Home Mentor Nazarko Disa ide për reformën në Drejtësi

Disa ide për reformën në Drejtësi

1435
0

Siç njoftuan gjerësisht mediat, lufta midis Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe pushtetit ekzekutiv, apo respektivisht partive që janë përfaqësuar në qeveri, vazhdoi edhe dje. E quajmë luftë pasi ajo në fakt është një tërësi betejash për çështje të ndryshme që vijon prej kur në qeveri ka ardhur e majta.

Kjo luftë, nëse nisesh nga retorika që karakterizon qëndrimet publike të palëve, është me të vërtetë e ashpër. Të dyja palët janë duke e tepruar, nëse gjykojmë sipas standardeve perëndimore. Në qëndrimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka plot metafora banale të përdorimit opozitar dhe shumë rrallë ndihet fryma profesionale e atyre individëve përbërës që si ajka e Drejtësisë shqiptare do përdornin një gjuhë shumë më abstrakte se ajo që shohim sot. Nga ana tjetër, në qëndrimet e Ministrisë së Drejtësisë, të partive politike që e mbështesin qeverinë, ka një ashpërsi të madhe gjithashtu me sens partiak që nuk mban parasysh as verbalisht faktin që KLD është një institucion i rëndësisë kushtetuese, që mishëron pavarësinë – në të vërtetë autonominë e pushtetit gjyqësor. Të gjithë mund ta dimë që për shkak të mungesës së rotacionit për tetë vjet, apo për arsye të tjera, një pjesë e mirë e KLD-së mund të jetë e përbërë nga njerëz që mishërojnë haptazi interesat e ligjshme dhe të paligjshme të ish-qeverisjes së dikurshme, por kjo s’do të thotë që ndaj një trupe si KLD-ja të shprehesh njëlloj si në debatin parlamentar ndaj partisë kundërshtare. Kjo gjë mund të ndodhë nesër dhe përjetësisht kur të ndodhë rotacioni, nëse s’kuptohet dhe respektohet parimi i pavarësisë së pushteteve. Për publikun kjo s’ka kurrfarë rëndësie, pra anshmëria politike e KLD-së nuk është problemi. Problemi është raporti i saj me ligjin, me Kushtetutën, funksionaliteti i saj, është ruajtja e komunikimit normal institucional me pjesët e tjera të shtetit. Parimi i ndarjes dhe pavarësisë së pushteteve duhet të funksionojë krahas parimit të unitetit të drejtimit shtetëror, sepse përndryshe shteti do të ishte rrumpallë e madhe, bashkim fiktiv principatash apo feudesh të grupeve të ndryshme të interesit politik apo ekonomik të personifikuara nga x apo y politikan.

PROBLEMATIKA

Në kushtet e kësaj përplasjeje apo lufte jo thjesht komunikative, për publikun është me rëndësi të kuptojë problematikën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë jo nga pala tjetër, por nga burimet e pavarura. Është krejt e qartë, ashtu siç e pohojnë vëzhguesit e specializuar ndërkombëtarë, si për shembull EURALIUS-i, mision profesional për të asistuar reformat në Drejtësi etj., se Drejtësia jonë ka probleme të mëdha. Në këtë gjendje të vështirë, KLD-ja ka përgjegjësinë më të madhe, sa i takon korrupsionit, kontrollit politik etj. – pohon për shembull Joaquin Urias, ish-shef i këtij misioni. Po të lexosh një raport vërtet profesional të vitit 2013 të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ti kupton se ky inspektorat praktikisht është i pafuqishëm për të kontrolluar sistemin për shkak të mungesës së instrumenteve ligjore. Nga ana tjetër, kuadri ynë ligjor dhe kushtetues parasheh që lufta kundër korrupsionit në Drejtësi duhet të bëhet nga bashkëpunimi i KLD-së (Inspektoratit) me Ministrinë e Drejtësisë dhe është krejt e qartë se lufta për të cilën po flasim e bën zero çdo lloj bashkëpunimi. Siç e pohojnë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë, KLD-ja duhet ta rrisë pavarësinë, duhet të depolitizohet – (në mbledhjet e saj të mos marrë pjesë as Presidenti, as ministri i Drejtësisë etj. – janë disa sugjerime ndërkombëtare). Vetë anëtarët e KLD-së duhet të ndëshkohen nëse shkelin ligjin dhe mungesa e instrumenteve për ndëshkimin e tyre është njeri ndër shkaqet kryesore të luftës midis Ekzekutivit dhe KLD-së. Është krejt e qartë ndërkohë se KLD-ja është kthyer në një lloj mburoje korporative (me ngjyrë demokratase) e një pjese bukur të madhe gjyqtarësh të korruptuar që shkelin ligjin dhe që kur akuzohen, thërrasin se janë të opozitës apo se po cenohet pavarësia e tyre. Kjo lloj mburoje e partizuar po shkel dhe një parim kryesor mbi të cilin funksionojnë praktikisht gjithë proceset kryesore të veprimtarisë gjyqësore në një sistem demokratik – transparencën. Mbledhja e fundit e KLD-së me dyert e mbyllura e tregoi këtë.

Zgjidhjet

Cilat janë zgjidhjet në një situatë kaq dramatike që ndalon përparimin shtetëror?

Raporti midis Ekzekutivit dhe KLD-së është raport kushtetues, pra çdo ndryshim në kuadrin legal të këtij raporti do të thotë të ndryshosh Kushtetutën. Por ndryshimi i Kushtetutës nënkupton konsensus dhe pavarësisht se shumica në pushtet mund të arrijë dy të tretat e deputetëve, është tërësisht e këshillueshme që për reformën në sistemin e drejtësisë, përfshi dhe KLD-në, të arrihet konsensus midis qeverisë dhe opozitës. Në kushtet kur s’po dëgjohet një ide e tillë nga palët partiake, i takon Presidentit që të marrë iniciativën për një reformë kushtetuese në sektorin e drejtësisë. Është e kuptueshme qasja mbrojtëse e Presidentit për sistemin e drejtësisë dhe pavarësinë e saj, por kjo s’mund të jetë pa kushte. Ndërkohë dhe opozita duhet ta kuptojë se mbrojtja tërësore e sistemit të drejtësisë i humb vota. Qytetarët janë të zhgënjyer nga ky sistem, ndaj mbrojtja e Gjyqësorit pa kushte prej opozitës do të kishte efekte elektorale. Mbi këtë bazë, Presidenti mund të marrë iniciativën për reformë kushtetuese në këtë sistem. Kështu do tregonte se nuk është pjesë e mendësisë së opozitës, siç e akuzojnë pjesë të qeverisjes.

Rruga e dytë e ndërhyrjes është nëpërmjet nxitjes së vetë sistemit që të bëjë drejtësi brenda radhëve të saj. E dimë që sipas procedurës së zgjedhjes KLD-ja rrjedh në masë të madhe prej Konferencës Gjyqësore, por KLD-ja nuk është baras me gjithë sistemin e drejtësisë ku bashkëjetojnë të mirët dhe të këqijtë, të majtët dhe të djathtët, ku ka dinamika që vihen në lëvizje dhe prej rotacionit politik. Një ndërhyrje në sistem (ligjore apo kushtetuese) do duhet të niset pikërisht nga vënia në lëvizje e Konferencës përballë KLD-së. Kjo kundërvënie dialektike do respektonte dhe frymën e Kushtetutës, e cila u njeh autonomi pushteteve përbërëse të sistemit shtetëror. Pra do të kishim vetërregullim të sistemit, dhe jo rregullim apo patronazh të një pushteti mbi një tjetër. Mund të lejohen organizime vullnetare brenda Konferencës, të orientuara politikisht apo ideologjikisht, të cilat të zhvillojnë një dinamikë e cila nuk ekziston thuajse fare në ditët tona.

Shqipëria nuk mund të shpikë rregulla në funksionalizmin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë apo normalizimin e marrëdhënieve midis pjesëve të shtetit. Ajo thjesht duhet të mbështetet tek eksperiencat më të mira të vendeve ish-komuniste që kanë treguar progres në këtë drejtim. Por koha nuk pret që Shqipëria të modernizojë sistemin e vet shtetëror, dhe Drejtësia është pjesë shumë e dobët e këtij zinxhiri.

Do duhet nxitur një debat i gje-rë profesional, ku të përfshihen të gjitha profesionet e lidhura me drejtësinë, universitetet, mendimi profesional rreth kësaj reforme.

Presidenti duhet ta kuptojë përfundimisht dobinë kombëtare të reformës në Drejtësi, ashtu si dhe opozita duhet ta kuptojë se do humbë akoma më shumë vota nga mbështetja e pjesës së kalbur të sistemit të drejtësisë. Nuk mund të sigurohen përjetësisht garancitë për pandëshkueshmëri nga drejtësia, sepse shumica do t’ia arrijë më në fund të gjejë mekanizma që ta ndryshojë sistemin. Por nëse këta mekanizma do të ishin të njëanshëm, atëherë konflikti do të vazhdonte ciklikisht si në ditët tona dhe përparimi apo modernizimi shtetëror s’do arrihej kurrë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here