“Akademia Imperialis” i ka akorduar mjeshtrit Zhani Ciko “Yllin e Artë Akademik Ndërkombëtar”, duke e renditur në Librin e Artë të Akademikëve të Mëdhenj. Në pergamenën, e cila shoqëron atë është shkruar: “I akordohet Ylli i Artë Mjeshtrit Zhani Ciko, sepse me profesionalitetin e tij të madh, impenjimin dhe humanizmin e spikatur, ka arritur të flasë për paqen dhe të frymëzojë ndjenjat më të thella të dashurisë së mrekullueshme universale, përmes gjuhës unike, e cila arrin direkt në zemrat e njerëzve: muzikës.
Nënshkruar nga Presidenti botëror i Akademisë, Francesco Imperiali di Francovilla. Akademia Imperialis me qendër presidenciale në Francavilla, Qendër Kombëtare në Romë dhe Delegacioni Europian në Madrid është një nga Akademitë më të vjetra europiane, themeluar më 1705 nga Shkëlqesia e tij mbretërore, kardinali Giuseppe Renato Imperiali me qëllim që të pasurojë dijet dhe favorizojë proceset e integrimit europian dhe dialogun mes popujve.
Zhani Ciko është dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë me titullin “Mjeshtër i Madh”, mban në të njëjtën kohë medaljen e lartë të akorduar nga shteti francez “Kavalier i Arteve dhe Letrave” dhe së fundi “Yllin e Artë – Akademik i Madh” i Akademisë Ndërkombëtare Imperialis. Ceremonia e dorëzimit do të organizohet në vjeshtë.