Grupi hetimor i prokurorisë së Tiranës, që po heton ngjarjen e demonstratës së 21 janarit dhe pasojat e saj, ka administruar predhën e plumbit që i solli vdekjen lezhjanit Aleks Nika, dhe më pas e ka dërguar atë për ekspertim balistik dhe krahasues me armët e efektivëve të Gardës së Republikës në laboratorin e Policisë Shkencore të Ministrisë së Brendshme. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të institucionit të akuzës dhe atyre pranë Policisë së shtetit, të cilët sqaruan se me ardhjen e trupit të viktimës së katërt të demonstratës së 21 janarit, autoritet turke kanë dorëzuar edhe predhën e nxjerr nga koka e viktimës 36-vjeçar Nika.
“Ardhja e trupit të viktimës në arkivol, është shoqëruar edhe me gjithë dokumentacionin përkatës mjekësore të shtetasit Aleks Nika. Autoritetet turke, përveç trupit i kanë dorëzuar familjarëve edhe akt-ekspertimin mjeko-ligjor të shkakut të vdekjes dhe përshkrimit të plagëve të marra të shoqëruar me predhën e nxjerr nga koka pas ndërhyrjes kirurgjikale”,-thuhet nga burimet. Sipas tyre, kjo predhë e cila ishte vendosur në një qese plastmasi dhe më pas në një zarf të bardh të firmosur nga tre persona, ekspertët e mjekësisë ligjore dhe një efektivë i policisë turke të shoqëruar me fotot përkatëse, ia kanë dorëzuar prokurorisë.
Hetuesit e çështjes, dorëzimin e zarfit me predhën e plumbit brenda e kanë administruar me vendim të marrjes së provës së firmosur nga njëri nga gjashtë prokurorët e çështjes, të shoqëruar me një procesverbal dorëzimi nga familjarët. Më pas, ky zarf është dorëzuar në laboratorin e Institutit të Policisë Shkencore për ta krahasuar atë me gëzhojat dhe armët e gardistëve, që ditën e demonstratës kishin në përdorim. Sipas këtyre burimeve mësohet se predha e nxjerr nga koka e të vrarit të katërt të demonstratës, është llojit 9 mm të armëve “MP-5” që kanë në përdorim efektivët e njësisë speciale të Gardës së Republikës.
Gjithashtu, po këto burime konfirmuan se mjekët e Spitalit të Ankarasë në Turqi, në raportin përfundimtar të ekspertizës mjeko-ligjore kanë përshkruar me detaje të gjitha mjekimet dhe ndërhyrjet kirurgjikale në plagën e 36-vjeçarit Aleks Nika, banor i fshatit Grykë-Manati të komunës Kolsh të Lezhës. Por, ky përshkrim i raportit mjekësor është bërë në gjuhën turke, çka e ka detyruar grupin hetimor të prokurorisë të caktojë një përkthyes zyrtar për të përkthyer dokumentet zyrtare të spitalit të Ankarasë dhe më pas ta administrojë në dosjen hetimore.
Ndërkaq, grupi hetimor i prokurorisë së Tiranës me ndihmën e dëshmitarëve të ndryshëm, kanë arritur të zbardhin edhe vendin ku mendohet se ka qenë në momentet e marrjes së plumbit në kokë 36-vjeçari Nika. “Nga pyetja e dëshmitarëve të pranishëm në demonstratën e 21 janarit, që kanë qenë afër viktimës Aleks Nika, rezulton se ky i fundit në momentin e marrjes së plumbit në kokë ka qenë afër trotuarit të zyrave të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në afërsi të cepit të rrugës mes Gjykatës Kushtetues dhe dy kullava binjake”,-thuhet nga burimet e akuzës dhe policisë.
Sipas këtyre burimeve plagosja e Nikës ka ndodhur shumë pranë vendit ku është qëlluar për vdekje shtetasi Faik Myrtaj nga Fieri dhe ku janë plagosur dy persona të tjerë. Në momentin e vrasjes, sipas dëshmive, Nika ka qenë me duar në xhepa me fytyrë të kthyer nga porta e kryeministrisë ku disa demonstrues po qëllonin me gur drejt gardistëve që po ruanin ndërtesën e kryeministrisë.