HYRJE Politike PS, Lutaj: Drejtori i policise mashtroi ne komisionin hetimor

PS, Lutaj: Drejtori i policise mashtroi ne komisionin hetimor

0
47

Deputeti socialist Pirro Lutaj reagoi pas raportimit para komisionit hetimor parlamentar të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj. Duke i cilësuar gjashtë deputetët anëtarë të komisionit si “manekinë të Saliut” ai tha se kreu i policisë raportoi “të pavërteta tronditëse që nuk cenojnë vetëm statusin e drejtuesit të Policisë të një shteti anëtar të NATO-s, por liritë e çdo qytetari të një vendi demokratik në mes të Evropës, i cili është një hap larg anëtarësimit në BE”.

Në deklaratën e tij, Lutaj tha: “Nuk mund të ndodhte ndryshe. Ky vartës i bindur i drejtuesve të operacionit kriminal të 21 janarit, Sali Berisha e Lulëzim Basha, do të mbronte në mënyrë fanatike gënjeshtrat dhe përkufizimet e palogjikshme të Sali Berishës e Lulëzim Bashës, se protestues të pajisur me “çadra pistoletë”, “thika me helm” dhe “gurë të gjetur në bulevard”, organizuan “grushtin e shtetit” dhe tentuan të marrin me dhunë pushtetin në Shqipëri.

Deklarata e tij ishte mbushur me një mori informacionesh që Burgaj i paska administruar para demonstratës e që bënin fjalë për sulm kundër kryeministrisë, kundër godinës së LSI, hapje të burgjeve, madje dhe sulm në banesën e kryeministrit.
Këto deklarime janë miope dhe qesharake, kur mendon se vetë Burgaj dhe vartësit e tij me shkresë zyrtare kanë konfirmuar mbarëvajtjen dhe masat e sigurisë për aktivitetit të datës 21.

Drejtori kukull, që drejton sot Policinë e Shtetit, nën influencat politike të Sali Berishës e Lulëzim Bashës dhe që deponon paturpësisht përpara “Komisionit Hetimor”, se demonstruesit para Kryeministrisë nisën goditjen e forcave të rendit, nuk thotë asnjë fjalë se kush e dha urdhrin që të derdhet në mënyrë të papërgjegjshme gazi lotsjellës mbi demonstruesit paqësorë e të pa mbrojtur, shumë nga të cilët nuk kishin mbërritur ende përpara Kryeministrisë?
Nxjerrja e makinës së ujit pa asnjë shoqërues, dëmtimi i forcave të policisë nga gazi lotsjellës, hapja e pjesës ballore të kryeministrisë, duke e lënë pa asnjë forcë policore, dhuna e shfrenuar ndaj kujtdo që kapej në rrugë, lokale apo dyqane – pa dalluar e pyetur nga vinin – është shembulli më i shëmtuar që Burgaj shërben në verbëri të plotë ndaj urdhrave të Bashës dhe Berishës.

Partia Socialiste i thotë këtij polici me post të lartë dhe me nivel të ulët, se deponimi i bërë prej tij në “Komisionin e Saliut” që strukturat vendore të policisë dërguan informacion që më datën 21 Janar, do të kishte grumbullime të personave me precedent penal, është një mashtrim i turpshëm, i konfirmuar tashmë nga verifikimi i mbi 130 personave të ndaluar e keqtrajtuar barbarisht prej strukturave “speciale” të pushtetit të dhunës, nga ku, askush nuk është konstatuar dhe evidentuar si i tillë.

I themi këtij ushtari nën urdhra, se keqpërdorimi që i kanë bërë atij, drejtuesit e operacionit vrastar të 21 janarit, Lulezim Basha e Sali Berisha, nuk ka asnjë shpresë për tu mbuluar me pseudopuçe. Autorët e vrasjeve makabre të 4 qytetarëve të pafajshëm, plagosja me armë zjarri e dhjetëra të tjerëve në mes të bulevardit “Dëshmoret e Kombit” si dhe autorët e dhunës barbare ushtruar në komisariatet e policisë do të vihen domosdoshmërisht përpara drejtësisë”.

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here