HYRJE Fatos Lubonja E verteta e koalicionit PS-PD per te nxjerre jashte loje Meten

E verteta e koalicionit PS-PD per te nxjerre jashte loje Meten

1
257

lubonjaKohët e fundit po flitet shumë për një prishje të mundshme ekuilibrash të maxhorancës në pushtet. Po flitet çuditërisht deri për një aleancë PS – PD, që do ta nxirrte jashtë loje LSI-në e Ilir Metës, ashtu sikurse nuk mungojnë versionet se LSI mund të kthehet në koalicion me PD-në e po ashtu se së fundi marrëdhëniet Rama – Meta janë ftohur dukshëm.

Çfarë po ndodh? A ka ndonjë të vërtetë në këtë thashethemnajë politike? Cilët janë iniciatorët e sulmit ndaj tjetrit? Cilat janë arsyet? Deri ku mund të arrijnë?

Ne na mungojnë të dhëna të qarta për të qenë të sigurt në analizat e kësaj thashethemnaje politike për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të mësipërme. Sipas meje, me shumë gjasa diçka ka, sulmet apo diversionet janë reciproke, por duhet t’i gjykojmë më tepër si tentativa, si prova për të testuar njëritjetrin, sesa si projekte politike që kanë marrë rrugë. Por, përtej detajeve, gjykoj se kjo thashethemnajë politike është simptomë e një gjendjeje krize të atij që e kam quajtur “sistemi”e në kontekst duhet analizuar.

Ilir Metën e quaja “shtyllë” të këtij sistemi, pasi ai dukej garanti i qëndrueshmërisë së kësaj oligarkie në pushtet; politikani që me “qetësi” dhe “dashuri” arrinte t’i mbante të gjithë bashkë, siç tregoi edhe me ditëlindjen e tij, pavarësisht nga lajthitjet ku i çon këta herë pas here teatri politik. Në këtë kontekst, edhe fakti që ai kishte kaluar në aleanca sa me njërën dhe me tjetrën parti e përforconte pozitën e tij “presidenciale”.

Megjithatë, në artikull shtoja se aq sa dukej i fuqishëm Ilir Meta, aq ishte edhe i dobët, sepse ky sistem nuk mund të qëndrojë dot gjatë më këmbë, pasi kjo oligarki e ka ndërtuar sistemin jo vetëm kundër interesave të vendit, por edhe kundër interesave të veta afatgjata e, prandaj, në momentin kur sistemi do të rrezikohej të binte, të gjithë do të turreshin, me të drejtë apo pa të drejtë, kundër Ilir Metës si shtylla e urryer e sistemit: PD-ja duke thënë se ne jemi të mirë, por që LSI-ja që na e prishi imazhin në mandatin e dytë, kurse PS-ja duke thënë se nuk po e lejonte LSI-ja të rilindte Shqipërinë, siç kishte premtuar.

Duke iu referuar këtij arsyetimi, për mua sot pyetja shtrohet: A mos ka ardhur momenti i një rrezikimi të sistemit – jo për faj të Ilir Metës, të kuptohemi, por për shkak se ai është ngritur keq shumë keq nga PD e PS më së pari?

E vërteta është se ne nuk zotërojmë të dhënat që duhet të zotëronim normalisht për të ditur gjendjen reale të vendit, veçanërisht të elitës ekonomiko – politike që drejton sistemin në fjalë për të cilën thuhet se më i pasuri është ai që ka më pak borxhe (edhe kjo mostransparencë bën pjesë në sistemin), por, që vendi është në krizë kjo duket sheshit. E tregon numri dramatik i shqiptarëve që po ikin, e tregojnë edhe përpjekjet e qeverisë për të nxjerrë para edhe nga ata që janë nën nivelin e varfërisë, aq sa në shtresat më të varfra dëgjon të shtohet dramatikisht shprehja: “të keqen e Berishës”.

Personalisht, thashethemnajën që është përhapur për sherrin PS – LSI deri në një koalicion PD – PS nuk e shikoj të ndarë nga kjo krizë e sistemit, si shprehje, pra, e asaj se politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë dhe atje ku ekonomia është e sëmurë problemet politike shfaqen si simptoma të sëmundjes. Sipas meje, ka shumë gjasa të kemi të bëjmë me një tentativë të oligarkisë politiko – ekonomiko – mediatike për të ruajtur sistemin në këmbë, për të mbrojtur interesat e veta; thënë ndryshe, për të paguar ose mospaguar borxhet e veta. E këtu vijmë tek ajo që e kam quajtur dobësia e Ilir Metës. Partia e tij ka namin se është një parti që e përfaqëson në imagjinatën e shqiptarëve më shumë se të tjerat sistemin klientelar korruptiv.

Nëse PD-ja,ndonëse përfaqësuese e interesave të oligarkisë,për fasadë është mbajtur si përfaqësuese e ish-të përndjekurve e më në përgjithësi të shtresës antikomuniste dhe PS-ja, ndonëse përfaqësuese e interesave të të njëjtëve oligarkë, mbahet si përfaqësuese e ish-komunistëve të reformuar në socialistë, duke pasur pra votues edhe ndër ata që nuk kanë përfitime direkte, LSI-ja ka krijuar profilin e një partie thjesht klienteliste që nuk shikon as ideologji, as histori, as moral, por i afron njerëzit me premtime për punë e para, duke u blerë votën. E në gjirin e këtij sistemi, ku fasadave ideologjike e historike u ka dalë boja gjithnjë e më shumë, LSI po rritet me virulencë duke u ngrënë tagjinë dy ndërmarrjeve të tjera të biznesit.

Në këto kushte, pra, kur tagjia është pakësuar dramatikisht, a nuk mund të themi se duke goditur LSI-në mund të bëhen një rrugë e dy punë: eliminohen rivalë dhe klientë të mundshëm që po hanë tagjinë e PS dhe PD dhe rilyhet njëfarësoj fasada e teatrit politik, duke krijuar përshtypjen se po goditet sistemi në emër të më shumë ndershmërie, të luftës kundër korrupsionit.

Aq më tepër, kur këtë gjë na e kërkojnë edhe të huajt. Personalisht jam i prirur t’i shoh në këtë kontekst tentativat deri tani në nivel thashethemnaje të një marrëveshjeje PS – PD: pra si produkt pazaresh të një pjesë të oligarkisë që ka ushqyer rregullisht edhe PS-në, edhe PD-në, për ta nxjerrë LSI-në jashtë hambarit të tagjisë, ndoshta edhe si rezultat i kërkesave të LSI-së për ta rindarë edhe një herë, më në favor të saj, hambarin pasi në zgjedhjet lokale ajo e rriti rezultatin.

PD-ja që është më e varfëruar se kurrë dhe më e braktisur se kurrë nga oligarkia mund të ketë interes nga kjo, pasi kështu mund të marrë diçka më shumë tagji dhe po ashtu të eliminojë rrezikun e katandisjes parti e tretë në zgjedhjet e ardhshme. PS-ja kështu eliminon një rival të rrezikshëm dhe merr për vete meritën se kjo maxhorancë po e pastron politikën shqiptare nga korrupsioni dhe njëkohësisht (çka është kryesorja) siguron heshtjen e opozitës ndaj disa projekteve të oligarkisë në fjalë për të grabitur edhe më tej pronën publike të shqiptarëve (kujtoni p.sh. projektet te Diga apo te hyrja e Parkut), si dhe ndaj disa pseudoreformave që rrisin ndjeshëm pushtetin e saj në kurriz të demokracisë.

Paradoksalisht, në këto kushte, “shpresa” jonë e vetme për të shpëtuar nga dara e sistemit në krizë do të mbetej “shtylla e sistemit” Ilir Meta . Ha, Ha, Ha! Jemi në rrethin vicioz të së keqes më të vogël që bëhet e keqja e madhe sapo vjen në krye të sistemit. Në fakt, për të shpëtuar nga rrethi vicioz i këtij sistemi ne kemi nevojë për një shtet të së drejtës që të fusë në shinat e ligjit më së pari këto parti dhe oligarkët rreth tyre, sipas shkeljeve më të vogla dhe më të mëdha që i kanë bërë ligjit. Por kjo mundësi duket larg (dhe s’ka të bëjë fare me thashethemnajën e fundit politike), sepse, siç qarkullon një fjalë në rrethet sociale, çdo shtet ka mafien e vet, kurse në këtë vendin tonë të bekuar, është mafia ajo që ka shtetin e vet

1 Koment

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here