Home Aktualitet Arratisja, Policia: Armët të fshehura në frigorifer

Arratisja, Policia: Armët të fshehura në frigorifer

732
0

arratisur2Policia vazhdon operacionin për arrestimin e 3 prej 7 të dënuarve të cilët u arratisën nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës mbrëmjen e 23 nëntorit 2013. Mbeten në arrati Reiz Haxhiraj, Eduard Lula dhe Gëzim Toma, ndërkohë që dje u arrestuan Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri, të tre të dënuar me burg përjetë.

Të tre u arrestuan mesditën e djeshme në ca magazine të braktisura në  Prrenjas, ku ishin fshehur pas arratisjes nga burgu. Ndërkohë që Artur Gora u arrestua dy orë pas arratisjes.

21 policë të burgut të Drenovës janë arrestuar nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” ndërkohë që një numër tjetër punonjësish janë vënë nën hetim.
Olsi Maçi dhe Albi Meçini janë arrestuar si organizatorë të arratisjes dhe kanë zhvilluar takime të shumta muajt e fundit me të dënuarit që janë arratisur. Ata dyshohet se kanë futur armët kallashnikov dhe pistoletat në qelinë e burgut, ku qëndronte Admir Tafili.

Gazeta ”Shekulli ” shkruan sot se para disa muajsh në burgun e Drenovës ka shkuar një dhuratë për Admir Tafilin. Ka qenë një frigorifer brenda të cilit, në mënyrë mjaft të kamufluar janë strehuar edhe katër armë; dy pistoleta dhe dy automatikë. Armët kanë qenë të çmontuara dhe kanë qenë të fshehura në pjesën e poshtme të frigoriferit, të vendosura në një shtresë polisteroli, çka ka bërë të mundur mos zbulimin nga ana e aparaturave të sigurisë. Frigoriferi ka qenë dhuratë për Admir Tafilin, ose porosi dhe është sjellë konkretisht nga Maçi dhe Meçini”.

Kështu ka nisur, sipas grupit hetimor, edhe historia e arratisjes së dy netëve më parë. Më pas armët janë mbajtur në dhomën e Admir Tafilit derisa janë marrë masat për të kryer edhe arratisjen, për të cilën edhe vetë ministri Tahiri bëri me dije se ka qenë mjaft e organizuar dhe madje ka patur edhe bashkëpunëtorë brenda strukturave përgjegjëse për sigurinë e burgut të Drenovës. Shërbimi i kontrollit të brendshëm të Burgjeve në të vërtetë mori sinjal se në sektorin e Sigurisë së Lartë të këtij burgu gjendeshin sende të paligjshme, ku rreth dy javë më parë ndërmorën një kontroll blic por pa mundur të zbulojnë arsenalin e armëve prej dy pistoletash dhe dy automatikëve që sipas të dhënave mbaheshin në qelinë e Tafilit.

MEKANIZMI I ARRATISJES
Gazetarja Nikoleta Kovaçi e gazetës “Shekulli” zbardhi sot mekanizmin e arratisjes. Rreth orës 19.00, mësohet se personat e armatosur me katër armë kanë mundur të hyjnë në mes të rreshtit të parë të rojeve të burgut. Fakti që kjo kategori gardianësh qëndrojnë të paarmatosur janë frikësuar nga armët në duart e të dënuarve dhe janë detyruar të t’iu hapin rrugën.

Të armatosurit, pasi kanë kaluar gardhin e parë kanë trokitur në magazinën e armatimit të gardianëve dhe kanë detyruar magazinierin të ju vërë në dispozicion armët që iu duheshin. Sipas të dhënave kanë marrë çfarë kanë dashur dhe kanë kaluar një pas një rojet, duke bërë të mundur daljen në oborrin e burgut. Kullat e vrojtimit, të cilat ruhen me roje, sipas të dhënave, nuk kanë reaguar dhe madje as nuk kanë dhënë asnjë lloj sinjali. Për pasojë të dënuarit e armatosur kanë dalë të qetë nga rrethimi i burgut të sigurisë së lartë. Sipas të dhënave të hetimit, personat që kanë qenë edhe si roje kullash janë edhe dilema më e madhe e kësaj arratisjeje ndërsa ende nuk është zbuluar fakti se përse nuk kanë reaguar ndaj 7 të të dënuarve që po linin ambientet e burgut dhe po largoheshin. Mësohet se pasi kanë dalë nga rrethimi, të dënuarit janë ndarë në tre pjesë, ku vetëm Gora ka vijuar i vetëm në drejtim të fshatit të tij.

Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri janë larguar bashkë me një automjet, ndërsa Haxhiraj, Toma dhe Lula janë larguar bashkë, këta të fundit ende të pa arrestuar. Dyshohet se Altin Lami ka paraprirë thuajse të gjithë lëvizjen e grupit të Tafilit pasi dyshohet se ka mundur që në afërsi të komisariatit të Korçës të realizojë një shpërthim or të bërë të mundur zhvendosjen e vëmendjes. Më pas Lami ka vijuar rrugëtimin në drejtim të Tiranës, për tu vënë në pranga orëve të mesnatës, pasi për të janë marrë një sërë informacionesh. Mirëpo, policia dhe grupi i hetimit ende nuk kanë mundur të zbulojnë nëse Lami ka qenë i vetëm apo me ndonjë nga të arratisurit, pasi policia ende nuk e ka të qartë se kush është personi që mundi të kalonte dhunshëm postbllokun e Pogradecit, pasi në atë makinë u fol se gjendeshin dy persona.

ARRATIA E TRE TË TJERËVE, TËRHIQET POLICIA NGA MALI I GRAMOZIT
Përgjatë gjithë ditës së djeshme Policia e Shtetit ka qenë në ndarë në dy pjesë për të bërë të mundur lokalizimin e tre të të arratisurve të tjerë. Shpërblimi prej 5 mijë eurosh i vënë në dispozicionin e qytetarëve për të dhënë informacion në lidhje me vendndodhjen e personave të arratisur ka rezultuar i suksesshëm në rastin e tre të arratisurve shkodranë të cilët u arrestuan paraditen e djeshme. Pas arrestimit të tyre, policia dhe grupi i hetimit kanë marrë informacione të ndryshme në lidhje me rrugët që mund të kenë përshkruar tre të ‘mbijetuarit’ të cilët dyshohet se ose gjenden në malet për rreth, ose edhe mund të kenë lëvizur në drejtim të Greqisë. Mendohet se në të vërtetë, Reiz Haxhiraj është njohës i mirë i terrenit në tokën helene dhe kështu edhe dyshimet për gjatë gjithë paradites së djeshme kanë rënë pikërisht mbi ikjen e tyre jashtë. Mirëpo orëve të pasdites, kanë qenë informacionet e shumta që kanë bërë të ditur se personat që ngjajnë me personat e transmetuar me foto në media janë parë rrugës në drejtim të Malit të Gramozit.

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe një sërë forcash të tjera policore kanë nisur kontrollin në terren por moti i keq dhe nisja e dëborës ka bërë që diku afër orës 20.00 të mbrëmjes së djeshme të tërhiqen. Zyrtarisht bëhet me dije se edhe Haxhiraj, Toma dhe Lula shpejt do të bien në pranga, ndërsa vetë ministri i brendshëm Saimir Tahiri ka “kërcënuar” të arratisurit duke iu bërë thirrje të dorëzohen sot, se nesër edhe mund të jetë vonë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here