Pas afro 90 minutash bisedime me dyer të mbyllura, dy kryetarët e grupeve parlamentare në kontaktet me median pranuan se ishte arritur ngritja e një komision i ri hetimor parlamentar, ku opozita do të ketë shumicën dhe do të drejtohet nga një përfaqësues i saj. Astrit Patozi i PD-së tha se me këtë veprim mazhoranca i jep garanci opozitës se ajo i ka të gjitha të drejtat dhe hapësirat në këtë komision sipas ligjit në fuqi. Por në të vërtetë palët nuk kanë ndryshuar asgjë nga qëndrimet e mëparshme. Përsa i përket fletëve të votimit, dy politikanët kanë lënë një takim tjetër pasi nuk kanë rënë dakord nëse do hetohen apo jo. Patozi, lidhur me këtë pikë, në fund të takimit u shpreh se opozita duhet ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të marrë një opinion nëse është apo jo e lejuar. Takimi me dyer të mbyllura gjatë gjithë kohës u shoqërua me tone të moderuara nga të dy drejtuesit e grupeve kuvendore. E veçanta e takimit ishte fakti që dy krerët e partive Rama dhe Berisha kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me të dërguarit e tyre në takim duke i udhëzuar nëpërmjet sms-ve telefonike. Fakti që dy politikanët dolën në publik veç e veç, ishte tregues i qartë se ende ka shumë rrugë deri te gjetja e konsensusit.
Takimi
Dy krerët e Grupeve Parlamentare kanë rënë dakord në parim, që të përmbushet edhe një kërkesë tjetër e opozitës, për gjetjen e modaliteteve që PS të ketë edhe juridikisht të garantuar shumicën në këtë komision, që deri tani ishte një premtim vetëm verbal i kryeministrit Berisha. Nëse komisioni do të ngrihet, palët kanë rënë dakord, që të gjitha institucionet t’i kthejnë përgjigje komisionit ose t’i vënë atij në dispozicion materialet jo më vonë se 7 ditë nga paraqitja e kërkesës. Në këto çështje, të dy krerët e Grupeve Parlamentare folën, veç e veç, me të njëjtat vlerësime, madje mazhoranca foli për koncesione ndaj opozitës. Kreu i Grupit Kuvendor Socialist, Gramoz Ruçi theksoi se “të dy palët ranë dakord që drejtimin e komisionit ta ketë opozita e në takimet që do të vijnë duhet të gjenden modalitetet përkatëse ligjore për garantimin e dakordësisë politike”. Ndërsa kreu i Grupit Demokrat, Astrit Patozi theksoi se kërkesa e përsëritur e opozitës për të patur shumicën ligjore në komision është një koncesion shumë i madh, për shkak se ligji për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore nuk e mundëson këtë. “Do të gjejmë modalitete që edhe ligjin edhe të mos e ndryshojmë, por edhe opozita të jetë e kënaqur në kërkesën e saj”, u shpreh Patozi.
Negociata, por pa konkluzion
Takimi “kokë më kokë” mes Astrit Patozit dhe Gramoz Ruçit, përveç shprehjes së vullnetit të dyanshëm dhe vënies së piketave për çështje që edhe më parë ishte shprehur dakordësia publike, nuk ka sjellë asgjë të re për thelbin e mosmarrëveshjes, trajtimin e fletëve të votimit nga komisioni hetimor. Të dy pranuan se për këtë çështje nuk ka ende konsensus. I pyetur nëse opozita është e gatshme të pranojë ngritjen e komisionit hetimor sipas nenit të kodit zgjedhor, që parashikon djegien e fletëve të votimit, kreu i deputetëve socialistë tha se do të ketë një tjetër takim mes palëve. Por për kreun e deputetëve demokratë, çështja e fletëve të votimit ka vetëm dy rrugë për t’u trajtuar nga Parlamenti, ose opozita të kërkojë vendim nga Gjykata Kushtetuese, ose të pranojë zbatimin e kodit për djegien e tyre. “Ne jemi gati të diskutojmë sot për ngritjen e komisionit hetimor, që të ketë objekt materialet zgjedhore, por duke respektuar kodin elektoral në fuqi, që djeg kutitë e fletëve të votimit”, tha Patozi. Socialistët nuk e prekën publikisht çështjen e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa demokratët u dukën të vendosur në qëndrimin e shprehur nga Patozi. Megjithatë palët i kanë dhënë kohë njëra-tjetrës deri në takimin e ardhshëm për të cilin nuk ka një datë.
Gramoz Ruçi
“Së pari, të dy palët ranë dakord për domosdoshmërinë e ngritjes së komisionit hetimor lidhur me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, sa më shpejt të jetë e mundur brenda këtij sesioni parlamentar dhe ky komision të jetë i ri, jo në vazhdim i atij vendimi të mëparshëm të parlamentit. Së dyti, të dy palët ranë dakord që mazhorancën dhe drejtimin e komisionit ta ketë opozita dhe lidhur me këtë në takimet që do të pasojnë të gjejmë modalitetet përkatëse ligjore që kjo dakordësi politike të garantohet ligjërisht. Së treti, ramë dakord që objekti i hetimit të jetë gjithçka që ekziston në kutinë e materialeve zgjedhore. Së katërti, ramë dakord që të gjitha institucionet shtetërore KQZ-ja, apo institucione të tjera private që kanë lidhje me zgjedhjet sipas kërkesave që unë i parashtroj komisionit që mund të ngrejë parlamenti shqiptar, të jenë të detyruara që ti përgjigjen në një afat kohor sa më të shpejtë dhe mundësisht brenda 7 ditësh. Dhe së fundi ramë dakord që të jetë objekti i diskutimit të takimeve që do të pasojnë gjetja e modaliteteve për trajtimin e kutive të fletëve të votimit.”
Astrit Patozi
“Nuk kemi rënë dakord, apo ka patur pikëpamje shumë të ndryshme lidhur me objektin e hetimit të këtij komisioni, temë e cila besoj që do të mbetet në negociatat e ardhshme. I bëra të qartë zotit Ruci që kjo mazhorancë është për respektimin e plotë të shtetit ligjor, të Kushtetutës, të ligjit të vendit dhe vetëm brenda marxhit të këtyre hapësirave ajo është gati të pranojë cdo lëshim dhe çdo pretendim të opozitës. Opozita ka në dispozicion dy rrugë dhe kjo është publike tashmë prej nesh. Së pari, ajo duhet ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese, dhe kjo e fundit Komisionit të Venecias për të dhënë një mendim lidhur me pretendimin e saj për hapjen e kutive të votimit. Ne jemi plotësisht dakord ta presim verdiktin e këtij institucioni. Opozita ka një rrugë tjetër, në rast se nuk i premton koha dhe nuk e dëshiron rrugën e parë ne jemi gati të nisim që sot ngritjen e një komisioni hetimor që të marr parasysh që të ketë objekt të tillë materialet zgjedhore por sigurisht duke respektuar kodin elektoral në Shqipëri që ekskludon apo që djeg kutitë e fletëve të votimit. Ne nuk mundemi në asnjë mënyrë që të lexojmë gjysmën e një neni dhe të mos pranojmë gjysmën tjetër”.
———————————————————————————————————————————————-
Kreu i LSI deklaron se duhet konsensus për reformën zgjedhore
Meta: Të ndihmojmë Ramën të dalë nga kriza
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka ripërsëritur thirrjen ndaj opozitës që të jetë bashkëpunuese me mazhorancën parlamentare. Kreu i LSI ka apeluar Partinë Socialiste që të japë konsensus për reformën zgjedhore e cila duhet të jetë gati për zgjedhjet e ardhshme. Deklarata e Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim u bë në kohën kur po vizitonte inaugurimin e katër qendrave shëndetësore në qytetet e Fierit dhe të Lushnjës. Sipas Ilir Metës, vendi nuk mund të futet në krizë nga Edi Rama ashtu si Partia Socialiste. “Ne i ofrojmë Ramës, gjithë asistencën e nevojshme për të dalë nga situata e vështirë ku është futur dhe ku ka futur të gjithë opozitën së bashku me Partinë Socialiste”, theksoi Ilir Meta në prononcimin e tij të shkurtër për mediat e pranishme. Meta në këtë takim ka qenë i shoqëruar nga ministri i Energjetikës dhe Ekonomisë, Dritan Prifti. Me këtë dalje hidhen poshtë dhe hipotezat e dala në shtyp se raporti i Ilir Metës me Dritan Priftin është në krizë. Deklarata e Metës erdhi në momentin kur në Kryesinë e Kuvendit po zhvillohej një takimi i nivelit të lartë mes mazhorancës dhe minorancës parlamentare. Nga ajo që deklaroi Meta, duket se edhe ky raund negociatash do të dalë pa rezultatin e pritur.