Home Politike Armët kimike te Sirisë, Bushati: Nuk kemi vendosur akoma

Armët kimike te Sirisë, Bushati: Nuk kemi vendosur akoma

560
0

ditmir-bushatiShtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Shqipërisë të organizojë shkatërrimin e arsenalit kimik sirian. Tirana po e studion me kujdes këtë propozim të bërë që javën e kaluar. Kështu shkruan gazeta franceze “Le Monde” lidhur me diskutimin e hapur tashmë me shumë vende për shkatërrimin e armëve kimike. Sipas gazetës franceze, konfirmimi për këtë qasje të SHBA-së është bërë dhe nga ministri i Punëve të Jashtme, të Shqipërisë, Ditmir Bushati gjatë një takimi që ai zhvilloi në Francë me homologun e tij, Laurent Fabius.

Konfirmimi
“Ne nuk kemi marrë ndonjë vendim deri më tani. Madje nuk jemi ende në nivelin e diskutimeve teknike”, – ka thënë Bushati për gazetën franceze. “Le Monde” shkruan se disa vende si Norvegjia kanë refuzuar kërkesën e SHBA-së. Me tej ajo bën një analizë të plotë të gjithë situatës në Shqipëri sa i përket mundësive për shkatërrimin e armëve kimike. Sipas saj, Shqipëria ka disa avantazhe për pozitën gjeografike, për shkak të afërsisë së saj dhe lehtësisë së transportit të mundshëm në rrugë detare. Përveç kësaj, shkruan gazeta, ajo ka një përvojë të veçantë në shkatërrimin e armatimit kimik. Në artikull thuhet se në vitin 2007, Shqipëria u bë vendi i parë i cili shkatërroi arsenalin e saj të akumuluar gjatë periudhës së diktatorit komunist, Enver Hoxha. Artikulli vijon më tej se, kanë qenë rreth 16 ton rezerva të cilat janë zbuluar në fund të vitit 2002 në disa bunkerë pak kilometra larg nga Tirana, midis qindra dhe mijëra qendrave strehimore të ndërtuara në dekadën e kaluar në Shqipëri. Asgjësimi i rezervave, sqaron “Le Monde”, është financuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rreth 35 milionë euro. Ndërkohë që gjithë operacioni ka qenë nën mbikëqyrjen e Departamentit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kujdesi i Qeverisë shqiptare
Sipas “Le Monde”, në rastin e arsenalit sirian rezervat e mëdha bëjnë që Shqipëria të përballet me kushte të tjera sigurie. Gjithsesi Washingtonit po i përfundon koha për gjetjen e një zgjidhjeje. Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) ka njoftuar se inspektorët e saj që kanë shkuar në Siri, brenda një muaji kanë vendosur shenjat përkatëse për të 1000 tonët e rezervave të agjentëve kimikë dhe 290 tonë armëve kimike të deklaruara nga Damasku. Këshilli Ekzekutiv i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike duhet të ketë një plan përfundimtar brenda 15 nëntorit. Gazeta sqaron më tej se zyrtarisht Washingtoni është optimist për të respektuar afatin e fundit për shkatërrimin e këtyre armëve që është 30 qershori i vitit 2014. “Le Monde” saktëson se për momentin qeveria shqiptare është shumë e kujdesshme për tu shprehur duke qenë se ndodhet përballë një ekuacioni shumë të vështirë. Kryeministri socialist, Edi Rama, i cili mori detyrën në 15 shtator, pasi partia e tij fitoi zgjedhjet në qershor, dëshiron të ruajë orientimin pro evropian të Shqipërisë. Si një nga shtetet më të varfra të Evropës, vazhdon analizën “Le Monde”, Shqipëria ka nevojë për mbështetjen perëndimore. Por, gjithashtu konsiderata të tjera që hyjnë në lojë, shpjegojnë mungesën e përgjigjes publike për disa ditë, ndaj kërkesës amerikane.

Në fakt, dy ditë pas hyrjes së tij në zyrë, Edi Rama vendosi të ndalojë importin e mbetjeve të rrezikshme apo jo shumë të rrezikshme duke mbajtur një premtim elektoral për këtë çështje shumë të ndjeshme në Shqipëri. Në nëntor të vitit 2011 qeveria e qendrës së djathë e Sali Berishës kishte autorizuar importin e 55 kimikateve toksike duke shkaktuar një reagim të ashpër të organizatave që mbrojnë mjedisin.

“Fatura për katastrofë”
“Le Monde” duke cituar drejtorin e Institutit Shqiptar të Çështjeve Ndërkombëtare, Albert Rakipi, shkruan se “Shqipëria post-komuniste nuk ka qenë shumë dorështrënguar mbi çështjet e mjedisit. Do të jetë krejtësisht e gabuar për të thënë “po” sot, pak javë pas vendimit të qeverisë për ndalimin e importit të mbetjeve. Kjo do të krijojë konfuzion tek njerëzit. Për më tepër, ajo nuk është një mënyrë për të zhvilluar Shqipërinë. Duke pasur parasysh se turizmi ka potencial të vërtetë ekonomik tek ne, ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm”.

Aleanca kundër importit të mbetjeve (AKIP) mblodhi së bashku më shumë se 64.000 nënshkrime (përtej pragut të kërkuar 50 000 ), në mënyrë që të kërkojë një referendum mbi çështjen e mbetjeve toksike. Gjykata Kushtetuese vendosi se peticioni ishte i vlefshëm. Referendumi do të mbahej në fund të dhjetorit. Kjo ishte para se qeveria “Rama” të vendoste ndalimin e mbetjeve. “Kjo tani është duke u përballur me një kontradiktë të madhe, nënvizon Blendi Kajsiu, një përfaqësues i AKIP”, – shkruan “Le Monde” . “Në Shqipëri, Qeveritë kanë tendencë të jenë servile përballë aleatëve perëndimorë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Legjitimitetin e lënë jashtë. Por, a duhen marrë parasysh në këtë rast interesat e shqiptarëve? Duke pasur parasysh kapacitetet e dobëta administrative të shtetit tonë dhe rrezikun e lartë e të arsenalit sirian, ne marrim faturën e një katastrofe”.

“Le Monde” kujton se në 15 mars të vitit 2008 një shpërthim i ndodhur në një depo municionesh në Gërdec, një fshat afër Tiranës, vrau 26 persona dhe plagosi qindra të tjerë. Një kompani amerikane ishte përgjegjëse për shkatërrimin e stoqeve të municioneve të vjetra, në partneritet me Ministrinë e Mbrojtjes.

Reuters, Shqipëria mes vendeve ku po negociohet
Shkatërrimit të armëve kimike siriane i kushtohet një artikull ekskluziv në agjencinë Reuters. Në të shkruhet se Shqipëria është ndër vendet me të cilat po bëhen negociata për të transferuar dhe shkatërruar arsenalin e këtyre armëve. Në këtë artikull, thuhet se përveç Shqipërisë, vend kandidat për të kryer këtë proces, është edhe Belgjika dhe gjithashtu një tjetër vend skandinav i papërcaktuar ende. Britania e Madhe, ka deklaruar se do të japë 3 milionë dollarë për mbarëvajtjen e këtij misioni të shkatërrimit të armëve, ndërsa Rusia, Franca dhe Kina, janë shprehur se do të dërgojnë ekspertë dhe staf teknikësh të specializuar. Nga ana e Sirisë është deklaruar se janë 30 qendra ushtarake, ku regjimi sirian mbushte armatimet, një pjesë e tyre u përdor në 21 gusht të këtij viti ku humbën jetën 1400 të pafajshëm dhe 3 impiante të cilët përmbajnë sasi të mëdha të armëve kimike. Duke iu referuar dokumenteve të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), janë rreth 1.000 tonë armë kimike, të formave të ndryshme, 290 tonelata municion të mbushur dhe 1.230 municion të pambushur. Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike që ka si detyrë eliminimin e këtyre armëve deri më tani ka mbledhur vetëm shumat e parave të nevojshme për të financuar misionin e saj. Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike e cila fitoi edhe Çmimin “Nobel për Paqen”, muajin e kaluar ishin duke u bërë përgatitjet, në kuadër të marrëveshjes SHBA- Rusi. Deri më tani, janë vënë në dispozicion 10 milionë euro. Që nga themelimi sipas Konventës të 1997-ës, të Armëve Kimike, OPCW ka mbikëqyrur shkatërrimin e më shumë se 50.000 tonëve municione toksike, ose më shumë se 80 për qind e arsenalit të deklaruar në botë. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, poseduesit më të mëdhenj të armëve kimike, janë shumë vite pas sa i përket afatit për shkatërrimin e arsenaleve të tyre

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here