Kryeministri Rama ka mbledhur dje anëtarët e kabinetit qeveritar në një takim informal në malin e Dajtit.
Ministrat janë mbledhur që në orën 9:00 në kompleksin turistik “Dajti Park” dhe kanë qëndruar aty deri në orën 19:00. Takime të tilla informale Kryeministri Rama i nisi që pa marrë mirë mandatin qeverisës nga Kuvendi, gjatë muajit gusht, në qytetin e Vlorës dhe më pas në atë të Shkodrës. Por pas betimit dhe nisjes nga puna, Kryeministri Rama ka mbledhur ministrat e tij dhe në një tjetër takim në qytetin e Korçës, ditën e mbylljes së fushatës zgjedhore për kreun e Bashkisë. Takimi i djeshëm është konsideruar si një mbledhje pa protokoll, që shërben për të rakorduar punën brenda Këshillit të Ministrave, i cili u paraprin dhe vendimmarrjeve formale të mbledhjeve të qeverisë.
Mësohet se dje, pasi kanë raportuar rreth punës në secilën ministri për periudhën 60-ditore, ministrat kanë paraqitur dhe projektet që ata kanë në dikasteret e tyre. Çdo projekt është rakorduar sipas afateve, por dhe përgjegjësisë që institucionet e tjera do të kenë në këtë bashkëpunim. Gjithashtu janë përcaktuar afatet kohore për të gjitha fazat e projekteve, në mënyrë që të bëhet sa më i kontrollueshëm zbatimi dhe realizimi i tij. Gjithashtu janë bërë dhe rakordimet e fundit për buxhetin e ri të vitit 2014 sipas prioriteteve të ministrive dhe programit qeverisës.