Më 15 prill, persona që nuk ishin identifikuar nga Policia holandeze, ekzekutuan shtetasin Durim Sulku, 33 vjeç, që është vëllai i Besnik Sulkut, i cili po ashtu mbeti i vrarë dje.
Megjithatë, kjo nuk është pista e vetme ku është përqendruar hetimi i Policisë, pasi po verifikohen edhe konfliktet e mundshme në biznesin e kromit në galeritë e Bulqizës, që Lufi mund të ketë pasur me Sulkun.
Ndërsa burimet sqarojnë se shtetasi Mentor Lufi i kishte shpëtuar edhe një tjetër atentati rreth 7 muaj më parë, kur persona të paidentifikuar e qëlluan për ta vrarë. Kjo ngjarje ndodhi në afërsi të stadiumit “Selman Stermasi”, në Tiranë, pranë lokalit që deri para pak kohësh e kishte në pronësi miku i tij, Gerti Goxhaj, i cili po ashtu mbeti i vrarë dje.
Të tre personat që mbetën të vrarë dje gjatë shkëmbimit të zjarrit në qendër të Tiranës, njihen jo vetëm si persona me precedentë të mëparshëm penalë, por edhe si biznesmenë.
Mentor Lufi, nga Bulqiza e Dibrës, ka në pronësi një galeri kromi. Ndërsa ka qenë i skeduar më parë, edhe i dënuar nga Gjykata e Dibrës në vitin 2012, me akuzën e kanosjes.
Besnik Sulku, po ashtu nga Dibra, rezulton si person i implikuar më parë në trafikun e drogës, ndërsa aktualisht administronte një kompani automjetesh në Tiranë.
Ndërsa viktima tjetër, miku i Mentor Lufit, shtetasi Gerti Goxhaj, po ashtu merrej me biznese të ndryshme në Tiranë. Deri para disa javësh ai ka pasur në pronësi lokalin në afërsi të stadiumit ”Selman Stermasi”, ku u tentua të vritej Lufi.
Por edhe Goxhaj rezulton person me precedentë të mëparshëm penalë. Ai është arrestuar në Kukës bashkë me 5 persona të tjerë, në pikën e kalimit kufitar të Morinës, kur po tentonin të trafikonin 198 pako me kanabis sativa në drejtim të Kosovës.
Në atë kohë Goxhajt iu sekuestrua edhe një armë që e mbante pa leje.
Edhe zyrtarisht, Policia e Tiranës tha dje se të tre personat që mbetën të vrarë pasditen e djeshme, kanë qenë persona me probleme me drejtësinë, të proceduar disa herë për trafik të lëndëve narkotike.