapur synimin e tij për të deleguar ne KLD një prej kandidatëve të tij të zgjedhur në mënyrë të debatueshme në Parlament.
Kryeministri e akuzoi Presidentin për shkelje të Kushtetutës, ndër të tjera në rastin e procesit të zgjedhjes së nënkryetarit të ri të KLD-së.
“Presionet e rradhës për të kontrolluar sistemin gjyqësor janë një shkelje e rëndë e standardeve që do ta çojnë Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian”- thuhet në reagimin e Presidencës.
Në reagimin e Presidencës thuhet se; “Në deklaratat e zëdhënësve të Kryeministrit dhe të vetë Kryeministrit pretendohet se Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën duke propozuar një gjyqtar në postin e Zëvendëskryetarit të KLD-së. Për çdo person me njohuri minimale juridike, që merr mundimin të lexojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2006 të cituar në mënyrë spekulative në deklaratat e tyre të sotme, do të ishte i papranueshëm shtrembërimi dhe keqpërdorimi i këtij vendimi për të përmbushur synimet e tyre politike”
“Zëvendëskryetar i KLD-së mund të jetë edhe një nga gjyqtarët që janë anëtarë të KLD-së, por me kushtin që në momentin e zgjedhjes së tij të japë dorëheqje nga detyra e gjyqtarit”- theksoi Krasniqi.
Presidenca i ka kujtuar gjithashtu kryeministrit Berisha edhe rastet ku Gjykata Kushtetuese në ta paktën 10 herë është shprehur kundër pretendimeve të kryeministrit Berisha.
Marrëveshja detare me Greqinë dhe çështje të tjera, u theksuan nga këshilltari i Presidentit.
Të pabaza, spekulative dhe jo serioze u quajtën edhe akuzat se Presidenca është kthyer në vendin e mbledhjes së “partiçkave”.